Nga Eliza Gjediku
Me synim reduktimin e ndotjes, menaxhimin e integruar të tyre, rritjen e depozitimeve në landfille dhe uljen e mbetjeve në zona të hapura, nga buxheti i shtetit do të harxhohen afro 8 milionë euro në 2025.
Ky grant do t’u shpërndahet 36 bashkive në të gjithë vendin, menjëherë pas nisjes së zbatimit të buxhetit për vitin 2025. Pjesën më të madhe të fondeve do ta marrë Bashkia Durrës, e cila ka shfaqur vit pas viti probleme në menaxhimin e mbetjeve, e sidomos pas tërmetit të 2019.
Janë 2.5 milionë euro që do të shpenzohen nga Bashkia Durrës për menaxhimin e mbetjeve për vitin e ardhshëm, ku do të vijohet me të njëjtën skemë, plehrat e kësaj bashkie do të depozitohen në zonën e menaxhimit të mbetjeve Tiranë.
Mbi 2 milionë euro (202 mln lekë) do të jenë në dispozicion të 5 bashkive të tjera Kamëz, Kavajë, Krujë, Vorë dhe Shijak për të sjellë mbetjet e gjeneruara prej tyre pranë inceneratorit të Tiranës.
Blloku i dytë i bashkive që do të marrin më shumë financim nga buxheti i shtetit për vitin që vjen do të jetë në jug, për Sarandën, Gjirokastrën, Himarën e Këlcyrën të cilat do shpenzojnë afro 1 milion euro për transportin e mbetjeve të tyre në zonën e menaxhimit të mbetjeve Gjirokastër.
Fonde janë parashikuar edhe për bashkitë Fier, Lushnje, Elbasan, Divjakë, Dropull, Memaliaj, Rrogozhinë, Shkodër etj., shpenzime që mbulojnë vetëm transportin e mbetjeve. Ndërkohë nuk ka asnjë fond të vënë në dispozicion për Bashkitë Vlorë, Tiranë, Korçë, Berat, Delvinë, Kuçovë apo Dibër.
Referuar të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2023 u menaxhuan rreth 844 mijë tonë mbetje urbane, nga 820 mijë tonë të menaxhuara në vitin 2022./ReportTv
FONDE PËR TRANSPORTIN E MBETJEVE:
Durrës 2.5 mln euro
Kavajë 604 mijë euro
Kamëz 505 mijë euro
Krujë 429 mijë euro
Vorë 255 mijë euro
Shijak 224 mijë euro
FONDE PËR TRANSPORTIN E MBETJEVE:
Sarandë 452 mijë euro
Gjirokastër 271 mijë euro
Himarë 265 mijë euro
Këlcyrë 180 mijë euro