Në episodin më të fundit të RevoCast, këngëtari i ri Jet zbuloi një histori të papritur që e çoi drejt një prej skenave më të mëdha muzikore shqiptare, Kënga Magjike 2024. Me një rrëfim plot të papritura dhe momente interesante, Jet tregon sesi një telefonatë e Young Zerka-s u kthye në një bashkëpunim me Fifin dhe më pas në një performancë të paharrueshme.
“Isha i papërgatitur, por gjithçka ndodhi natyrshëm,” tregon Jet duke qeshur. “Më vjen një telefonatë nga Young Zerka, i cili më thotë: ‘Të pres këtu,’ pa dhënë shumë detaje. Shkoj dhe përfundojmë në studio. I them: ‘Çfarë do të bëhet? Kemi ndonjë bashkëpunim?’ Ai më thotë: ‘Jo, tani do flasim për këtë pjesë, për çfarë erdhëm këtu.’ Dhe papritur… shfaqet Fifi!”
Në atë moment, situata mori një kthesë emocionuese. “Fifi më përshëndet: ‘Nanush, qysh je?’ Unë, i habitur, i them: ‘Ooh, mirë! Çfarë bëre?’ Ajo pastaj më tregon: ‘Kemi menduar të të çojmë në Kënga Magjike këtë vit. Vetëm më thuaj një histori tënden që unë të mund të përshtatem me tekstin.’”
Jet ndau me Fifin një rrëfim personal të fortë dhe emocional, i cili u bë baza e këngës së tij në festival. “I tregova çfarë kisha kaluar dhe ajo krijoi tekstin duke dhënë versionin e saj, por bazuar në historinë time,” tregon këngëtari.
Me këtë këngë të personalizuar dhe plot ndjeshmëri, Jet shfaqet si një prej emrave më të rinj dhe premtues në skenën muzikore shqiptare. Ndërthurja e historisë së tij personale dhe kreativitetit të Fifit ka krijuar një projekt që tashmë po bën jehonë në botën e muzikës. Ky rrëfim jo vetëm që tregon një fillim të veçantë për Jet-in në Kënga Magjike, por gjithashtu hedh dritë mbi mënyrën unike se si muzika mund të jetë një reflektim i jetës reale.
Për më shumë detaje mbi historinë e tij dhe këngën, ndiqni episodin e fundit të RevoCast aty ku të papriturat janë gjithmonë pjesë e rrëfimit!