Kineastët kërkojnë reagimin e Ministrisë së Kulturës! Shoqatat insistojnë për takim urgjent pas reagimit të QKK-së

Kineastët kërkojnë reagimin e Ministrisë së Kulturës! Shoqatat insistojnë për takim urgjent pas reagimit të QKK-së

Nga Report Tv

Ministria e Kulturës hesht ndaj kërkesës së përsëritur të kineastëve për takim me ministrin Blendi Gonxhja, ndërkohë që komuniteti i kineastëve kërkon zgjidhje të problemeve në raport me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë.

Pas reagimit të QKK-së dhe drejtorit Eol Çashku, me një letër drejtuar redaksisë së “Report TV” dhe “Shqiptarja.com”, që i cilëson kërkesat e kineastëve “sulm të koordinuar e intensiv, përmes manipulimit dhe shpifjeve të bëra” ngjan se tashmë komunikimi mes kineastëve dhe QKK-së është jo-ekzistent.

Të mbledhur më 10 shkurt, kineastët kanë vendosur të përshkallëzojnë reagimin e tyre duke ia adresuar shqetësimet e tyre ministrisë dhe redaksisë sonë, përmes një letre të hapur, ndërsa vërejnë se është më e nevojshme se kurrë vëmendja e ministirisë, që ky konflikt të mos përkeqësohet!

Të indinjuar nga përgjigja me tone jo bashkëpunuese për ta, ata theksojnë sërish çështjet tepër shqetësuese në lidhje me komunitetin, ndërkohë që nënvizojnë faktin, se është fyerje për sukseset e kinematografisë shqiptare të viteve të fundit, përbuzja nga ana e Çashku në lidhje me prodhimin kinematografik të pas vitit 1997, ku shumë filma kanë çarë në arenën ndërkombëtare duke konkuruar me sukses në një sërë festivalesh të Kategorisë A, por arsyeja që ata vijojnë të mbeten stok është mungesa totale e një politike distribucioni nga ana e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

“Është fakt i njohur botërisht që, shumica e filmave të financuara nga QKK, nga viti 1997, me gjithë mundësinë e lirisë për t’i qarkulluar dhe për të konkuruar me to jashtë vendit, vijojnë të mbeten stok. Kështu që, nuk qëndron pretendimi i kryetarëve të shoqatave se, konkurojnë me shumë sakrifica në botë. Ndërkohë, kineastët shqiptarë deri në vitet ’90 nuk e kishin mundësinë për të shfaqur dhe konkuruar me filmat e tyre jashtë vendit, megjithëse ato vijojnë të kenë kërkesë e shikueshmëri të lartë edhe në ditët e sotme, brenda dhe jashtë vendit. Këto të dhëna janë marrë nga vetë producentët.”, – thuhet mes të tjerash në reagimin e QKK-së dhe Eol Çashkut më 7 shkurt.

“Me shqetësim konstatojmë në përgjigjen e Kryetarit të QKK një qëndrim tejet problematik ndaj kinematografisë bashkëkohore shqiptare. Krahasimi me periudhën e Kinostudios është thellësisht i pabazuar dhe absurd. Në mënyrë të pajustifikuar Kryetari i QKK injoron përpjekjet e kineastëve shqiptarë, të cilët përballen çdo ditë me një treg të mbingarkuar me prodhime kinematografike të mirëfinancuara jo vetëm në prodhim, por të mbështetura financiarisht edhe në lobim për kualifikimin në festivale të rëndësishme, apo edhe në promocion nga shtetet e origjinës.”, – thonë kineastët në letrën e tyre pas këtij komenti.

Ata vërejnë se kineastët shqiptarë pasi u përballën me traumën e shkatërrimit total të kinemave dhe të infrastrukturës së shpërndarjes së filmave shqiptarë pas viteve ’90-të, sot, veç reduktimit drastik të buxheteve për prodhim filmik, sot përballen me indiferencën, pasi mungon totalisht mbështetja shtetërore për shpërndarjen e filmit shqipar dhe aktualisht iu duhet të përballen edhe me fyerje e nënvlerësim për veprat e tyre, duke i quajtur stok.

