Mimoza Marjanaku në RevoCast! Aktorja e njohur zbulon planet për hapjen e një kursi aktrimi për fëmijë në Durrës

Mimoza Marjanaku në RevoCast! Aktorja e njohur zbulon planet për hapjen e një kursi aktrimi për fëmijë në Durrës

Gjatë episodit të dytë të podcastit RevoCast, aktorja Mimoza Marjanaku bëri një zbulim të veçantë për dëgjuesit: planet e saj për të hapur një kurs aktrimi për fëmijë në qytetin e Durrësit. Në bisedë me Aldo Mustafën, Marjanaku shpjegoi dëshirën dhe përkushtimin e saj për të sjellë një eksperiencë të re në qytetin ku jeton, veçanërisht për fëmijët që nuk kanë mundësi të njihen me artin e aktrimit nga një moshë e hershme.

Kjo ide ka lindur si rezultat i përvojës së gjatë të Mimozës në skenën e teatrit, me një karrierë prej gati 20 vitesh. Siç shpjegoi ajo gjatë intervistës, kursi do të përqendrohet tek fëmijët e shkollave fillore, duke i ndihmuar që nga fillimi të zhvillojnë aftësi artistike dhe ndjeshmëri skenike.

Marjanaku vuri në dukje se, ndryshe nga Tirana, në Durrës mungojnë institucionet dhe kurset e specializuara për aktrim, sidomos për grupmoshat e reja. Ky kurs pritet të sjellë një mundësi të re për fëmijët që duan të përfshihen në botën e teatrit, duke u mësuar elementet bazë të interpretimit dhe disiplinën që kërkon arti i aktrimit.

Me përvojën e saj të pasur dhe dëshirën për të kontribuar në edukimin artistik të brezave të rinj, ky projekt i ri i Marjanakut premton të jetë një mundësi e veçantë dhe e mirëpritur për qytetin e Durrësit.

INTERVISTA

Mimoza Marjanaku: Unë e kam ndër mend që të hap një kurs aktrimi dhe hera e parë që po e them. E kam diskutuar edhe me dy kolegë të mitë. Me Marvin Tafajn dhe Xhejn Famën dhe kemi dëshirë të hapim një kurs aktrimi për fëmijë.

Aldo Mustafa: Do ishte shumë interesante. Në Durrës mungon kjo gjë me sa di unë! Nuk e di nëse në Tiranë, si një kryeqytet, ka më shumë.

Mimoza Marjanaku: Duhet të ketë, patjetër që ka. Ndërsa në Durrës nuk ka, por edhe sikur të ketë, unë kam dëshirë të hap… falë eksperiencës.

Aldo Mustafa: Si e ke menduar, sepse ke një eksperiencë shumëvjeçare!

Mimoza Marjanaku: Po, u bënl shumë vite, gati 20 vjet në teatër dhe dua të filloj me fëmijët që në fillore.