“Është një lavdi e sigurt të mos jesh i kuptueshëm”
Sharl Bodleri
Poezia e Martin Camajt është një dukuri me rëndësi si në nivel europian ashtu edhe kombëtar. Krijimtaria e tij zhvillohet nëpërmjet formave të lira dhe moderne, duke e bërë atë një nga shkrimtarët më programatikë në letërsinë shqipe. Lirika europiane e shekullit XX paraqet sfida, duke ofruar një strukturë komplekse dhe me shumë të panjohura, që e bën të vështirë hyrjen në të.
Camaj arriti të sjellë në poezi një thellësi dhe ndjeshmëri që reflekton identitetin dhe përvojat e tij, duke e vendosur atë në një kontekst më të gjerë letrar. Kjo lidhje mes traditës dhe modernitetit është çelësi i veprës së tij dhe e bën atë një figurë të rëndësishme në letërsinë shqipe dhe europiane. Teksti i Martin Camajt eksploron thellësitë e poezisë përmes një “ëndrre të kontrolluar,” e cila ndryshe nga identitetet surrealiste dhe nënshtrimet frojdiane, ofron një qasje më disiplini. Kjo “ënderr e kontrolluar” lejon depërtimin në kufijtë e dukurive, duke i inkuadruar ato sipas ligjeve poetike. Përmes gjendjes onirike, Camaj arrin të reflektojë realitetin, sidomos atë që është rastësor dhe skematik, duke e çuar lexuesin në një dimension romantik të plotë. Hermetizmi dhe koncepti i “errësirës poetike” janë aspekte të rëndësishme të veprës së tij. Sa i “erret” është Martin Camaj dhe sa qëndron nën shenjën e Hermesit, mbetet për t’u shqyrtuar. Hermetizmi dhe errësira, si realitete të poezisë, nuk janë aspak pejorative; ato duhet të lidhen me nocionin e hapjes së veprës letrare, siç e thekson Umberto Eco. “Fjala hermetizëm nga sferat e tjera të jetës u bart në letërsi, për të treguar ato vepra që nuk janë të hapura, por të mbyllura, që nuk janë të qarta, por të paqarta, domethënë ato vepra, idetë dhe porosia e të cilave nuk mund të nxirren lehtë [1]Termi hermetizëm ka një lidhje të fortë me poezinë moderne, ku një sferë ontologjike strikte implikon poetika hermetike, ndërsa errësira e lirizmit modern refuzon fiksimin ontologjik dhe lë të lirë ambiguitetin. Kështu, Camaj krijon një hapësirë letrare ku poezia e tij jeton në tensionin midis kontrollit dhe lirisë. Në rrafshin kuptimor, fjala hermetizëm është e barazvlefshme me fjalën e fshehtë dhe okulte. Ndërsa më vonë kuptimi derivoi në shenjimin e diçkaje të mbyllur e të izoluar[2]
Eshte folur shpesh për lidhjen që ekziston mes poetit modern shqiptar Martin Camaj dhe hermetikut italian Xhuzepe Ungareti. Bëhet fjalë për një problematikë studimi që vetëm sa është përmendur pa hyrë në analiza të veçanta. Na u duk me interes t’i qasemi një përqasjeje konkrete midis poezisë së Ungaretit dhe poezisë së Camajt. Giuseppe Ungaretti dhe Martin Camaj jetuan në të njëjtin shekull të trazuar, të njëzetin; u zhvendosën në të njëjtin areal gjeografik, mesdhetarin; spikatën në të njëjtin model ekspresiv, hermetikun. I pari u shua në Itali me ëndrrën e çmimit ndërkombëtar Nobel ndër sy. I dyti i mbylli sytë para se të institucionalizohej me botim vepre në Shqipëri. Ata u takuan fizikisht në vitet 1956-1960, në auditorët e Universitetit “La Sapienza”, ku Ungaretti ishte pedagog i letërsisë moderne italiane dhe i asaj bashkëkohore. Martin Camajt, poetit të promovuar në Prishtinë dhe më pas studentit doktorant në Romë, i takoi të dëgjonte prej profesorit ekspert Giuseppe Ungaretti komente mbi Danten, Petrarkën, Leopardin. Gjithashu ndoqi një cikël leksionesh mbi laboratorin krijues të vetë Mjeshtrit i cili kishte arritur në atë kohë një famë mjaft të qartë botërore. Lektori sharmant rrëfehej aty kësisoj: “Poezia e vërtetë paraqitet para së gjithash në fshehtësinë e saj. Përherë ka ndodhur kështu. Sa më shumë arrijmë t’i përçojmë emocionet dhe të renë e vizioneve tona ndër fjalë, aq më shumë fjalët arrijnë të vishen me muzikë që është e para treguese e thellësisë poetike përtej çdo caku të përmbajtjes.