Nga Xheni Karaj
Në emisionin Top Story, e ftuar përballë Akil Panos, i tregova publikut një gur me të cilin njerëz krejt të panjohur në rrugë, më kanë qëlluar mua dhe partneren time.
I tregova Akil Panos se ai gur që e kam ruajtur që nga mbrëmja e 20 qershorit, në orën 22:21, kur u hodh ndaj nesh nga një grup adoleshentësh, është rezultat i drejtpërdrejtë i gjuhës së urrejtjes që Akil Pano, gruaja e tij, dhe njerëz pranë tij kanë përdorur ndaj meje personalisht dhe ndaj komunitetit që përfaqësoj në mënyrë sistematike.
Tani Akil Pano jo vetëm mbjell urrejtje por po përpiqet të marri një rol si të Jezu Krishtit.
E nxora këtë gur në emision sepse nuk dua që ai të mbetet si një tjetër traumë për mua, partneren time apo për fëmijët që urrejtjen nuk e mësojnë vetë, por e mësojnë nga shpifjet dhe helmimet që individë si Akili përhapin përmes mediave, rrjeteve sociale dhe çdo mediumi ku kanë hapësirë.
E hoqa atë gur nga vendi ku e kam mbajtur gjithë këto muaj, duke më shkaktuar dhimbje e rënduar në zemër, pikërisht për t’ua treguar atyre që përçojnë urrejtjen që nxit dhunën.
Ai gur është simbolikisht guri i Akil Panos dhe të tjerëve si ai që nxisin urrejtjen, dhe për këtë duhet të rëndojë mbi ndërgjegjen e tyre– nëse kanë një të tillë – sepse me peshën e tij, ai gur rëndon të gjithë njerëzit dhe fëmijët, në zemrat e të cilëve këta nxitës të urrejtjes kanë mbjellë frikë dhe përçarje.
Dhe ashtu si thonë fjalët e urta të Predikuesit, gjithçka ka stinën dhe kohën e vet nën qiell. Ka një kohë për të mbjellë dhe një për të shkulur, një kohë për të ndërtuar dhe një për të rrëzuar. Sot është koha për të flakur gurët e urrejtjes që na ndajnë dhe për të mbledhur gurët që ndërtojnë ura kuptimi dhe respekti mes nesh. Le të përkushtohemi që çdo gur të përdoret për paqe e për mirësi, dhe që çdo stinë të sjellë më afër një botë ku secili të ndihet i lirë, i sigurt dhe i vlerësuar për atë që është.
Ndërsa për Akilin le të jetë kjo ditë, një ditë reflektimi dhe ndoshta një ditë faljeje.