“Kryetari i QKK-së nuk është një kritik arti që i lejon vetes të bëjë vlerësime për filmat, mund të jetë i tillë në profesion, por në funksionin që ushtron ka si mision kryesor të nxitë dhe të reformojë sistemin. E ftojmë Kryetarin që me të dhënat që disponon në institucion të publikojë statistika lidhur me financimet e bëra, produktet e financuara dhe arritjet e tyre.”, – vërejnë kineastët.

Ata shprehen të indinjuar nga injorimi që përgjigja e Çashkut dhe QKK-së iu bën arritjeve të pamohueshme të filmave shqiptarë në arenën e festivaleve ndërkombëtare të viteve të fundit (ku mund të përmendim emra, si: Bujar Alimani- fitues në Berlin dhe në Varshavë, Gentian Koçi në Sarajevë e në Tallin, Robert Budina në Tallin dhe në Varshavë, Florenc Papas në Sarajevë, Keti Stamo në Venecia, Fatmir Koçi në Selanik. Lorin Terezi në Busan, etj.). duke iu shtuar këtyre dhe sukseset e nje sërë bashkëproducentëve shqiptarë të filmave të parë të autorëve kosovarë etj).

“Ne mendojmë se në totalin e filmave artistikë të metrazhit të gjatë të mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, mbi 60% e tyre janë selektuar në festivale ndërkombëtare të kategorisë A. Producentët shqiptarë kanë arritur me shumë sakrifica të krijojnë bashkëprodhime të suksesshme ndërkombëtare, të sigurojnë qindra vende pune në sektor dhe të ngrejnë ekspertizën profesionale në nivele evropiane. Me mbështetje 30-40% nga buxheti i shtetit, filmat artistikë shqiptarë arrijnë të realizojnë vepra dinjitoze që bëhen pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare. Me një përllogaritje të përafërt bërë nga ana jonë rezulton që në 1 milionë euro që shteti shqiptar financon metrazhet e gjata, si efekt i bashkëprodhimeve bëhen pjesë e filmave 3-4 milionë Euro.”

Përgjigja sipas kineastëve është edhe më fyese, kur këtyre arritjeve iu vihen përballë filmat e periudhës komuniste për distribucionin e të cilëve në çdo cep të vendit ishte i angazhuar i tërë aparati shtetëror i propagandës, ndërsa sot nuk ekziston kurrfarë mbështetjeje apo strategjie shtetërore për distribucionin, as të filmave të suksesshëm në arenën e festivaleve ndërkombëtare.

“Krahasimi me prodhimet e Kinostudios është krejtësisht i papërshtatshëm duke qenë se Kinostudioja operonte me buxhete të plota shtetërore, ku shumica e filmave shërbenin si vegla propagande, shpërndarja dhe shfaqja ishin të garantuara nga shteti. Në morinë e filmave të prodhuar nga Kinostudioja shumë pak prej tyre prodhime kanë vlera të qëndrueshme artistike.”

Ndërkohë ata kanë përmendur sërish shkeljen e afateve të rregullores për kohën në dispozicion të Këshillit Miratues të Projekteve për të lexuar projektet kinematografike.

Sipas tyre, Këshillat Miratues të Projekteve përbëhen nga përfaqësues të shoqatave të kineastëve dhe ata kanë informacionin për datën kur janë përcjellë projektet tek anëtarët e KMP, ndaj ritheksojnë se afati 10 ditor në dispozicion të KMP për të lexuar projektet nuk është respektuar, në ndryshim nga çfarë pohohet në reagimin e QKK-së.

Ndërkohë, një tjetër pikë me rëndësi për t’u përmendur ka të bëjë me atë që kineastët e cilësojnë adresimin e përgjegjësive tek punonjësit e QKK-së të larguar nga detyra.

Sipas kineastëve, “asnjë nga punonjësit nuk është larguar nga puna për shkak të shkeljeve ligjore siç pretendon në përgjigjen drejtuar Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, por u është komunikuar ndërprerja e marrëdhënieve të punës në përfundim të periudhës së provës.”

Kineastët ftojnë kryetarin e QKK-së të jetë bashkëpunues dhe të marrë përgjegjësitë për veprimet e kryera, ndërkohë që ngrenë zërin për indiferencën dhe mungesën e reagimit të Ministrisë së Kulturës së cilës i janë adresuar.