Krijimtaria e koliqit në prozë tërhoqi vëmendjen e kritikëve, jo se dy vëllimet kryesore me tregime e novela të botuara në këtë periudhë (“Hija e maleve 1929 dhe Tregtar flamush 1935”), por sepse letërsia shqipe kishte një zbrazëti në fushën e prozës, sidomos të prozës së shkurtër përkundrejt zhvillimit relativisht të mirë të poezisë. Novelat e Gramenos, botimet e shkurtra të Konicës, prozat e N. Nikajt nuk kishin arritur të krijonin një fizionomi të prozës shqipe dhe publikut i mungonte një ide e qartë mbi këtë gjini (prozën e shkurtër).
Përsa i përket tematikës, mund të thuhet se akoma kishte mbetur shija e tregimeve ose e romaneve historiko-sentimentale, ku në të shumtën e rasteve konflikti kishte për bazë dashurinë e dy të rinjve që i përkonin grupeve të ndryshme shoqërore, dhe sfondi kryesor ishte lufta. Megjithatë, përshtypja që këto tregime e romanca kishin lënë te publiku ishte shumë më e baftë se ajo që linin veprat poetike, të cilat përqafoheshin shumë shpejt e ishin fryt i menjëhershëm i çastit historik. Mbi legjërimin poetik të Koliqit, me ndonjë përjashtim të rrallë, të gjithë do të shpreheshin me konsiderata më të larta, duke e cilësuar stilist të rrallë, mjeshtër e njohës tepër të mirë të gjuhës shqipe. Pa dashur të bëjmë një përshkrim të hollësishëm të të gjithë artikujve mbi të, po bëjmë një përmbledhje të vlerësimevepozitive e të kritikave që i janë bërë krijimeve të tij në prozë.
Koliqi quhet edhe si krijues i novelës shqiptare. “Nderi i krijimit të novelës shqiptare i përket Koliqit.” Ai është depërtuës, analizues: “E. Koliqi është një novelist që di të hyjë në thellësinë e ndjenjave shekullgjate të popullit, di si t’i analizojë e pikturojë; është analist i aftë i emocioneve e gjendjeve të ndryshme shpirtërore” dhe hap një rrugë të re dhe do të krijojë një shkollë të së ardhmes. Në veprat dhe kryesisht prozat e Ernest Koliqit shohim se ajo ka një gjallëri formash e shprehjesh. Me të drejtë studiuesit e vlerësojnë atë, si: depërtues, analizues…një novelist që di të hyjë në thellësinë e ndjenjave shekull gjatë të popullit, di si t’i analizojë e pikturojë; është analist i aftë emocionesh e gjendjesh të ndryshme shpirtërore” dhe hap një rrugë të re e do të krijojë një shkollë të nesërme. Kështu, në këto vepra vërejmë një ligjërim të rrallë. Këtu burrat flasin ngadalë e shtruar, duke të sjellë para syve traditat, zakonet e maleve tona. Sipas analizave tekstuale të narracionit, kryesisht të studiuesit Roland Barthes, mësojmë se ekziston një tip rrëfimi, i cili përmbyllet që në momentin kur zbulohet enigma e tij, e cila në të shumtën paralajmërohet që në titullin e narracionit. Shenjat e forta të saj në letërsinë tonë, pra të prozës së shkurtër, i hasim te tregime të Ernest Koliqit, të përmblidhura në dy veprat e tij “Hija e maleve” dhe “Tregtar flamujsh”. “Specifike e formës së tregimit me ngjarjen e mbetur pezull te Koliqi janë të gjitha ato tregime, të cilat me të mbaruar leximin e tyre hetohet intenca e titullit, e cila mbetet implicite deri në fund.”
Në këtë tip janë tregime të përmbledhjes “Hija e Maleve” si p.sh.: “Gjaku”, “Kërcimtarja e Dukagjinit”, “Kur orët lajmojnë”, “Ke tre lisat” etj. Te novela “Gjaku”, enigma zë fill që në hapin e parë të “hapjes së dritares” për në botën tregimtare, ku inicialisht teksti fillon me pyetje.
➔ Citojmë: “A ka send më të mrekullueshëm në këtë botë se me i sjellë qytetërimin një kombi zhytë në errësirën e padijes?”
