Këngëtarja shqiptare Parashqevi Simaku është larguar nga spitali në Nju Jork, ku po merrte trajtim për një gjendje të rënduar psikologjike.
Lajmin e mirë e ka ndarë biznesmeni shqiptar, Elton Ilirjani, i cili ka publikuar në Instagram foto dhe video të saj. Në pamjet e shpërndara, Simaku duket krejtësisht e ndryshuar, me një stil të ri flokësh dhe një paraqitje më të kuruar.
Në video, këngëtarja shfaqet e qetë dhe e buzëqeshur, ndërsa Ilirjani shkruan: “Surprizë, ia dolëm.”
Megjithatë, ai thekson se dalja nga spitali nuk nënkupton përfundimin e sfidës. Ai ka bërë thirrje për ndihmë, duke kërkuar përkujdesje për Simakun pas trajtimit në spitalin psikiatrik.
“Rrugëtimi i saj sapo ka nisur. Do të shkoj t’i jap lajmin e mirë që ajo mezi po e pret dhe do t’i çoj byrek me spinaq, që e pëlqen shumë. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë ka kaluar. Kur të dalë, ajo do të vazhdojë të shprehë mendimet dhe dëshirat e saj, por ne do të jemi pranë për ta mbështetur. Ka qenë një muaj i vështirë, me dhimbje, shpresë dhe frikë, por po ja dalim,” ka thënë Ilirjani.
Ai u ka bërë thirrje grave shqiptare që kanë mundësi të ndihmojnë gjatë periudhës së saj të akomodimit, duke i qëndruar pranë ditën dhe natën. “Do doja ta bëja unë këtë 24/7, por kushtet e mia nuk ma lejojnë. Ka qenë një eksperiencë e lodhshme, por edhe shumë e bukur. Dalja nga spitali është vetëm fillimi i punës sonë,” shtoi ai.
Ilirjani ka vënë në dukje se pak artistë shqiptarë e kanë mbështetur financiarisht Simakun, duke theksuar se kolegët e saj të brezit të vjetër kanë kontribuar edhe më pak.
Ai ka treguar se për këtë arsye u detyrua të anulojë pjesëmarrjen në Javën e Modës në Kore, por shpreson që Simaku të jetë në rreshtin e parë kur ai të ngjitet në pasarelë gjatë Javës së Modës në New York.