[3]” Sipas mendimit tonë, më shumë se modele të ngjashme, Camaj mori prej Ungaretit ndjesinë hermetike, duke e reflektuar atë në momente të veçanta të poezisë së tij. Kjo është një rjedhojë e qëndrimit të Camajt për një periudhë pesëvjeçare në Romë dhe konkretisht në Universitetin e Romës, ku vazhdoi studimet mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut. Megjithëse ka pasur fatin të njohë shumë vlera nga arti modern i botës, Camaj ngul këmbë se mbetet vetëm shqiptar dhe se influencat e jashtme janë plotësuese të artit të tij. Camaj shprehet: “Lirika ime përrjetësohet me hermetizmin italian, me qëllim se kam ndëgjuar nja dy vite në Universitetin e Romës leksionet e Ungaretit, i cili ishte profesor në këtë universitet. Në të vërtetë, në disa lirika shqiptare moderne, nuk kemi të bëjmë me hermetizëm, por përdorim simbolikën tradicionale tonë që gjendet dhe në poezinë popullore shqiptare.”[4]
Ky pohim i Camajt shpreh bindjen e tij për t’iu shmangur çdo ndikimi modern që mund të zbehtë përmasën e lirikes autoktone shqiptare. Por, edhe nëse nuk i bëri të vetat me vetëdije leksionet e Ungaretit mbi poezinë, detyrimisht ai filtri i padukshëm i artistit duhet të ketë thithur nga mjeshtri i fjalëve në mënyrë instinktive artin e madh poetik që shpaloste poezia italiane. nTek një artist, përveç atyre aspekteve që ai vetë i njeh dhe i shpall me vetëdije, mbeten të fshehura edhe shumë përvoja, të cilat edhe ai vetë mund të mos i kuptojë, por që në thelb kanë lënë gjurmë në krijimtarinë e tij. Camaj, duke mbështetur mendimin e shprehur më parë se nuk është poet hermetik, plotëson përsëri: “Format, rrymat e reja, shijet nganjëherë paraqesin një simbiozë mes përvojës shpirtërore autoktone dhe atyre universal”[5]. Por pavarësisht emërtimit që mund t’i vendoset, “poezi hermetike” apo “poezi me errësi gjuhësore” mbetet fakt se karakteristikat përbërëse të poezisë së tij janë shprehje e tipareve më të qenësishme të modernitetit dhe janë shenjë e një trajte krejt origjinale në panoramën e poezisë shqipe dhe më gjerë.
Ai krijoi larg kontekstit të letërsisë imponuese dhe larg shtampave gjuhësore e parullave të komunizmit, kështu letrarja mbeti kredoja e tij krijuese. Shumë prej studiuesve që e përligjin si të padiskutueshëm kanalizimin e poezisë së Martin Camajt në hullinë e hermetizmit, udhëhiqen prej dy rrethanash, ku njëra është brendaletrare e lidhet me vetë tiparet e gjuhës poetike, ndërsa rrethana tjetër është jashtëletrare dhe lidhet me periudhën e qëndrimit në Romë të Camajt, ku mendohet se ai ka marrë mësime nga G. Ungareti, një prej përfaqësuesve më në zë të hermetizmit në letërsinë italiane. Bashkëpunimi me Ungaretin dëshmohet edhe përmes pohimit të Camajt, në një intervistë të dhënë në nëntor të vitit 1991 për gazetën “Allgemene Zeitung”, ku e cilëson Ungaretin si “poet i madh por profesor i dobët”.[6] Përveç të tjerash, tezat teorike të Ungaretit mbi poezinë, duket sikur gjejnë mishërim edhe në kredon letrare të Martin Camajt, gjë që nënkupton pashmangshmërinë ndikuese. Pavarësisht ndikimit në frymën abstraguese të poezisë dhe largimit nga skemat tradicionale poetike, linjat komparative mes këtyre dy autorëve janë larg njëra-tjetrës, për shkak se botëkuptimi i tyre kulturor dhe perceptues është tejet i ndryshëm dhe për pasojë, rrekja për të gjetur pikëtakime duket pa themele të qëndrueshme mbështetëse dhe të shpie në rrugë pa krye. Kjo ndodh për faktin se, pavarësisht ndonjë elementi ndikues, poezia e Camajt është një formë origjinale e shprehjes moderne, që ngrihet mbi rrënjët e traditës poetike e kulturore shqiptare.