Kjo pyetje në esencë rrjedh nga narratori-autorial, por i atribuohet personazhit Dode, i cili enigmën e mban gjallë nëpërmjet një dialogu me personazhin tjetër, Nushën, ku narratori i gjithdijshëm vihet në funksion të veprimeve të tyre, të cilat shkojnë në favor të krijimit të fabules, por duke e ngritur çështjen pas enigmës. Depërtimin në pavetëdijen e psikes njerëzore e hasim që në titullin e veprës së parë të Koliqit në prozë, “Hija e maleve”. Jungu e përdorte termin hije për ta emërtuar atë pjesë të pavetëdijshme të personalitetit, që të shtynë drejt veprimeve të pamenduara, “Hija nuk është tërësia e personalitetit të pavetëdijshëm. Ajo i përfaqëson atributet dhe cilësitë e panjohura ose pak të njohura të egos – aspekte këto që i përkasin kryesisht sferës personale dhe që mund të jenë po aq të vetëdijshme. Në disa aspekte, hija mund të konsistojë edhe në faktorë kolektivë që burojnë nga ndonjë burim jashtë jetës personale të individit”. Kështu, mund të themi që është hija ajo që e shtyn Dodën, te novela “Gjaku”, me qitë pushkë. Mësuesin e formuar në perëndim, e trazon hija: “Në thellësí të pandërgjegjes, aty ku flêjnë prirjet e rrezikshme dhe mêndimet e përzânuna arsyes, nji instikt nisi m’u zgjue e m’u ngjitë kah drita e kuptimit në gjasë të nji gjarpni të mëndershëm qi kacavaret dalkadalë nëpër gurë të nji pusi mbushë me terr e qet, i papritun kryet fishkullues përmbi grykën e ndritëshme”
Studiuesi Kujtim M. Shala vëren: “Hija është figura e kodit të vendit (Maleve) dhe ndjek personazhet e vendit edhe kur ikin nga vendi, si te novela Diloca. E shndërruar në terma diskursivë, Hija është figura e Kanunit që lidh e shtrin normën e jetës në Male, të lidhur me traditën morale, që shoqëron kohët e njerëzit si kod i tipit Lex tradita, i lidhur në formula, të cilat normojnë e zgjidhin situata të jetës, nga lindja deri në vdekje”Thënë në mënyrë paksa arbitrare, ky është mbarështrimi i tregimit të Koliqit dhe në këtë “skemë” mund të ketë vetëm devijime ideore, që vlen edhe për tregimet e tjera. E themi këtë sepse, me gjithë ndërimet e mundshme në kapituj, të cilat luajnë rolin e ndërlidhjes tematike të ngjarjeve, nuk realizohet ndonjë veçanti e vërenshme e ndërrimit të formës së rrëfimit. Tregimi koliqian është në funksion të enigmës, prandaj është i rrafshët, pa thyerje të formave gjuhësore, integrim të ndryshueshëm të personazheve, lojë të mprehta me elementet e kohës, etj.
Kjo nevojë e eksplikimit të titullit vërehet edhe te tregimi “Kërcimtarja e Dukagjinit”, ku lexuesit, nëpërmjet rrëfimit përrallor të së kryes së thjeshtë si paska qenë dikur në Dukagjin një vajzë mrekullisht e hijshme… por vasha më e bukur e dheut tonë ishte e ngathtë, e trashë, turulluge, i jepet forma e rrëfimit historik-përrallor dhe në raport me titullin konotohet pyetja enigmatike se si turullugja paradoksalisht bëhet kërcimtarja e Dukagjinit, e cila hyn në garë dhe i mund kercimtarët e tjerë.
Deri në fund të tregimit, i cili luan me mitologjinë, historinë, pra me gramatikën artistike të kësaj bote, nuk e kupton se autori intencionalisht e fuqizon frymën transcedentale të Zanës në trupin e Kërcimtares së Dukagjinit, duke e çrëndomësuar atë për efekte, do të thoshim, estetike-ideore të tregimit. S. Hamiti namëson se në masë të madhe letërsia shqipe, edhe ajo e modernitetit, është letërsi që nuk i largohet intencës.”
Ky efekt intencional, i cili arrihet nëpërmjet realizimit formal të tregimit, tregim i cili lexohet gjatë një ndeje, është i ngjashëm edhe kur shfrytëzohet ndjeshëm bota orale kanunore apo mitologjike. E kemi fjalën për tregimet “Ke tre lisat” dhe “Kur orët lajmojnë”, ku kemi gërshetimin e intencës me kulturën popullore në funksion të një fabulë, e cila në fund e jep intencën autoriale ideore-filozofike. Prandaj, mund të thuhet se te forma tregimtare e Koliqit ndërlidhen, vargezohen elementet e humanës, tradicionales dhe intencionales, duke e ruajtur frymën e paprekshme të fabulës për hir të intencës, e cila në të shumtën jepet në fund të tregimit, intencë që do të thoshim, është tradicionale, shikuar kjo edhe nga këndvështrimi i teorive të komunikimit-receptimit.
