Aldo Mustafa: Parashqevi Simaku dhe ne mes “Filantropëve seksual” dhe individëve me “fasada heteronormative”

Aldo Mustafa: Parashqevi Simaku dhe ne mes “Filantropëve seksual” dhe individëve me “fasada heteronormative”

Një diskurs i ri “predatorësh seksual” nuk është dhe nuk ka qenë një sekret prej vitesh në vendin tonë, por po u vjen momenti që figurave të tilla, shkaktare dhe dëmtuese të formësimit të shoqërisë,  t’u bien maskat. Të kesh një pamje tërheqëse dhe të jesh pjesë e kamerave, të bën menjëherë objekt fantazish seksuale të atyre që mund të të ofrojnë atë që meriton. 

As më pak e as më shumë, kjo u nënkuptua mes tekstesh dhe nëntekstesh, si arsye e shkatërrimit të karrierës artistike të Parashqevi Simakut, pa përjashtuar “krimin e organizuar” artistik, komplotet e të cilëve janë kontrata më jo-artistike dhe jo-njerëzore që ekziston, ku gara e talentit nuk është e ashpër prej faktit se ka shumë artist të talentuar, por është agresive, sepse shumë jo të talentuar, kanë marrë peng tregun dhe një artist i vërtetë, përbën kërcënim!

“Filantropët seksual” me të cilët mund të ketë pasur të bëjë Parashqevi Simaku, apo individët që ende sot e kësaj dite, zaptojnë “tregjet” pas “fasadave heteronormative”, thënë ndryshe meshkuj homoseksual, të martuar, me gra që bëjnë fëmijë si mbulim, për t’iu ofruar shoqërisë si figura që familjen e kanë shenjt, janë pikërisht individët të cilëve në këtë diskurs të ri që po hap Elton Ilirjani dhe historia e Parashqevi Simakut, po sjellin “zbardhjen”,  zbulimin dhe në fund rrënimin e këtyre dashnorëve altruist.

Dikush është më i dobët dhe dikush tjetër më i fortë për të përballuar “botën e padukshme” të asaj për të cilën nuk flitet, por në Top Story-n e Grida Dumës dhe Elton Ilirjanit, u nis jo vetëm diskursi i ri, por tashmë duket se do të kthehet në nevojë për një nismë të re si “ME TOO”.

Kutia e Pandorës po hapet dhe këmbanat bien për ata që kanë vesh të dëgjojnë dhe sy të shohin. 

Parashqevi Simaku nuk na ka dhënë vetëm një mësim, kthimi i saj në këtë periudhe prag “Krishtlindje”, është si një ardhje hyjnore të cilës i druhem se do të ketë dhe kryqëzimin nga histerisa kolektive në një moment, por që ringjallja do të jetë aty. 

Ajo nuk erdhi vetëm si një thesar i humbur, por erdhi për një mision që ndoshta as ajo vetë nuk e din që është duke kryer. Metamorfoza e rikthimit në identitet të Parashqevi Simakut, do të kaloj nëpërmjet metamorfozës tonë si popull drejt një mentaliteti të ri.