Nga Blerina Goce
“Ndryshimet që kanë ndodhur në dekadat e fundit as nuk e kanë eliminuar dhe as nuk e kanë shpërbërë çështjen jugore, e cila mbetet një nga kontradiktat qendrore të shoqërisë italiane. Në fakt, prej saj burojnë të njëjtat vështirësi që has zhvillimi ekonomik i vendit, pamundësia për të gjetur punë dhe punësimi në nivele moderne për punëtorët e jugut, shpërdorimi i energjisë intelektuale, rënia e bujqësisë.”
Përmes këtyre fjalëve prezantohet pak a shumë në kontekstin aktual vepra “Çështja jugore” e Antonio Gramscit, e cila vjen për herë të parë në shqip nga shtëpia botuese “Pika pa sipërfaqe”, në një bashkëpunim me fondacionin “Antionio Gramsci” të Puglia-s.
“Fondacioni Gramshi po ndjek me shumë vëmendje interesin e treguar ndaj Gramshit në Shqipëri, ndaj shkrimeve të tij, ndaj aktivitetit editorial dhe atyre qe duan të studiojnë biografinë e tij mbi mendimin politik. Antonio Gramshi nuk ka publikuar asnjë libër gjatë jetës së tij, por nga viti 1915 deri në vitin 1926, viti në të cilin burgoset është autor, (që shpesh shkruan nën pseudonime) i qindra artikujve për politikën dhe kulturën e atyre viteve. Ka themeluar gazeta të përditshme dhe gjithashtu revista, por ai vetë, nuk ka menduar kurrë që artikujt të mund t’i përmblidhte në vëllime të përveçme. Në nëntor 1926 Gramshi burgoset duke qenë njëkohësisht në cilësinë e deputetit të Parlamentit Ialian të asaj kohe, përfaqësues i Partisë Komuniste të Italisë të asaj kohe dhe pasi burgoset kupton se pavarësisht viteve në të cilat ka qenë i angazhuar në shtpin e atëhershme nuk ka lënë asnjë vepër të botuar. Ky vëllim i vogël, “Çështja jugore” është shkrimi i fundit i Gramshit, që ai përgatiti para se të arrestohej e që donte ta publikonte në një revistë të re që do ta botonte, e që e botoi në Paris më 1927 nënn titullin “Shteti punëtor”.”, shprehet Francesco Giasi, drejtor i fondacionit “Gramsci”, i pranishëm në Tiranë gjatë prezantimit të librit dhe gjatë një seminari të mbajtur për figurën e Antonio Gramshit me studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë.
Vepra është një ese e shkurtër e shkruar nga Gramsci më 1926, disa muaj përpara se të arrestohej. Në të trajtohen çështje të intelektualëve, të aleancave midis fshatarëve të jugut dhe punëtorëve të Veriut, si një lloj mënyre për t’iu kundërvënë aleancave të sipërmarrësve të mëdhenj industrialë të veriut dhe pronarëve të mëdhenj të tokave të jugut.
Kjo e bën edhe më të qartë rëndësinë e këtyre shkrimeve, në të cilat Gramsci shtron çështjen jugore si një problem që prek drejtpërdrejt përgjegjësitë dhe vetë strukturën e shtetit.
“Si fondacion ‘Gramsci’ i Puglia-s, aktivitetet tona janë me shqiptarët dhe për shqiptarët. Në vitet e fundit jemi të interesuar për trashëgiminë kinematografike të Shqipërisë. Kemi kontribuar në restaurimin e tre filmave shumë të rëndësishëm për kinematografinë shqiptare, me personazhe negativë italianë. Ndërsa tashmë kemi zgjedhur të merremi me mendimin Gramshian. Mendimi i tij politik nuk është vetëm i lidhur me Italinë, por është një mendim i lirë, një mendim intelektual që përshtatet në të gjithë periferitë e botës, kështu që Shqipëria, ashtu si Italia e Jugut dhe sit ë tjera periferi mund të bëhet qendër. Mendimi i Gramshit i flet të sotmes, i flet të ardhmes. Për këtë jemi këtu në Shqipëri, të flasim për të tashmen, të flasim për të ardhmen, nga një vështrim i së shkuarës dhe kemi zgjedhur të flasim për Gramshin.”, – shprehet Vito Saracino, koordinator i veprimtarive me jashtë të fondacionit “Gramsci”.
“Çështja jugore’ është një temë mjaft delikate në kohën kur Gramshi e shkruan se kemi të bëjmë me një trajtesë që nxjherr në pah mjaft problemet dhe kontradiktat e shoqërisë italiane të kohës, sidomos të atyre të Jugut, fshatarësia e jugut, që është e nënzhvilluar dhe ka probleme të mëdha strukturore dhe social-politike. Është eseja e cila përmban temat kryesore mbi të cilat Gramshi do të arsyetojë më pas te “Fletorja e burgut”, siç është çështja e intelektualëve, një çështje mjaft e rëndësishme e mendimit politik të tij. Ai i trajton intelektualët në aspektin politik, të tillë, që pasqyrojnë interesat e një shtrese të caktuar., duke bërë kritikën ndaj intelektualëve të mëdhenj të asaj kohe, si Benedetto Croce.”,- thotë shqipëruesi i veprës, Alfred Bushi.
“Mendoj se përmes këtij botimi është rasti më i mirë për të nxjerrë në pah faktin që kemi të bëjmë me një figurë të shquar, jo vetëm përsa i përket njëfarë trashëgimie arbëreshe, në ato që janë rrajet e tematikave të mëdha kulturore të Italisë së fillimshekullit XX, por dhe për të nxjerrë në pah faktin tjetër, që sot figura e Antonio Gramshit, për atë që i ka transmetuar kulturës italiane dhe debateve të mëdha filizofike, politike në fillim të shek. XX ka vëmendjen e pothuajse të gjitha katedrave botërore që i referohen shkencave sociale apo humane. Unë mendoj që botimi për herë të parë i Gramshit në shqip është rasti më i mirë, jo vetëm për ta përkujtuar, por edhe për të thënë se më në fund ndër botimet shqiptare ndërfutet një nga figurat më të trajtuara sot dhe një ndër figurat më të cituara sot, në të gjithë studimet bashkëkohore në rrafshet e historisë, filozofisë, politologjisë dhe studimeve të tjera kulturore.”, – shprehet studiuesi Edon Qesari.
Filozof, politikan, gazetar dhe teoricien marksist italian, një nga themeluesit e Partisë Komuniste të Italisë në vitin 1921, Antonio Gramsci është lindur në Ales të Sardenjës. Ai u shqua për analizën e tij të thellë të shoqërisë, kulturës dhe pushtetit, duke zhvilluar koncepte kyçe si hegjemonia kulturore. Sipas tij, klasa sunduese nuk imponohet vetëm përmes kontrollit politik dhe ekonomik, por edhe përmes përhapjes së një vizioni të botës që bëhet “normal” dhe i përbashkët nga shoqëria.
I arrestuar nga regjimi fashist në vitin 1926, ai e kaloi pjesën tjetër të jetës në burg, ku shkroi “Quaderni del carcere”, vepra themelore për teorinë dhe filozofinë politike bashkëkohore. Në to trajtonte çështje që lidhen me kulturën, arsimin, filozofinë e praktikës dhe strukturën e shoqërisë. Mendimi i Gramscit ka ndikuar thellësisht marksizmin perëndimor, teorinë kritike, studimet kulturore dhe shkencat sociale dhe ka mbetur një pikë referimi për intelektualët dhe lëvizjet politike në mbarë botën.