Pas atij të Berlinit, pa frikë ky mund të quhet i dyti “Wall of Shame” ose “Muri i turpit” nga njerëzit.
Një sërë ofendimesh, fyerjesh, mallkimesh, presionesh dhe gjithçka tjetër që mund të cënojë dinjitetin, qetësinë dhe harmoninë njerëzore, ishin të “ndera” në muret e Galerisë së Artit Tiranë.
Shëmbëlltyra e individëve të frustruar apo të paemancipuar të cilët dhunën verbale dhe urrejtjen e kanë gjuhë të tyren, janë ajo çfarë shfaqet në këtë galeri.
Një pafundësi mesazhesh të cilat i drejtohen figurave publike ku përgjithësisht janë aktivistë të të Drejtave të Njeriut si Zhaklin Lekatari, gazetarit Ronaldo Sharka, apo personave të komunitetit LGBT dhe aktivistëve të tyre si Xheni Karaj.
“Adresimi i dhunës në institucionet përkatëse, përballja me traumat tona si komb dhe të parit të vetes ashtu siç jemi, janë mënyrat e vetme për të zgjidhur këtë problematikë!”, u shpreh aktivistja Zhaklin Lekatari.
Arti do të shërojë botën dhe Zhaklin Lekatari hapi një kapitull të ri sesi dhuna verbale ekstremiste, mund të kthehet në art për të shëruar shoqërinë nga plagët e krijuara nga vetë ajo!