Në kushtet e një shpërfillje të plotë politike ndaj vlerave themeltare të çdo shoqërie, pozita ka bërë që në tri mandatet e qeverisjes së saj, të largojë me dhunë nga Shqipëria qindra dhe mijëra shqiptarë. Arrestimi i fundit bëri bujë ndërkombëtare. Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryetari i Partisë Socialiste për kryeqytetin, Erion Veliaj, u arrestua. Një tjetër ish Zëvendës/Kryeministër është larguar në azil. Kryeministri Rama na kujton përditë thënien e lashtë se oratoria e tij është art i pastër mashtrimi, ose ai është Ali Baba i ndershëm, ndërsa faji u ngarkohet veç 40 hajdutëve.
Duket sikur kemi dy shtresa shoqërore të shkëputura prej njëra-tjetrës: shtresën e politikanëve zeusë dhe popullin dele. Zeusët bëjnë ç’të duan me delet; i vjedhin, i therin, i bëjnë kurban. Populli dele, i një prej vendeve më të pasura me pasuri nëntokësore e mbitokësore duhet vetëm të shohë e të mos bëj gëk, kur para syve u rrënohet shëndeti e s’kanë para të blejnë ilaçe, që në shumicën e rasteve janë të skaduara, t’u ikin fëmijët udhëve të botës pasi i shkollojnë me njëmijë sakrifica, apo nëse u sëmuren fëmijët ta mbajë shpresën te mbledhja e ndihmave nga emisioni “Shqiptarët për shqiptarët”. Çfarë po ndodh me politikën shqiptare?
Shtresa e zeusëve vjedh taksapaguesit dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për çmimet më të larta në Europë në raport me rrogat e turpshme. Mjekët na shohin vetëm nga duart. Pastaj për sëmundjet e rënda i bie të shesim shtëpitë dhe të kurohemi jashtë? Po brezi i ri që jeton me qira dhe e mbajnë frymën gjallë falë punës në Call Center-at e pambarimtë në Tiranë e rrethe? Arsimi i mbushur vetëm me mësues me diploma të blera, apo njerëz që adhurojnë foltoret e PS-së. Të rinj të indoktrinuar që në moshën 18-vjeçare, dalin plot pathos e thonë se jemi petalet më të bukura të trëndafilit socialist. Është mosha kur në SHBA dhe gjithë vendet e zhvilluara, adoleshentëve u mësohet vlera e lartë morale e punës dhe e dashurisë për vendin.
Në Shqipëri edukohen të jenë servilë, puthadorës dhe çdo gjë ta arrijnë përmes politikës, si të vetmes mënyrë për të gjetur punë e pasuruar sa hap e mbyll sytë. Zeusët e vjetër, ata që kanë nevojë për rininë e popullin vetëm në fushatat elektorale kanë nevojë për kurbane të reja, për petale trëndafili që u përdhunohet truri dhe vizioni për jetën në shoqëri, pa dalë ende në jetë. Shtyllat e shoqërisë janë tronditur më shumë se gjatë diktaturës komuniste, kur ishim të gjithë skllevër, por në atë skllavëri nuk ra të paktën figura e mësuesit.
Kur kam qenë ende në 8- vjeçare, e internuar në baltrat e Lushnjës, kujtoj një varfëri ekstreme, një terror si ky i sotmi mos me pas guxim as në ëndërr mos me iu përul Partisë e diktatorit Hoxha, ama figura e mësuesit nuk u përçudnua në këtë formë. Kujtoj pafuqinë me të cilën mësuesi qëndron para nxënësit. Mësuesi i mirë, misionari më i përhumbur i shoqërisë shqiptare duhet vetëm të heshtë për çdo situatë në klasë, kurse mësuesi i PS-së i merr nxënësit me të mirë e i shpie në mitingje. Prindër që nuk kanë respekt për mësuesin, mësuesi i përkushtuar që ndihet i braktisur në rolin e tij, nxënës kapadai që mburren me paratë e prindërve të vëna në kohë rekord, me celularë nga 1 mijë euro nëpër duar dhe të tjerë që ndjekin shembullin e të parëve me një fjalor tejet të keq.
Shoqëria dhe individët e saj e krijojnë modelin nga modelet e qeverisjes. Në vendet skandinave kryeministri shkon në punë me biçikletë, në New York edhe për të pasurit ka histori pune. Në Shqipëri Kryeministri ndërton pallat mbretëror, vajza të reja të paartikuluara bëhen zëvendës/ministre, intelektualët marrin udhët e botës se nuk u del rroga as për të ngrënë. Kush mbetet pastaj ose vuan, ose mbyll gojën se i kontrollohen dhe komentet në Facebook, ose është tepër mirë nga ekonomia sepse serviloset e i bën duá PS-së.
Për çfarë rrezikuam jetën kur u ngritëm në protesta në vitet ‘90 ne studentët e Dhjetorit të madh? Rezistenca ndaj diktaturës nisi në Shkodër, dhe unë vajza me pantallona të kuqe që përmend në kujtimet e tij Ilir Seci, kam qenë në rradhën e parë të demostratave të studentëve. E ardhur nga Veriu i vendit që Hoxha na trajtoi si “second hand people” dhe me dajët e persekutuar, e ndjeva si çdo shqiptarë se ndryshimi duhej. Kush e bëri rezistencën e çfarë fituam?
Edhe kanalet kulluese, si më e mira vepër e Shqipërisë hoxhiste, tani nuk pastrohen më. Shkodra e plehrave të hedhura andej e këtej, gdhihet e tëra e përmbytur. Njerëz që vjedhin e sillen si pushtetarët e të ndershëm që rrojnë se nuk vdesin dot. Shqipërinë po e mbyt papastertia në çdo instancë, ambient, gjykata, shëndetësi dhe arsim. Prindërit e moshuar ia dalin vetëm nëse i ndihmojnë fëmijët emigrantë. Askush nuk ka frikë nga asgjë. Injorantët janë bërë kompetentë zyrash ku nuk mbaron dot një punë pa dhënë rryshfet dhe specialistët e mirëfilltë po trajtohen me shpërfillje të plotë.
…Mëngjes i ftohtë në New York. Të gjithë nxitojnë për punë, të veshur me tuta e atlete. Pronarët e bizneseve punojnë dhe vetë me të njëjtin ritëm si punëtorët. Në veshët e mi vjen ky dialog mes dy vajzave të reja shqiptare. -E dëgjove, gati një milion euro vetëm për blerje online gruaja e Erjon Velisë. Shyqyr që ikëm. -Unë nuk kisha pse ikja shoqe. Mbarova shkollë e master duke u dypunësuar e nëna na bërtiste pse ndiznim sobën për t’u ngrohur. Shumë shtrenjtë energjia, ç’të bënte dhe nëna. Pastaj shita shtëpinë se nëna u sëmur e duheshin shumë lekë. Kur mbaruan dhe lekët e fundit i kërkova të afërmve të më gjenin një burrë këtej…
I dëgjoj e më mblidhen lotët në fyt. Nxitoj të kap trenin tjetër për të mbërritur në punë në orën e duhur. Amerika as nuk ma fal vonesën dhe as nuk ma ha hakun e punës…
![](https://revokult.com/wp-content/uploads/2025/02/6a9342a2-027f-434a-81b9-1241b37d636e.jpg)