Nga Blerina Goce
Është çelur këtë të enjte në Pallatin e Kongreseve, Panairi i 27-të i Librit “Tirana 2024”, ngjarja më e shënuar për kulturën dhe letërsinë shqiptare. Nga 13-17 nëntor, publiku mund të vizitojë stendat e shtëpive botuese, të takohet me shkrimtarët e përkthyesit, të blejë botime me çmim të reduktuar, por edhe të marrë pjesë në aktivitetet promovuese.
“Këtë vit në panair marrin pjesë 90 shtëpi botuese, 25 prej të cilave vijnë nga jashtë Shqipërisë, nga vende si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi apo Kosova.”
Për kryetarin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, që është edhe organizatori, ky 27-vjetor i Panairit lidhet me një moment simbolik, atë të 80-vjetorit të çlirimit të Tiranës.
“Është një gëzim, veçanërisht për ne, punëtorët e librit, botuesit, shkrimtarët, përkthyesit, profesorët dhe botuesit, por veçanërisht për lexuesit, që në nëntorin e 2024 mblidhemi në Pallatin e Kongreseve për të dëshmuar punë e madhe që bëjmë në shërim të lexuesve, të kulturës shqiptare, në shërbim të brezave të rinj. Nëse do arrijmë të fitojmë betejën në shkolla ne e kemi fituar betejën”, shprehet Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.
Për botuesit shqiptarë, thotë Ymeri, ka filluar një periudhë suksesi, pasi Shqipëria, vend kandidat për në BE bashkëpunon në nivel të lartë me institucionet evropiane më të rëndësishme, që mbështesin botimet.
Një vend i veçantë në këtë panair dhe nga botuesit i kushtohet edhe librit shqip dhe letërsisë për fëmijë.
“Edhe letërsia shqipe sfidon me emra të rinj, të cilët mendoj se bashkë me autorë të traditës do të konsolidohen dhe do të jenë e ardhmja e librit shqip.
Mendoj se sot në Shqipëri shkruhet letërsi e mirë dhe duke qenë se kam përkthime shumë të mira nga letërsia botërore, kur i krahasoj me autorët shqiptarë nuk janë aq larg, por duhet të ketë politika subvencionuese.
Për autorët për fëmijë them se nuk ka shumë prurje se letërsia e huaj dhe në këtë pjesë ka pasur dominancë. Do të ftoja të gjithë autorët e librit shqip për fëmijë të jenë më prodhimtarë dhe më bashkëkohorë”, shprehet Vasilika Tafa, botuese e ‘Ombra GVG’.
Gjatë panairit këtë vit është parashikuar të mbahen rreth 100 veprimtari dhe 60 promovime librash të rinj. Ndërkohë, siç tashmë është bërë traditë, një juri e veçantë do të ndajë të shtunën edhe çmimet e Panairit për veprat më të mira të vitit.