Tek Martin Carnaj eshtë e nevojshme një rrugë gjetjeje që të sqarojë kuptimin e këtij lirizmi. Përdorimi i më shumë rrugëve, pa një drejtim të qartë, mund ta fshehë përfundimisht atë. Herë-herë mund të hyjë në punë intuita, por për zberthimin e veprës së tij mund të jetë e pamjaftueshme. Lirika moderne i jep gjuhës një funksion paradoksal për të shprehur dhe për të fshehur kuptimin në të njëjtën kohë. Errësira bëhet kështu një element estetik. Ajo duket se më tepër e bën lexuesin të largohet sesa të afrohet, apo ndryshe, e lë atë pezull. Lirika e errët flet për evento, figura apo sende, shkakun e të cilave, kohën, vendin për të cilat lexuesi nuk është dhe nuk do të bëhet kurrë i ditur:
Në gjarpijtë e zezë, ti je e zhveshur nën diell.
Në gjarpijtë e zezë
e rrinë buzë në buze
e kruajnë buzë në buze, e jeta e tyre është e bardhë, e bardhë e bardhë nën diell,
e jeta e bardhë, nën diell e bardhë, e bardhë.
Mjaltëzat lagin me mjaltë
Gurzit e prrojeve të thata
(Gjarpijtë e zezë)
Poezia e fazës së pjekurisë së autorit tonë është tërësisht e shkëputur nga skemat tradicionale, karakterizohet nga gjuha dhe shprehjet sintetike, me koncentrim simbolesh e ftohtësi objektive. Pikërisht këto tipare të tekstit poetik i shpien shumë studiues në etiketimin e poezisë së tij si hermetike, “ngaqë disa lexues nuk depërtojnë dot në botën e shenjave dhe simboleve shqiptare[7] Njëherësh ky mosdepërtim mund të interpretohet edhe si errësi kuptimore, ku gjuha ka një funksion paradoksal: për të shprehur nga njëra anë, e njëkohësisht nga ana tjetër, për të fshehur. Raporti mes pranive dhe mungesave përplotësohet nga intuita dhe niveli kulturor i receptuesit të vargjeve. Radha e natyrshme e leximit të kësaj poezie nuk ka të bëjë me linearitetin e mesazhit gjuhësor. E tillë është poezia moderne, nuk kërkon lexim linear, por tabular, sepse në thelb, kjo lloj poezie, lidhet me artin e kalimit nga fjalët te sendet dhe jo e kundërta. Fjalët duhet të krijojnë një imazh a një përshtypje të caktuar në mendjen e lexuesit dhe këtë imazh e mbart me vete çdo lexues i Camajt. Pavarësisht qasjeve argumentuese të raportit që Martin Camaj vendos me hermetizmin, autori vetë nuk e pranon përfshirjen në asnjë kanon a model, qoftë brenda sistemit letrar, qoftë jashtë tij. Ai e kundërshton qartësisht etikimin e krijimtarisë së tij si hermetike, teksa thotë “…shtimja në kallëpe më ban të trishtë, si në hymjen e “Poesie” të Guzzetta-s me shokë. Unë nuk jam hermetik; ata çka ata marrin për hermetizëm dhe në poezinë tonë popullore ashtë simbolizëm, në daç dhe me prejardhje orientale, por simbolizëm apo alegorizëm”.[8] (Letër e Martin Camajt dërguar Arshi Pipës, 21 shkurt 1986.
Ndërsa sipas pikëpamjess së eseistit Ardian Klosi, tek botimi i parë i veprës letrare të Martin Camajt në Tiranë: “Element i poezisë së Camajt janë trajtat e shkurtra lakonike, me kapërcime befasuese dhe pa ndonjë fabul logjike, ku heshtja shkëmbehet me fjalën dhe fjala sapak e nxjerr kryet si dhe tek Ungaretti [9].” Konstatimi është i saktë, mbasi që në fillimet e saj poezia hermetike merr si pikënisje zotërimin e teknikave të kultivuara stilistike dhe leksikun e pasur, thikë me dy presa. Ky binom del si paramendim i inovacionit fin tek çdo përfaqësues eminent i kësaj shkolle të sofistikuar letrare. Nga ana e tij teoricieni i kritikës artistike dhe poeti i njohur Arshi Pipa, në një revistë në Prishtinë ka zbuluar se: “Shumica e vargjeve të çuditshme në “Lirika mes dy moteve” dhe “Njeriu me vete e me të tjerët” janë variante të imituara nga “M’ ilumino d’ immenso”, një lojë mes të ngjashmes dhe të pangjashmes[10]
Leksionet Ungarettiane të Camajt.
