Nga Markelian Hysa
Dëgjoj shpesh prindër apo persona të tjerë, që u mësojnë fëmijëve-foshnja fjalë banale, të papërshtatshme, sharje dhe ofendime vetëm për t’i dëgjuar kur i përsërisin me atë zërin e tyre të ëmbël dhe me të folurën e tyre prej foshnjash, kur ende nuk dallohet se çfarë thonë tamam. Me e keqja, të rriturit gëzohen shumë, qeshin e duartrokasin dhe ndihen krenarë që fëmija arrin të imitojë atë tingull zanor, për të cilin nuk ka asnjë ide se çfarë kuptimi ka.
Mirëpo foshnjat bëhën fëmijë dhe fëmijët adoleshentë, e rriten duke menduar se nëse thonë ato fjalë do të marrin vëmendje, duartrokitje, përqafime e lëvdata dhe vazhdojnë të mos i ndajnë nga fjalori deri në atë pikë saqë nuk arrijnë të bëjnë një bisedë që nuk i përmban këto fjalë të mësuara që në djep.
Më pëlqen që ta krahasoj Shqipërinë me këta fëmijët e brishtë, që përthithin gjithçka që dëgjojnë e shohin, pa e ditur kuptimin dhe peshën e përmbajtjes që thonë. Por nëse Shqipëria është ky fëmija i brishtë, cilët janë këta persona të rritur, që e mësojnë në mënyrë të papërshatshme?!
Media është një prej tyre. Përfshirë atë tradicionale, si edhe portalet e rrjetet sociale. Ne jemi rritur me idenë se media është pushteti i katërt. Thelbësor për lirinë e fjalës. Por ku është kufiri i të shprehurit pa kufi?! Si na ndikon neve media?! Si na portretizon ne djemve dhe burrave?!
Modeli mbizotërues është se ne burrat dhe djemtë jemi njerëz të dhunshëm, stoikë, të paaftë të shprehim ndjenjat dhe të pamëshirshëm. Kur e ndesh këtë narrativë në përmbajtjet mediatike, qesh me vete, sepse media vazhdon i paraqet burrat si njerëz të lashtë, të egër, e të pashpirt. Herë të tjera revoltohem për etiketën që na vënë dhe për ndikimin që ajo ka tek ata djem të rinj, të cilët po kalojnë një kohë të vështirë apo që nuk kanë një model dhe janë të paqartë se çfarë duhet të bëjnë që tashmë të quhen burra e jo djem.
Revoltohem, sepse në kohën që jetojmë të rinjtë nuk po lexojnë më dhe “të menduarit kritik” nuk e njohin as si koncept, e jo më ta zhvillojnë me aktivitete apo lexime. Të rinjtë sot ndeshin në mediat online dhe tradicionale këtë portretizim për burrat, dëgjojnë muzikën moderne që flet vetëm për drogë, seks dhe dhunë dhe dashur pa dashur përqafojnë këtë model të të qënit burrë. Nuk është për t’u habitur që e bëjnë, sepse askush nuk po i thotë që kjo mënyrë jetese është toksike. Më e keqja është se dalin dhe e përhapin nëpër rrjete sociale duke ndikuar dhe bashkëmoshatarët e tyre, e kështu bëhet normë që burrë është ai që tregon forcën me dhunë, me sherre, me paudhësi, me sharje dhe ofendime. Si pasojë, rritet një gjeneratë djemsh të rinj që nuk e dinë çfarë do të thotë të jesh burrë, që pikësëpari, do të thotë të jesh njeri.
Pjesa njerëzore e imja, ndjehet mirë kur ndihmon të tjerët. Prandaj, gjithnjë u tregoj historinë time tejet personale, që përmban metamorfozën time nga ky djali që kam përshkruar më sipër në burrin që jam sot. Një proces që ka ndodhur ndër vite, përmes shumë peripecive dhe pasigurive, por që më ka ndihmuar të krijoj identitetin tim si burrë, si qënie njerëzore, si versioni më i mirë i vetes sime. Po e ndaj edhe me lexuesin online, ngase jam i bindur që si unë ka shumë të tjerë dhe ashtu si unë, të gjithë duan të jenë më e mira që mund të jenë, në përputhje me atë që natyra dhe biologjia u ka caktuar.
Kjo është historia ime. Historia e një fëmije “mistrec” dhe shumë energjik. Pavarësisht telasheve të vogla, të cilave për çudi, gjithmonë, u kam shpëtuar pa u dënuar, kam qenë një djalë i qeshur, që i dëgjoja dhe respektoja më të rriturit. Duke njohur natyrën time, një profesor më orientoi drejt leximit të librave jashtëshkollorë. Librat ishin si një mjet për të arritur çfarë doja në jetë dhe pas pak kohësh fillova të shkruaj vjersha. Pasi vura re që mësuesit dhe bashkëmoshatarët i pëlqenin ato, fillova t’ia dërgoja vajzës që pëlqeja që prej klasës së parë. Vjersh mbas vjershe më në fund ajo pranoi që të ishim bashkë dhe unë isha asokohe fëmija mistrec i lumtur.
