Në 19-22 dhjetor vjen Festivali i Këngës, vetëm një fitues. Për herë të parë një sistem votimi ku përfshihet diaspora

Në 19-22 dhjetor vjen Festivali i Këngës, vetëm një fitues. Për herë të parë një sistem votimi ku përfshihet diaspora

Nga Blerina Goce 

30 krijime artistike do të prezantohen gjatë edicionit të 63-të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, i cili këtë vit do të mbahet nga 19-22 dhjetor në Pallatin e Kongreseve.

Drejtoresha artistike e Festivalit është Elhaida Dani, ndërsa moderimi i është besuar Enkel Demit dhe Ornela Bregut dhe bashkë-modereatorë në zonën e këngëtarëve do të jenë Dalina Buzi me ekipin e saj të “Andale”.

“Nuk do të jetë vetëm gara si element i bukur, por ne kemi dhe shumë të ftuar në festival duke nisur nga të ftuar modern dhe ata që kanë dhënë shumë për vendin tonë. Gjëja kryesore që ne duam të bëjmë në këtë festival është të ndërthurim dy elementë, që është modernia me rrënjën, e cila është dhe tema e këtij festivali. Rrënjët që na kthejnë në atë që na ka bërë kush jemi sot, rrënjët që na rrisin dhe na kthejnë në degët dhe lulet që të lulëzojmë dhe të krijojmë artin e të ardhmes. Kam shumë emocione dhe jam shumë e lumtur dhe shpresoj shumë që do të shkojë çdo gjë mirë.”, – shprehet Elhaida Dani.

“E pranova me shumë kënaqësi ftesën për t’u rikthyer në ekran, por aq më tepër për t’u rikthyer në Radiotelevizionin Shqiptar, aty ku kam fillesat e mia 27 vjet përpara.”, – thotë Ornela Bregu në rolin e prezantueses.

Ndërsa Enkel Demi vëren se ftesa për ta prezantuar edhe këtë vit festivalin për të ishte e papritur.

“Unë e kisha mbyllur me festivalin. Mendoja që s’do ta bëja më. E kam bërë dy edicione rresht. Besoj se kjo ishte e mjaftueshme. Por, kur më thirrën, jo se rezistova, por ngela pak i çuditur se më kanë rënë edhe flokët, jo për gjë.”, – thotë Demi.

Ky vit do të sjellë edhe një ndryshim të madh, pasi do të ketë një fitues të vetëm, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion. Ky ndryshim, sipas organizatorëve ka si qëllim thjeshtimin e procesit.

Spektakli do të vijë nën regjinë e Redi Trenit, ndërsa pjesë e grupit të punës janë edhe emra të tillë, si: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari apo Elton Deda.

“Për herë të parë në festival po sjellim një skenografi që është kinetike. Çfarë domethënë kinetike? Është një skenografi që lëviz.”, – thotë regjisori Treni.

Për herë të parë, ky festival do të prezantojë një sistem votimi të zgjeruar, ku do të përfshihet edhe diaspora, e cila do të ketë mundësinë të votojë për këngën fituese, ndërkohë që po për herë të parë do të jepet një çmim edhe për tekstin më të mirë.