Te “Kërcimtarja e Dukagjinit”, ngjarja që rrëfehet është një përrallë historike,mitologjike, e vendosur në kohën e Skënderbeut, i cili hap një garë vallëzimi për hir tëfitoreve të tij. Ndryshe nga tregimi “Nusja e mrekullueshme”, ku na del drejtpërdrejt figura e Zanës, këtu ajo është nën petkun e një personazhi Lules. Ky shndërrim i Zanës së Dukagjinit, duke marrë virtualisht trupin e Lules, mbesës së Lek Dukagjinit,është një fenomen i njohur i mendësisë së malësorëve, po ashtu dhe i eposit tonë, për të nxjerr në pah shijen dhe aromën e maleve të saj: -“Zânat e Dukagjinit për me i qitë zânin maleve të tyne, kishin dá qi njâna prej sosh të merrte fytyrën e trupin e Lules e të shkonte në Krue në vênd të saj, me sa qi këtê tue plandosë në nji gjumë të rândë, e kishin vû me fjetë në banën hyjnore ku ato jetojnë. Mbandej e kishin çue prap në shtëpi, natën, pranë s’amës, kur shoqja e tyne ktheu nga triumfet e Krues. Sipas Koliqit, vetëm ruajtja e këtyre tipareve autentike shqiptare qëdalin përmes kërcimit të Lules, bën të mundur fitoren mbi botën orientale. Këtu vëmë re edhe një sërë përshkrimesh të mrekullueshme të qytetit të Krujës, vendit ku bëheshin festimet, për të na paraqitur para syve tanë si një qendër kulturore të civilizuar të asaj kohe:
“Në pallat mbretnuer sofrat u shtrojshin njâna mbas tjetrës e kushdo, i njohun a i panjohun, shqiptar a i huej, mund t’u ulte në to. Muziktarë Italije, natën e ditën, mbajshin gjallë me vegla të tyne kângët e vallet. Kërcehej ndër salone të ndritëshme të kështjelleve, ndër shtëpija të bujarve, në çardaqe të pasanikve.Pra, te “Kërcimtarja e Dukagjinit”, ai përmes figurës së Lules të shndërruar në një kërcimtare të mahnitshme kërkon të vërë në dukje magjinë e tokës ku jetojnë, duke dashur të s hpreh një tipar të karakterit të shqiptarit, lidhjen e tij të ngushtë me tokën, si burim i vetëm forcës e i madhështisë së tij: “Kërcimi i saj ishte i freskët si lirija e maleve, i lehtë si kind flamuri qi valon ndër maja t’epra, i egër si fluturimi i shqipeve, i përmallshëm si kângë e harrueme qi ngjallet në fund të zêmrës”
Një element i rëndësishëm i stilit të Koliqit është edhe trajtimi i mitit si një element mistikerotik që në mënyrë simbolike zbërthen botën e brendshme shpirtërore të personazheve të tij. Shfaqja e kësaj bote intime e, pikërisht, qëndrimi i tij ndaj femrës e botës së saj, jepet me një ndjeshmëri të veçantë në dykohë. Së pari, kemi dashurinë në kohën djaloshare të poetit, ku jepen ndjesitë e panumërta ndaj të dashurës. Së dyti, ajo nashfaqet ndërmjet kujtimeve të tij të fëmijërisë që bëhen pjesë e ekzistencës mendore dhe shpirtërore të jetës në mërgim. Tema e dashurisë te Koliqi nuk është e ngushtuar, po trajtohet gjerësisht, dhe vetë erosi, si bartës i i nstinktit të ruajtjes, i cili shfaqet si element simbolik-mistik. Kjo vihet re në përmbledhjen “Hija e maleve”, në tregimet e ndryshme të saj. Veçanërisht tek “Nusja e mrekullueshme” ky element fsheh neurozën e “dashurisë sëpamundur” ose të dashurisë si “sekret mistik”. Është prill, koha e rizgjimit të ndjenjave, të etjes e instinkteve për aventura dashurie.
