Nicki Minaj është paditur për sulm të agravuar fizik dhe “shkaktim të qëllimshëm të shqetësimit emocional” nga ish-menaxheri i saj i turneut.
Sipas dokumenteve gjyqësore të marra nga TMZ dhe Variety, një burrë i quajtur Brandon Garrett ngriti një padi kundër 42-vjeçares së nominuar për Grammy në Gjykatën e Lartë të Los Angelos-it të premten, më 3 janar.
Garrett pretendon se ndërsa punonte si menaxheri i saj gjatë turneut “Pink Friday 2”, ai pati një përplasje me reperen që përfundoi me qortime të ashpra të saj dhe goditje ndaj tij. Sipas People, incidenti thuhet se ndodhi në prapaskenë në Little Caesars Arena në Detroit më 21 prill 2024, pasi koncerti i Minaj kishte përfunduar.
Garrett thotë se tetë persona nga stafi i Minaj-t ishin të pranishëm në dhomën e zhveshjes, duke përfshirë një punonjës tjetër të quajtur Luke Montgomery. Ai pretendon se Minaj filloi të ankohej për disa nga anëtarët e stafit, kur ajo e ktheu vëmendjen te Montgomery, duke e pyetur se cili ishte pozicioni i tij, sipas dokumenteve të gjykatës.
“Z. Montgomery shpjegoi se detyrat e tij përfshinin detyra si rregullimi i dhomës së zhveshjes, rregullimi i dhomës së hotelit, sigurimi i pijeve freskuese në dhomën e ndërrimit të shpejtë dhe konfigurimi i autobusit turistik dhe avionit privat,” thuhej në padi.
“Z. Montgomery përmendi se këto detyra ishin si shtesë e çdo kërkese nga Minaj të komunikuar nga Garrett, duke përfshirë porositë për ushqim, pije, sende personale, sende për fëmijë dhe, më së shumti, receta mjekësore”, shtoi ai.
Garrett pretendon se ai i tha Minajt se i kërkoi Montgomerit të merrte recetat sepse ishte i zënë me përgjegjësitë e turneut dhe kjo duket se e ka mërzitur tepër artisten.
“A je i çmendur që i the atij të merrte recetën time? Nëse burri im [Kenneth Petty] do të ishte këtu, ai do të t’i thyente dhëmbët. Ti je një njeri i vdekur. Do ecësh gjatë gjithë jetës tënde dhe nuk do të jesh kurrë askush, unë do të sigurohem për këtë”, citohet të ketë thënë Nicki, teksa raportohet se edhe e ka gjuajtur me shuplakë.
Avokati i Minaj, Judd Burstein tha për TMZ në një deklaratë se ajo nuk e kishte marrë ende ankesën, por mohoi akuzat e raportuara nga media.
“Për momentin nuk i është dorëzuar asnjë ankesë [Minaj-t] dhe nuk jemi në dijeni për akuzat konkrete. Megjithatë, nëse padia është siç raportohet nga TMZ, ajo është krejtësisht e rreme dhe joserioze. Ne kemi besim se çështja e ngritur nga ky ish-asistent do të zgjidhet me shpejtësi në favorin tonë”, thuhet në deklaratë.