Bota e një brezi të rritur dhe edukuar nga prindër që kanë jetuar “mes dy botëve” vjen si një rrëfim i shkrirë, një portret i përjetësuar që bashkon mentalitete, pasione dhe ëndrra nën një emër: Martin Cani. Kjo histori tragjike është një thirrje për reflektim dhe një thërrmijë shprese për një të ardhme më të bukur dhe një “botë” më të drejtë.
Piktori dhe pedagogu Helidon Haliti ka ndërmarrë një iniciativë për të nderuar 14-vjeçarin Martin Cani, i cili humbi jetën tragjikisht pas një dite mësimi. Haliti ftoi studentët e Akademisë së Arteve për t’u realizuar atyre nga një portret, por të gjithë ata vendosën të vetë-identifikoheshin si Martin Cani.
Në fund, portreti që realizoi Haliti ishte ai i Martin Canit, djaloshit 14-vjeçar që jeta iu ndërpre padrejtësisht. Studentët shprehën mendimet e tyre për këtë nismë.
Enea Trimi tha: “Sot quhem Martin Cani. Mendoj se jetojmë në një shoqëri me shumë komplekse dhe kjo është një nga arsyet pse ndonjëherë disa elemente agresive shfaqen.”
Teljan Baci shprehu revoltën e tij: “Kur mora lajmin, hodha lapsat në tokë. Ne si artistë e shprehim revoltën përmes artit.”
Henri Alla e përjetoi ndarjen me një ngarkesë emocionale: “Unë sot ndihem si një djalosh 14-vjeçar, si Martin Cani”.
Egzon Tahiraj theksoi se: “Kjo është një ngjarje që na ndihmon të shohim më thellë tek vetja jonë.”
Ky moment tragjik, i përcjellë me art dhe pasion, na sjell një mundësi për të reflektuar mbi shoqërinë tonë dhe për të kërkuar një botë më të drejtë për brezin që vjen.