Në episodin e RevoCast, aktorja Mimoza Marjanaku ndan momente unike nga përvoja e saj në skenë, duke zbuluar sesi emocionet e forta ndonjëherë mund të bëjnë që aktori të humbasë plotësisht tekstin. E hapur dhe e sinqertë, Marjanaku përshkruan momentet kur fjalët i fshihen nga kujtesa në mes të interpretimit dhe sfidat që kjo situatë sjell, sidomos gjatë një monodrame.
Në bisedën e tyre, ajo shpjegon se kur aktori është vetëm në skenë, improvizimi bëhet i vështirë. Por, kur luan me kolegë, përfshirja dhe ndërhyrjet e tyre shpesh e shpëtojnë nga këto momente të sikletshme, qoftë me një fjali për të rikthyer ritmin apo një batutë për të sjellë fokusin në skenë.
INTERVISTA
Aldo Mustafa: Ka momente në të cilat ndodh që të të fshihet teksti, e harron, të ka ndodhur ndonjë situatë e tillë dhe si e menaxhon?
Mimoza Marjanaku: Ndodh, kur ke emocion edhe kjo vjen nga emocioni në fakt, por kur je vetëm është pak problem, kur ke monodramën psh. Mund të sajosh diçka dhe bëhet e vështirë. Ndërsa në momentin që je me koleg, je me partnerë në skenë, janë partnerët që të nxjerrin nga situata. E kalojnë ose thonjë një fjali, ose fjalë që të ngacmojnë që je këtu!
Aldo Mustafa: Të kujtohet ndonjë skenar i tillë, kur ti ke humbur tekstin, çfarë ndërhyrje mund të kenë bërë kolegët në këtë moment.
Mimoza Marjanaku: Ndoshta nuk e kam pasur kështu, por mund të them që më ka ardhur për të qeshur dhe nuk kam arritur dot të flas.