Një zë femëror plot sensualitet e thëret Lek Binakun: “Lekë !Lekë! O Lekë ,eja …Pse vjen, plasa tue të thirë! Ky zë nënkupton një thirrje që del nga thellësia e qenies, për të realizuar një kontakt fizik me një qënie të një seksi tjetër”, si kundërvënie ndaj atyre dëshirave të shtypura, për shkak të jetës së kufizuar dhe mjedisit, e cila ndalon dhe e ndëshkon dashurinë e lirë mes dy të rinjve. Ndaj dhe ky kontakt, shpesh në tregimet e tij realizohet me një qenie të fantazuar si shtojzovallja në këtë rast. Por për trajtimin e këtij elementi në vëllimin me novela “Hija e maleve”, kemi reagimin e parë të kritikës, e cila vjen nga revista konservatore “Hylli i Dritës”, pak kohë pas botimit të këtij vëllimi: “Na e dijm se nuk asht për burra m’u bjerr mbas femnave; prandej nuk përkon as se si me shpirtin e burrnin shqyptare ,qi auktori don me trajtue,sjellja e Dodës ,qi nadje e në mbramje, hir e pahir, kohë e pa kohë, lirisht hin e del tek e dashtuna.
Kështu, Koliqi iu përgjigj këtij qortimi pas ca kohësh, me këto fjalë: “Sa për skena dashunije ndër novella të mija Ju lutem të veni re se të gjitha ndodhin vetëm midis të fejuemve ase midis nji vajze e nji djali të nisun kah fejesa .Këto situate mue nuk më duken imorale”. Kështu në novelën “A ta laçë?” autori ka vendosur pesë të rinj të cilët bisedojnë e dëfrejnë, qeshin e ngacmohen me njëri-tjetrin. Jo më kot ai i ka vendosur personazhet në një numër tek, pra që nuk mund të formojnë dot çifte. Këtu vihet re elementi i parë erotik. Leci ndjek Minën. Më shumë se gjithçka tjetër djalin e tërheqin: “Lëvizjet plot hir e zhdërvjedhtí t’atyne fêmnave të njoma…”;“…kaçurrelat e shprishun…”; “Mina me vijat harmonizuese të trupit njizetvjeçar tërhiqte syt e Lecit.”“… me gjoks valvitës përpara,ajo ishte vërtè për t’u shikue gjatë gjatë me andje”
Pra një gjendje mes delirit erotik dhe epshit, në vrapim e sipër. Për të kuptuar më mirë këto elemente i gjejmë të trajtuara dhe në tregimin “Kumbulla përtej murit”, ku personazhi kryesor Lec Gurmolla është një student i kthyer pas disa vitesh në qytetin etij të lindjes, ku nënkuptohet se shumë kujtime apo impulse të brendshme janë zhdukur. Por pikërisht autori e rikthen atë në shtëpinë e nënëdajës, ku ka gjithë kujtimet e fëmijërisë . “Kështu sytë e Lecit përshendetin me adhurim.” Lakmia për të këputur kumbullat tek kopshti i fqinjëve, jepet nëpërmjet nuancave të dallueshme epshore që përshkojnë Lecin në ato çaste. Hip në mur e zgjat dorën, po dëgjon një zë gruaje. Është një plakë që dikur ka qenë nuse e duhet të ketë qenë e bukur, e cila e fton të futet në shtëpi e pret me buzë të qeshur dhe e gostit me reçel. “Ai reçel kishte një vlerë të madhe symbolike, n’at mbasdite në të cilën gjithënji shpirti i tij përkundej në mall të nji moshe së humbun”
Elemente të tilla, të rizgjuara prej shtysash të fëmijërisë së largët, kemi edhe tek tregimi “Kopshti”. Përsëri një djalosh që kthehet pas shumë kohe qëndrimi jashtë, një kopsht ku kujtohet një shoqe e fëmijërisë, ku në qendër vihet dashuria e cila merr shkas prej kujtimeve e nostalgjisë. Të dy tregimet janë të përafërta, megjithëse lidhin të drejtpërdrejtën me simbolikën në mënyra të ndryshme. Te “Kopshti” simbolika lidhet me vajzën, ku ndjenja e nostalgjisë kalon nga Shkodra në një kopsht të veçantë tek vajza. Ndërsa tek “Kumbulla përtej murit”, simbolika lidhet me një kumbull që ka mbet si e veçantë në kujtimet e fëmijërisë së Lecit.
Bibliografia
1. C. A. Çekrezi, “Koliqi – Hija e maleve”, “Ora”, 22.1.1930
2. Criticus, “Vellime letrare – Hija e maleve”, “Hylli i dritës”, shkurt, 1930
3. Dh. Shehri, Koliqi mes malit dhe detit, Tiranë, 2006
4. E. Koliqi, Vepra 2, Prishtinë, 2003
5. L. Smaqi, “Receptim i veprës së Ernest Koliqit në vitet 30”
6. Kujtim M. Shala “Shekulli i letërsisë shqipe, Tiranë, 2006
7. Nysret Krasniqi – Autori në letërsinë moderne shqipe, Prishtinë, 2008.
8. V. Koça, E. Koliqi – një figurë poliedrike, “Fashizmi”, 10.6.1939