‘Midis nesh’, një reflektim mbi problemet sociale e gjinore! Drama, eksplorim përmes dialogut e ndërveprimit me publikun

‘Midis nesh’, një reflektim mbi problemet sociale e gjinore! Drama, eksplorim përmes dialogut e ndërveprimit me publikun

Është një dramë që sjell në vëmendje marrëdhënien komplekse mes një nëne dhe një bije, duke eksploruar mënyrën se si shoqëria formëson dinamikat e kësaj marrëdhënieje, por edhe rrugëtimin individual të secilës. 

Këto elementë trajton drama “Midis nesh” e shfaqur së fundmi në Lezhë dhe në skenën e Teatrit Eksperimental në Tiranë. Ngjitja në skenë e shfaqjes erdhi e konceptuar si një panel diskutimi mbi sfidat gjinore dhe një seancë pyetje-përgjigje pas shfaqjes, duke synuar të prekë dhe të nxisë reflektim te publiku.

“Shfaqja është pjesë e Javës Kulturore Zvicerane, që është në fakt një kalendar prej disa projektesh të realizuar nga artistë shqiptarë, të përzgjedhur dhe të mbështetur nga Fondi Kulturor Zviceran. Është hera e parë që organizohet si një javë e plotë eventesh dhe ka gjithashtu një synim kryesor, që është ai i të nxiturit të dialogut përmes kulturës. Çdo aktivitet artistik dhe kulturor shoqërohet me ndërveprim me audiencën, me diskutime dhe panele.”, –  thotë Kleidi Eski, menaxher i Fondit Zviceran për Kulturën në Shqipëri.

Shfaqja erdhi me regji të Endrit Ahmetajt, as/regjisore Ana Guçe, dramaturge Daniela Gjopalaj, aktore: Mimoza Marjanaku e Rexhina Ibro, skenografi dhe kostumografi nga Klara Fyshku dhe video/art nga Redina Qose.  Ndërkohë, Java Kulturore Zvicerane pritet të vijojë deri më 7 shkurt.