Këshilli i Ministrave miraton planin e sigurisë për kultivimin e kanabisit mjekësor

Këshilli i Ministrave miraton planin e sigurisë për kultivimin e kanabisit mjekësor

Këshilli i Ministrave miratoi standardet e planit të sigurisë e të elementeve të mbrojtjes për sipërfaqen për kultivim dhe përpunim të bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe rregullave të lëvizjes së automjeteve të dedikuara të transportit të lëndëve të para dhe produkteve, që duhet të plotësojnë subjektet e licencuara.

Me propozimin të ministrit të Brendshëm, të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ky vendim ka për qëllim miratimin e rregullave për personat juridikë që paraqesin kërkesë për licencë për prodhimin e cannabis-it mjekësor.

Sipas vendimit të bërë publik, subjekti i licencuar për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore në ambientet ku ushtrohet aktiviteti duhet të plotësojë disa standarde, duke nisur nga ambientet që duhet të jenë të monitoruara në vazhdimësi me sistem të kamerave CCTV.

Imazhet filmike të sistemit të kamerave duhet të ruhen të paktën për 90 ditë në NRV/Server dhe të paktën për një periudhë 1-vjeçare në memorie “Cloud” me vendndodhje në një nga vendet e BE-së”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit, sistemi i kamerave CCTV monitoron sipërfaqen, brenda dhe jashtë ambienteve të njësisë së prodhimit, duke u orientuar në mënyrë që të sigurohet identifikim i qartë dhe i sigurt i ambienteve dhe i të gjithë individëve që aksesojnë apo lëvizin brenda tyre apo në ambientet e jashtme pranë rrethimit.

Gjithashtu, në vendim thuhet se në varësi të vlerësimit të rrezikut dhe në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, duhet që lidhja e sinjalit të alarmit, në nivel qendror ose vendor, të jetë e lidhur edhe me sallat e komandimit apo informacionit të Policisë së Shtetit.

Në vendim thuhet më tej se sipërfaqja ku kultivohet kanabisi për qëllime mjekësore duhet të ruhet 24 orë pa ndërprerje.

Sipërfaqja ku ushtrohet aktiviteti ruhet 24 orë pa ndërprerje nga subjekti i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike që përfshin dhe shërbim reagimi me grup verifikimi sinjalesh; Për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të hapura ose të mbrojtura rrethohet nga jashtë me mur betoni të qëndrueshëm me trashësi të paktën 25 (njëzet e pesë) cm dhe lartësi 4 m nga toka, mbi të cilin vendoset tel me gjemba; Për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura, muri i jashtëm i godinës duhet të jetë mur betoni i qëndrueshëm me trashësi të paktën 25 cm;”, shkruhet në vendim.

Gjithashtu është parashikuar që hyrja në ambientet e njësisë të jetë e kufizuar dhe mundësohet përmes një porte hekuri që garanton aksesin vetëm për personat dhe mjetet e autorizuara si dhe monitorohet nga kamerat.

Porta e hyrjes kontrollohet nga personel i autorizuar për sigurinë, i cili mban evidencë për çdo hyrje-dalje të personave, automjeteve dhe mallrave”, thuhet në vendim.

Po ashtu janë përcaktuar edhe rregullat që duhet të ndiqen nga subjekti i licencuar për lidhjen e marrëveshjes për ruajtjen dhe sigurinë fizike, si dhe lëvizjen e automjeteve të dedikuara të tregtimit të lëndëve të para dhe produkteve.

Transporti i bimës, nënprodukteve dhe produkteve të saj duhet të kryhet me mjete të mbyllura që sigurojnë që ato të mos jenë të dukshme ose të identifikueshme nga jashtë automjetit dhe duhet të shoqërohen me procesverbalin përkatës për sasinë dhe llojin e produktit që transportohet”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Më tej thuhet se, “transporti i bimës, nënprodukteve dhe produkteve të saj të destinuara për përdorim mjekësor, të prodhuara nga bima e kanabis-it nga prodhuesi i licencuar, duhet të bëhet me mjete transporti të tilla që të sigurojnë ruajtjen e barit në temperatura as më të larta e as më të ulëta sesa ajo që thuhet në etiketim ose fletudhëzuesin e barit”, thuhet në vendim.

Sakaq, vendimi subjekti i licencuar duhet të sigurojë që automjeti i transportit të jetë i mbyllur, i vulosur dhe i pajisur me GPS, me qëllim monitorimin pa ndërprerje të lëvizjes nga origjina në destinacion dhe të ketë kamera që monitorojnë materialin që transportohet.

Transporti i bimës, nënprodukteve dhe produkteve të saj të destinuara për përdorim mjekësor, të prodhuara nga bima e cannabis-it nga prodhuesi i licencuar, duhet të bëhet me mjete transporti të tilla që të sigurojnë ruajtjen e barit në temperatura as më të larta e as më të ulëta sesa ajo që thuhet në etiketim ose fletudhëzuesin e barit. Të ruhet dhe të shoqërohet nga shërbim i sigurisë deri në/nga pika e kalimit të kufirit sipas parashikimeve në marrëveshjen e lidhur mes palëve. Çdo lëvizje apo transportim kryhet vetëm pas marrjes së autorizimit nga Agjencia e cila miraton dhe datën e propozuar të lëvizjes apo transportit, sipas formatit të miratuar nga kjo e fundit. Në çdo rast, për çdo lëvizje, transportim të farërave, fidanëve, lëndës së parë, të bimës së cannabis-it mjekësor, nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të saj dhe mbetjeve/produkteve që asgjësohen nga një vend në një vend tjetër, subjekti i licencuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 (pesë) ditë para lëvizjes së planifikuar, përmes Regjistrit Kombëtar të aktiviteteve të licencuara dhe të lejuara të bimës së cannabis-it dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Njoftimi përmban informacion lidhur me oraret e lëvizjes, intenerarin përkatës, të dhënat për çdo mjet që bën transportin, si dhe punonjësit e shërbimit që shoqërojnë ngarkesën”-specifikohen detajet e tjera në planin e masave të marra nga qeveria.

Subjektet e ngarkuara për ruajtjen dhe sigurinë për zbatimin e këtij vendimi , ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të kanabis-it, subjektet e licencuara.