Prezantohet projekti fotografik për sfidat e shëndetit mendor. “Të kam në mendje” nga Malda Susuri në Javën Kulturore Kombëtare

Prezantohet projekti fotografik për sfidat e shëndetit mendor. “Të kam në mendje” nga Malda Susuri në Javën Kulturore Kombëtare

Nga Blerina Goce 

Janë 250 personazhe të njohur të cilët janë bërë pjesë e projektit “Të kam në mendje” nga Malda Susuri dhe që “rrëfejnë” emocionet e tyre në fotografi. Kjo është faza e dytë e projektit të këngëtares Susuri, që synon të tregojë për sfidat e shëndetit mendor dhe që është prezantuar te Piramida në Tiranë.

“Këto imazhe nuk janë thjesht set fotografish, por kujtime ose emocione që secili prej nesh i ka kaluar në jetë. Këto imazhe, përveç emocioneve tregojnë që në kohë të vështira nuk jemi vetëm.”, – shprehet Susuri.

Ajo rrëfen se fotografitë janë realizuar nga fotografë të ndryshëm në Shqipëri e Kosovë, ndërsa ajo e ka filluar projektin “Të kam në mendje” në një moment të vështirë personal për të, kur sapo kishte humbur një njeri të afërm. Kështu, në fazën e parë,  ajo realizoi dhe publikoi katër këngë, të krijuara me dashuri dhe përkushtim për të ofruar ngushëllim dhe shpresë përmes muzikës.

“Kontaktova fillimisht me kompozitorin tim Armend Rexhepagiq dhe i tregova krejt ngjarjen dhe i thashë dua të kem dhe një këngë që të titullohet “Të kam në mendje”. Besoj që personat që kemi humbur na shohin edhe kur qajmë. Mësova se trauma e humbjes është e vetmja mbase që nuk mundem të punoj, se është shumë e vështirë të prajtohesh me humbjen. Personat që i humbim, nuk e pranojmë që nuk janë më me ne.  Shpesh i këndoj dhe shpesh e pyes a është krenare me mua, ndërsa shpesh ndihem me fat dhe kjo më lumturon: që kam kujtime dhe kam këngë për ta kujtuar. Ndihem me fat që ndiej dhe di të dua.”, – vijon artistja.

Për këtë arsye, ky projekt kërkon të sjellë në vëmendje sfidat e shëndetit mendor me të cilat përballen të rriturit në Shqipëri por edhe në Kosovës si pasojë e pikëllimit dhe humbjes.

“Vij këtu pas një rrugëtimi dy-vjeçar të një situate mediatike të vështirë, që la pasoja në shëndetin tim mendor. Në këto dy vite gjëja që kam bërë është të mos jem e heshtur dhe të jem e zëshme dhe të shkoj te profesionistët e fushës. më Shëndeti mendor është i rëndësishëm, janë problemet jo të dukshme dhe që nuk trajtohen, por tema e shëndetit mendor duhet të bëhet pjesë e debatit publik.”, – thotë aktivistja Zhaklin Lekatari.

Sipas Lekatarit, njerëzit duhet të vetëdijësohen dhe kjo është ajo që mungon  në Shqipëri.

“Si një popull i vogël me trashëgimi shumë të lashtë dhe me një përgjegjësi shumë të madhe dhe trauma të trashëguara, totalisht të patrajtuara.  Mendoj se ndihma nga komuniteti dhe qasja me kujdesje e dashamirësi ndaj të tjerëve është gjëja më e rëndësishme dhe vlera që të gjithë duhet të mbrojmë.”, – vijon ajo.

Projekti synon rritjen e ndërgjegjësimit, reduktimin e stigmës dhe krijimin e një komuniteti mbështetës që ndihmon dhe fuqizon individët të përballen më mirë me problemet e shëndetit mendor. Ai synon të kontribuojë drejt përmirësimit të shëndetit dhe mirëqenies mendore dhe emocionale në vend dhe është bërë publik në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare.