Në një diskutim të hapur mbi artin modern shqiptar, në episodin e dytë të RevoCast, Marjanaku ofron perspektivën e saj të drejtpërdrejtë mbi lloje të ndryshme të performancave moderne që shpesh shfaqen në televizionet shqiptare, si stand-up komeditë dhe show-t e formateve të ndryshme. Ajo i trajton këto tema me seriozitet, duke ndarë mendimet e saj mbi cilësinë dhe efektin e tyre mbi publikun, si dhe mbi rëndësinë e një audience të vërtetë, që është gjithmonë në kërkim të cilësisë.
Gjatë bisedës, Mustafa dhe Marjanaku shqyrtojnë nëse formatet e fundit të komedisë dhe show-ve kanë arritur të krijojnë një lidhje të qëndrueshme me publikun, apo nëse, siç e përshkruajnë të dy, ato janë “limonatë”, argëtuese për një moment, por pa qëndrueshmëri të gjatë. Marjanaku ndan një mendim të hapur për artin dhe publikun shqiptar, duke e vlerësuar audiencën durrsake si një publik të mrekullueshëm, besnik dhe të përzgjedhur.
INTERVISTA
Aldo Mustafa: Meqë jemi tek arti, le të themi modern, si stand up komedi apo show të cilat janë limonatë ndoshta. Si i sheh këto show-t e fundit, si stand up komedi apo show të cilët vendosen shpesh në televizionet tona.
Mimoza Marjanaku: Edhe unë ashtu do ta quaja siç ti bëre pyetjen, i sheh si limonatë dhe unë si limonatë i shoh dhe publikun nuk mund ta mashtrosh. Mund të sigurosh disa të ardhura, por nuk e vend më për një herë të dytë e të tretë.
Aldo Mustafa: Konsumohet? Është material konsumi?
Mimoza Marjanaku: Jo se është konsum. Nuk është i mirë dhe publiku qoftë i televizionit, qoftë publiku i teatrit që e sheh shfaqjen live, nuk të vjen më, publiku është inteligjent. Mund të bësh pakte, ndodh të bësh pakte.
Aldo Mustafa: Ka diferencë audienca e teatrit?
Mimoza Marjanaku: Audienca, publiku durrsak, është një publik i mrekullueshëm dhe është një publik besnik që i mbush sallat dhe i jemi mirënjohës atij publiku. Mund të vij një shfaqje që mund të ketë edhe emra, por nuk është një shfaqje e denjë, publiku të vjen një natë dhe nuk të pret biletat të nesërmen.