“Nëntori i yjeve të artë”, homazh muzikor për LANÇ në TKOB. Në skenë muzika e filmave të njohur shqiptarë me temë luftën

“Nëntori i yjeve të artë”, homazh muzikor për LANÇ në TKOB. Në skenë muzika e filmave të njohur shqiptarë me temë luftën

Nga Blerina Goce 

Janë melodi të njohura dhe tepër të dashura për publikun, një pjesë e të cilave muzikë e filmave ikonikë shqiptarë me tematikë luftën Nacional-Çlirimtare. Kolonat zanore dhe këngët e filmave “Liri a vdekje”, “Në fillim të verës”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Vajzat me kordele të kuqe” apo “Dimri i fundit”, interpretohen sonte në Teatrin e Operës dhe baletit në koncertin “Nëntori i Yjeve të Artë”.

“Do të interpretohen nën vokalet e solistëve tanë, si Eva Golemi, Armando Likaj, Artur Vera. Kemi dhe diçka tjetër shumë speciale do të thosha: korin e zërave të bardhë. Fëmijët ilustrojnë kolonat zanore të filmave, siç është ‘Tomka dhe shokët e tij’, që gjithmonë e identifikojmë me imazhet e bukura të qytetit të Beratit, ‘Mëngjese lufte’.”, – shprehet dirigjenti Dritan Lumshi.

Përveç muzikës së filmave, publiku do të ketë mundësinë të shijojë edhe disa pjesë të tjera muzikore, si: “Fjalët e qiririt” nga Limos Dizdari, një fragment nga opera “Një jetë me stuhi” të Dhora Lekës, këngë partizane të Çesk Zadesë, muzikë nga Robert Radoja, Nikolla Zoraqi, Avni Mula e Feim Ibrahimi.

“E kemi përzgjedhur me kujdes, që programi të jetë sa më i dashur për publikun dhe në materiale, të cilat, ndoshta mund t’i këndojmë bashkë.”, – vijon Lumshi.

Pjesët do të vijnë të interpretuara nga solistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, së bashku me Korin e Zërave të Bardhë, me shoqërimin e Orkestrës së Forcave të Armatosura, ndërsa në piano do të interpretojë Igli Rapaj.