ANKUESI – POEZI NGA ANDI MEÇAJ

ANKUESI – POEZI NGA ANDI MEÇAJ

ANKUESI

Një derë u hap,

hyri ankuesi,

katër mure të tejdukshme,

katër sy gjyqtarësh

të përgjumur,

fjalë akuzuese

tha për fqinjin.

Fqinji i kishte marrë gruan,

tokën, shtëpinë,

fëmijët dhe makinën.

Ishim shokë të ngushtë,

pothuaj vëllezër,

shtëpia ime ishte e tij,

shtëpia e tij ishte imja.

Ëndrrat, zhgënjimet,

fitoret, humbjet,

sekretet dhe dëshirat,

ia rrëfenim njëri-tjetrit

çdo ditë,

ishim të pandarë,

derisa më trokiti dashuria.

U bë xheloz,

si gjithnjë gjërat e mia

i donte të tijat,

si gjithnjë

dinte të mashtronte bukur

dhe ia arriti qëllimit,

tani gjithçka imja

është e tij,

si atëherë

kur ishim fëmijë.

Janar 2025