Anila Rubiku artistja shqiptaro-italiane, me ekspozitën e parë në Tiranë

Anila Rubiku artistja shqiptaro-italiane, me ekspozitën e parë në Tiranë

Nga Blerina Goce 

Janë 60 vizatime të ndërlikuara, gravura dhe akuarele të artistes Anila Rubiku, që dokumentojnë transformimin e peizazheve urbane dhe rurale të Shqipërisë, veçanërisht në Tiranë dhe Durrës.

Të paraqitura si në një shirit filmik, këto vizatime vijnë bashkë me disa vepra, që përshkruajnë dyert abstrakte dhe të gjalla të ndërtesave milaneze dhe së bashku prezantohen në ekspozitën personale “Dielli gjithashtu perëndon” (The Sun Also Sets) të çelur në galerinë “Zeta” në Tiranë, nën kujdesin e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, nën kurimin e Kari Conte.

“Ky projekt është në dy shtete ku jetoj dhe kaloj pjesën më të madhe të jetës sime. Kam lindur në Durrës dhe deri 24 vjeç kam qenë në Shqipëri, pjesën tjetër më të madhe, e kam kaluar në Itali.‘Dielli gjithashtu perëndon’ vjen nga një poezi e Shelly, jashtëzakonisht e bukur, që flet për kohën. Kjo pjesë e projektit bazohet mbi Durrësin dhe Tiranën. E kam filluar punën në 2004-ën kur isha në Durrës e po pija kafe në breg të detit. Ishte një reflektim imi mbi qytetin që po ndryshonte, në mënyrë mbase dhe jo të këndshme, por asnjë njeri nuk e ndërpret dot ndryshimin. Në këtë moment pashë detin dhe thashë: çdo gjë ne shqiptarët mund ta prekim, por detin dhe perëndimin s’e prekim dot. Një pjesë e madhe e së kaluarës, e arkitekturës janë bardh e zi, ndërsa e tanishmja është me ngjyra.”, – shprehet artistija Anila Rubiku për “Report TV”.

“Kjo është e para ekspozitë e artit bashkëkohor që hapim këtë vit. Jam shumë i lumtur se është ekspozita e një artisteje italo-shqiptare, që është një shembull i bukur i integrimit dhe raporteve midis Shqipërisë dhe Italisë.”, – thotë Alessandro Ruggera, drejtues i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.

E frymëzuar nga poezia e Percy Bysshe Shelley, “Ozymandias” (1818), Rubiku reflekton mbi arrogancën e sundimtarëve që përpiqen të përjetësojnë trashëgimitë e tyre në hapësirat publike, vetëm për ta parë madhështinë e vet tek gërryhet me kalimin e kohës. Titulli i ekspozitës bazohet në faktin se edhe pse peizazhet ndryshojnë, dielli gjithmonë do të lindë dhe do të perëndojë mbi to.

Këto vepra në letër, të krijuara ndër vite dhe të ekspozuara për herë të parë pranë galerisë “Zeta” gjurmojnë një shekull korrupsioni dhe ndryshimi pushtetesh politikë, përmes statujave, monumenteve dhe arkitekturës të lidhura me regjimet e Enver Hoxhës, Joseph Stalinit dhe Vladimir Leninit.

Nëpërmjet kërkimeve rigoroze arkivore, Rubiku rindërton historinë e vendeve ikonike si “Sheshi Skënderbej” dhe ai “Liria”, të modeluar sipas ndikimeve arkitekturore osmane, italiane dhe sovjetike. Këto vende mbajnë gjurmët e së shkuarës së Shqipërisë, duke pasqyruar çfarë është ruajtur dhe çfarë është fshirë.

Ajo përshkruan simbolet e larta të pushtetit të ndërtuara për të vendosur kontrollin, duke zbuluar se si këto struktura janë po aq kalimtare sa edhe regjimet që simbolizojnë. Puna e saj përqendrohet tek këto vende të kontestuara, ku mbetjet e historisë dhe ideologjive bashkëjetojnë, shpesh shqetësueshëm, me peizazhin.

Sot, këto hapësira po ndryshohen nga zhvillimi modern që shpesh favorizon fitimin në vend të ruajtjes së trashëgimisë historike dhe arkeologjike, duke i ndërlikuar edhe më shumë këto vende të ngarkuar me kujtime.

Ekspozita përfshin gjithashtu tre vepra nga “The Inner Door”, një seri prej afro njëqind qëndisjesh të krijuara gjatë katër viteve të fundit. Në një proces bashkëpunimi, fotografitë e dyerve të artistes u përkthyen me përpikëri në qëndisje nga artizanët e Gurit të Zi në veri të Shqipërisë.

“Kemi dhe punë shumë të rëndësishme mbi arkitekturën e Milanos, por flasim për dyert, sepse Milano më ka hapur derën, unë kam studiuar në Milano dhe jam kjo që jam sot falë këtyre dy shteteve. Sa i përket këtyre punëve i kam bërë unë në qëndisje me fije muline dhe në mëndafsh dhe kam bashkëpunuar me gratë e Gurit të Zi.”, – shpjegon Rubiku.

“Dielli gjithashtu perëndon” është e para ekspozitë personale e Rubikut në Shqipëri.