Shkëlqim, Elegancë dhe Yje: International Fashion Week Albania në Shijak

Shkëlqim, Elegancë dhe Yje: International Fashion Week Albania në Shijak

International Fashion Week Albania solli një mbrëmje plot shkëlqim në një nga resortet më të njohura të Bashkisë Shijak, Ajman Park, duke mbledhur emra të famshëm nga bota e modës, showbizit, aktrimit dhe artit. Ky event i organizuar nga Blerta Kasalla dhe Endri Cuka shënoi një tjetër moment të rëndësishëm për industrinë e modës në Shqipëri, duke u zhvilluar nën kujdesin e veçantë të Bashkisë Shijak dhe kryetarit të saj, Elton Arbana.

Tapeti i kuq u shkel nga personalitete të njohura, të cilët shpalosën veshjet e tyre elegante, përpara se të drejtoheshin drejt sallës ku u mbajt eventi. Nën moderimin e këngëtares Eneda Tarifa, e cila e hapi mbrëmjen me një nga hitet e saj, spektakli vijoi me moderatorin Gent Lasku, bashkëshortin e saj, duke sjellë kimi dhe humor në skenë midis çiftit. Në fjalët përshëndetëse të mbajtura, nuk mungoi as fjala inkurajuese e nënkryetares së Bashkisë Shijak, Shpesa Domi, e cila shprehu mbështetjen për organizimin e më shumë eventeve të tilla.

Në skenë performuan artistë të talentuar, si Alis Kallaci, një nga zërat e rinj të zbuluar nga “X Factor”, ndërsa Lorenc Hasrama ngriti atmosferën me hitet e tij. Kleansa Susaj, e veshur me një fustan të kuq me pupla, shoqëroi modelet në sfilatën e tyre, duke sjellë një tjetër dimension të artit të modës në këtë event madhështor.

Një nga momentet kulmore të mbrëmjes ishte sfilata e fustaneve të nusërisë, ku modele ishin emra të njohur si Ema Andrea, Aulona Musta, Dasara Karaiskaj së bashku me vajzën e saj, si dhe Oregsa Zaimi. Por surpriza më e madhe erdhi kur komediani Eglein Laknori doli në pasarelë i veshur si një nuse, krah aktores Rita Lati, e cila me aktrimin dhe mimikat e saj shkaktoi të qeshura të shumta tek të pranishmit.

Sfilata u përshëndet gjithashtu nga videomesazh i Parashqevi Simakut dhe Elton Ilirjanit tashmë si dy emra të pandarë të cilët dhanë këshillat dhe falenderimet e tyre.

Mbrëmja u përmbyll me shpalljen e Manuela Palit si modelja më e mirë, e cila do të ketë mundësinë të konkurrojë në Javën e Modës në Milano, një hap i rëndësishëm për karrierën e saj në industrinë ndërkombëtare të modës.

International Fashion Week Albania në Shijak dëshmoi edhe një herë se Shqipëria po bëhet një qendër e rëndësishme e modës dhe spektaklit, duke sjellë ngjarje që jo vetëm promovojnë talentin vendas, por edhe e vendosin atë në hartën ndërkombëtare të modës.