Por lumturia nuk zgjati për shumë kohë, sepse mbas disa muajsh kur kthehem në shtëpi nga shkolla, i gjej të afërmit duke qarë, nuk e dija se çfarë po ndodhte për momentin, por më vonë më thanë që kisha humbur vëllain e madh. Për ditë me radhë në mendje kisha të ngulitura vetëm tre gjëra: kujtimet me vëllain, mamanë duke qarë dhe fjalët e dikujt që tha “të mbetën ty të gjitha hallet”.
Mbas disa ditësh, u riktheva në shkollë, por jo i njëjti, sepse kisha një etje për dhunë dhe fillova të rebelohem kundër mësuesve dhe kundër shokëve. Një fjalë e vogël mjaftontë që çdo situatë të kthehej në konfrontim fizik. Nuk zgjati shumë as lidhja me vajzën që kisha vite që e pëlqeja, sepse më tha që më kishte frikë. Sigurisht që kjo i bëri gjërat akoma dhe më keq dhe e vetmja mënyrë ta përshkruaj është që në momente provokimi sytë më errësoheshin. Në një nga këto momente zemrërimi godita një vajzë, të cilës iu nxih syri dhe kur e kuptova çfarë kisha bërë mendova që çfarëdo ndëshkimi që të më jepnin, do të ishte i merituar. Për habinë time, vajza gënjeu duke thënë që ishte vrarë tek tavolina kur ishte rrëzuar edhe unë nuk u ndëshkova, por u ndjeva aq keq saqë i thash vetes “kurrë më”. Prej atij momenti, sa herë që e ndjeja se mund të niste një konflikt, fillova të largohem dhe gradualisht fillova të kontrolloj veten, të lexoj e të shkruaj.
Në një nga librat më mbeti në mendje një shprehje e Konfucit, që thoshte se “njohja e vetes është fillimi i gjithë diturisë” dhe kjo shprehje më goditi në ato momente, sepse unë nuk po e njihja më veten. Fillova ta reflektoj se çfarë më bëri të ndryshoja, derisa e gjeta burimin dhe ishte trauma nga humbja e vëllait dhe e lidhjes së parë. Nuk e dija limitin e vetëkontrollit që kisha zhvilluar deri në momentin kur në klasë të nëntë, viti i fundit, vjaza më shprehu ndjenjat e saj dhe donte të riktheheshim bashkë. Një zot e di se sa doja të thoja po, por nuk ndihesha i përgatitur dhe nuk e dija nëse isha shëruar plotësisht nga ato që kisha përjetuar ato vite. I thashë që tashmë ishte e pamundur, pasi duhet të formoja veten para se t’i përkushtohesha dikujt.
Me filozofinë që duhet të zhvilloja veten para se të gjeja dikë, fillova gjimnazin. Do doja që të thoja se që nga momenti që fillova gjimnazin pjesa tjetër ishte fjollë, por sërish bëra gabime të shumta, disa të mëdha e disa të vogla, por ama dija t’i dalloja e t’i korrigjoja. Mendoj se njeriu që jeton jetën plotësisht, bën gabime gjithnjë, por e rëndësishme është të përgatitet për të kontrolluar veten. Tek unë gjenden edhe gabimet, edhe përgatitja, sepse kam gabuar, e kam pësuar dhe kam mësuar. Jam shëruar nga traumat e fëmijërisë dhe kurdoherë që jeta sjell sfida, jam i gatshëm t’i kaloj. Tashmë jam dhe ndihem i përgatitur të kujdesem për veten e për familjen. Sfidat janë ato që na bëjnë të fortë dhe mësimet që marrim nga sfidat na rrisin nga djem në burra. Ashtu si Alfa në tufën e ujqërve edhe ne duhet të udhëheqim rrugën për të mbrojtur dhe u kujdesur për të dashuri tanë.
Arsyeja që e ndava me ju këtë histori është për të treguar atë që kuptova edhe unë vite më parë, se cilat janë cilësitë që na shndërrojnë nga djem në burra. Së pari, njih veten dhe dobësitë e tua. Së dyti, zhvillo aftësitë e vetëkontrollit dhe kur e sheh që e humbet atë, kërko ndihmë. Së treti, kujdesu dhe mbroje familjen dhe të dashurit e tu. Nëse vetë je në pozita të mira, ndihmo edhe të tjerët përtej familjes. Më kryesorja, mos lejo presionin që ke përbrenda të shndërrohet në dhunë apo në toksicitet, pasi dhuna dhe toksiciteti në familje, marrëdhënie apo shoqëri është mënyra e sigurt për t’i larguar ata që do.
Burrë nuk je kur nënshtron, dhunon apo përbuz të tjerët, por kur je si Alfa në tufën e ujqërve që udhëheq rrugën përmes shembullit të mirë, përkujdesjes dhe dashurisë. Askush nuk është gati të përballet me sfidat që i dalin rrugës, por secili prej nesh e përgatit veten për t’ja dalë mbanë dhe kur e shohim që nuk mundemi, kërkojmë ndihmë.