URACult: 10 vite krijimtari dhe promovim i kulturës shqiptare në diasporë

URACult: 10 vite krijimtari dhe promovim i kulturës shqiptare në diasporë

Në fundjavën që lamë pas, në qytetin e Kölnit në Gjermani, shoqata kulturore URACult festoi 10-vjetorin e themelimit. Një rrugëtim i pasur dhjetëvjeçar me aktivitete të shumta kulturore me artiste dhe artistë nga vende të ndryshme por shumica nga ta, nga Kosova e Shqipëria. Ata nuk munguan as në këtë fundjavë festive. Fotografët Dash Izairi e Andrea Shkreli prezentuan punimet e tyre në galerinë e Altes Pfandhaus. Me Stand Up Comedy u parqaitën Avni Shkodra, Valina Muçolli e Kushtrim Qerimi e me program muzikor Visar Kasa, Albana Bilalli e Faton Lahaj.


Në praninë e mysafirëve nga Perfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe Shqipërisë por edhe nga Qeveria gjermane, u mbajt edhe një panel diskutimi mbi rolin e shoqatave kulturore si URACult në promovimin e kulturës shqiptare, në lidhjen ndërmjet dy popujve por edhe në integrimin e komunitetit shqiptar në Gjermani.

Vlerësime të larta morrën themeluesit dhe ekipi i shoqatës ndër më kreativet në gjithë mërgatën shqiptare. Koncerte nga më të ndryshmet, mbrëmje letrare, shfaqje teatrale, ekspozita etj, ofruan aktivistët nga qyteti buzë lumit Rin qe dhjetë vite në skenën e tyre. Gjithnjë, me një publik të përzier çka ishte edhe qëllimi i tyre qysh nga dita e parë, të prezentojnë kulturën tonë në Gjermani, shqiptarëve, gjermanëve dhe thjeshtë, të gjithë atyre që janë të interesuar. Publiku, edhe në këtë fundjavë, kishte ardhur nga qytetet të ndryshme gjermane te shoqata që ndërkohë është edhe si vendtakim edhe i komunitetit kulturor shqiptar në Gjermani.

Në ditën e tretë të festës, salla e Altes Pfandhaus ishte e mbushur plot me fëmijë e të rinjë të cilët ushtronin hapat e parë të vallës shqipe por edhe me kurreshtje përcillnin një punëtori arti të organizuar për moshat e reja. Me një program të veçantë muzikor përfundoi organizimi traditor. Yll Hashani me violinë, Memela Alija në piano, Bujana Ameti në harpë e Klaudio Zoto në çelo, shkëlqyen dhe u kujdësn për një përfundim madhështor.

Me optimizëm shikojnë në të ardhmen udhëheqësit e URACult të cilët duket se kanë themeluar diçka të qëndrueshme. Interesimi i madh për aktivitetet e tyre i gëzon ata dhe i motivon që edhe në dekadën e dyte të jenë adresë e rëndësishme kulture në Diasporë.