Sadije dhe Dritëro Agolli, komunikim në letra dashurie! Shtëpia-muze “Agolli”, ekspozohet letërkëmbimi romantik!

Sadije dhe Dritëro Agolli, komunikim në letra dashurie! Shtëpia-muze “Agolli”, ekspozohet letërkëmbimi romantik!

“I dashtun,

Sa e trishtueme jam sot.

Tashti duhet të kesh arritë në Tiranë, do të jesh duke hangërë dhe ndofta të shkon mendja edhe tek unë. Jam e mërzitun, në këtë çast donja të ishe me ty. Janë shumë 4 muej.

Nji vesh i ketrit më kishte mbetë në xhep të pardesysë. Asht nji ketër i mirë, besnik që nuk të gënjen. Ai më ka pa gjithmonë mue kur jam kthye prej shkolle, veçse asht i heshtun dhe nuk ka gojë që t’u përgjigjet pyetjeve tueja. Duket nji çikë si serioz se ka nji palë mustaqe të ashpra si burrat xhelozë por nuk asht i tillë.  Ai të don ty dhe mbramë ma tha. Unë e kuptoj atë.

Kur të bahesh xheloz, shikoje atë se të ikë xhelozija.

…..Të puth fort, Sadija!”

Këto fjalë janë pjesë e një letre dashurie që Sadija i dërgonte Dritëro Agollit më 8 mars 1965. 

Letra, së bashku me dhjetëra të tjera është ekspozuar në shtëpinë-muze të shkrimtarit. Edhe pse Agolli në 4 shkurt të tetë viteve më parë nuk ishte fizikisht në jetë, ai përkujtohet me rastin e ditës së largimit të tij nga jeta përmes asaj që mund të jetë tharmi i jetës: dashuria, e pikërisht në muajin e dashurisë.

Letërkëmbimet intensive mes Dritëroit dhe Sadijes janë të ruajtura me fanatizëm në arkivin e familjes dhe ‘zbulohen’ para syve të publikut krahas objekteve që përshkruhen në këto letra: një mangall, gramafoni, dy portrete me autore Lume Blloshmin dhe zëri i Dritëroit në sfond që lexon poezitë e tij.

“Gjej rastin ta falenderoj jashtëzakonisht Elona Agollin, e cila i ka vënë thuajse 100 përqind letrat e dashurisë në dispozicion të kësaj ekspozite. Përveç letrave kemi objekte. Në fakt ishim në dilemë nëse duhej që të sillnim veshjet e tyre në muze apo jo. Dëshira e Elonës ishte shumë e madhe që Dritëroi dhe Sadija të ishin këtu edhe përmes veshjeve.”, – thotë Anisa Ymeri, drejtuese e shtëpisë-muze “Agolli”.

Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur përgjatë gjithë muajit shkurt sjell afër Dritëroin njeri dhe krijues, ndërsa vizitorët do të mund të shohin nga afër edhe objektet ku shkrimtari jetoi: kolltukët e shtëpisë së tij, pikturat ndër mure, tavolinën e punës apo televizorin.

Sipas studiueses Anila Mullahi, Dritëroi në këto letra shfaqet në gjithë ndjesitë e veta, në madhështinë si shkrimtar, por në rradhë të parë në madhështinë e tij si njeri.

“Kam pasur një fat të madh që t’i shikoj dorëshkrimet e shkrimtarit dhe atje kam parë diçka që nuk e dija më parë. Ishte njeri që ruante çdo copë letër, çdo shënim, çdo detaj. Dikush mund të thotë: si ka mundësi që i ka ruajtur? Edhe në këtë rast, gjeniu ka ditur që gjithçka po ruan, në një moment të caktuar do t’u flasë me zë shumë të thellë pasardhësve dhe gjithë brezave, që do të vijnë e do të kenë mundësinë të shohin këto objekte dhe të lexojnë ato letra, duke nxitur të rinjtë të dashurojnë më shumë e të shkruajnë edhe ata letra. Gjithë librat e tij kanë dorëshkrimet paraprake, ka ruajtur blloqe shënimesh dhe letra me kolegët, shkrimtarët, miqtë e tij.”, – shprehet Mullahi.

Ndërkohë që letrat e dashurisë janë të hapura për t’u lexuar, në tavolinën e punës së shkrimtarit, një stilograf me të cilin Dritëroi ka shkruar, boja dhe letrat e tij janë vendosur në dispozicion të vizitorëve dhe me to, secili është i lutur të shkruajë gjithashtu një letër dashurie.