Në episodin e dytë të RevoCast, i moderuar nga Aldo Mustafa, publiku pati mundësinë të ndiqte një bisedë të thellë dhe emocionuese me aktoren e njohur të teatrit dhe kinematografisë, Mimoza Marjanaku. E njohur për rolet e saj mbresëlënëse dhe për qasjen e saj autentike ndaj artit, Mimoza ndau disa nga përvojat më të vështira dhe emocionalisht të ngarkuara në karrierën e saj. Diskutimi u përqendrua veçanërisht në një skenë të fuqishme në një film të regjisorit dhe aktorit Drilon Hoxha, ku aktorja shprehu përjetimin emocional të skenës së vdekjes së fëmijës së saj në film.
Duke treguar për peripecitë e kësaj eksperience, Marjanaku zbuloi se për të sjellë këtë skenë të dhimbshme në ekran, ajo ishte në gjendje të përsëriste pa ndërprerje të njëjtën emocione të thella, duke kaluar në një përvojë të përballimit emocional të roleve të rënda. Ky episod i RevoCast zbuloi përkushtimin e jashtëzakonshëm të Mimozës ndaj artit të saj dhe ndikimin që skenat e tilla kanë jo vetëm tek ajo, por edhe tek familja e saj, ku më i ndjera ishte reagimi i djalit të saj kur e pa këtë skenë.
INTERVISTA
Aldo Mustafa: Ke pasur një film ku aktrimi jot ka qenë realisht rrënqethës, ku ti qaje për vdekjen e fëmijës!
Mimoza Marjanaku: Po, kam qenë në një film të Drilonit. Në fakt e çuditshme është, por unë të gjithë dublat ashtu i kam patur. Thjesht përsëriteshin dublat, për plane, bëhej për partnerin, për të tjerët.
Aldo Mustafa: E ke përsëritur atë skenë?
Mimoza Marjanaku: Dmth. unë sa herë e përsëritja kam qenë në të njëjtën gjëndje!
Aldo Mustafa: Është një skenë ulëritëse ajo, nuk është e lehtë!
Mimoza Marjanaku: Është shumë e vështirë, saqë djali im nuk donte ta shikonte. E ka parë shumë pak dhe ka thënë “Të lutem mami…
Aldo Mustafa: “Mos e luaj më këtë rol!”.
Mimoza Marjanaku: “… mos i bëj kaq të vërteta këto skena!” Është pak supersticioz, por ishte ambienti aty se ishe në varreza dhe me të vërtetë më ngacmoi shumë!