Përkthimi ka zënë një vend të posaçëm në literaturën e mërgimit, që nga Carducci, D‘Anunzio, Ungaretti, T. S. Elliot etj. por në plejadën e përkthimeve moderne shkëlqejnë përkthimet e Ungarettit dhe të Pasternakut nga Camaj, përkthime që do t’i ndikonin në teknikat e veprave të ardhme poetit të ri që rivitalizoi mënyrën (stilin) e shkrimit nisur nga këto arritje të poezisë bashkëkohore me konceptualitetin, kursimin e vargjeve dhe sinkopimin e tyre. Por asindetët i dhanë poezisë sonë një fuqi të re në një masë më të ekonomizuar [11]të shprehjes dhe sidomos të prirur nga analogjitë dhe mendimi që bashkon të shekullit XX.
Ky ndryshim i poezisë shqipe i atribuohet Camajt dhe kontakteve të tij me Ungarettin si një pikë kthese e artit shqiptar të fjalës. Martin Camaj në leksionet ungaretiane të ndjekura prej tij në vitit 1956 e futi sistemin tonë letrar në polisistemin botëror të vlerave me riconcepsionin e vargut dhe hyrjen në temë në mënyrën më spektakolare, duke tronditur lexuesin e viteve ’50 ’60 të letërsisë shqipe që receptonete repertorë të zgjatur poemash të epikës social-nacionaliste ku vargjet rimoheshin dhe përsërisnin njëri tjetrin në një fabulim zhurnalistik, ku dominohej nga rrëfimi epik.
Camaj dhe Ungaretti, përkthyesi dhe mjeshtri në një veprimtari ndërkulturore mes tyre sollën epokën e re të poezisë shqipe në modernitet mjafton të përmendim veprat e tyre homonime “Legjenda”.
Atdheu në një filtër vetanak
Atdheu te Martin Camaj, ndoshta për shkak të mungesës fizike të tij, shfaqet në format më natyrale të mundshme. Shartimi i imazheve të fëmijërisë, miteve dhe legjendave me ngjarjet e përditshme do të bëjë që pamjet e atdheut të paragjykohen përmes një filtri vetanak. Është e rëndësishme të theksohet se në tekstin poetik nuk hasim simbole apo shenja të një konvencioni të gjerë kombëtar. Poeti përshkruan objekte dhe shenja që lidhen me një përvojë të pandashme. Vendlindja me relievin e saj të ngacmueshëm, jeta e izoluar gjeografikisht, ruan më shumë se kudo trajta të një jete antike, arketipale, plot magji, ku jeta dhe organizimi i saj kryhen sipas disa rregullave që konzervohen vetëm atje. Këto rrethana do të mbeten përjetësisht në ndërgjegjen e poetit.
Kështu poeti shprehet: “Poezia ime rrjedh nga këto rrethana jete që unë dua ti kujtoj!” Për shembull, ai thotë: “Kam lindur nën një vis të egër ku s’ka shkelur kurrë këmbë kafshësh.” Ky vend është i thyeshëm. Prej përjetimeve atje, pas të shtatës jetë deri në të dymbëdhjetën, kujtohet me kujtim të thellë, përshkruar në fier, saktësisht ndjenja e të ftohtit të një lëkure të lëmuar…
Në tekstin poetik, poeti bën përpjekje për të zbuluar dhe interpretuar identitetin e tij dhe, në një kontekst më të gjerë, identitetin e kombit të tij. Realiteti është i shkëputur nga dimensionet hapësinore, kohore, objektive dhe shpirtërore, duke injoruar ndryshimet e nevojshme të një orientimi normal në botë, të cilin ai e refuzon[12]. Duke konsideruar se do të sjellë paragjykime, ai e ndan botën midis të bukurës dhe të shemtuarës, afërsisë dhe largësisë, dritës dhe hijes, dhimbjes dhe gëzimit, tokës dhe qiellit. Eko thotë: Në lojën e ndërtekstualitetit dhe të ndikimeve duhet të kesh gjithnjë kujdes të mos zgjedhësh kurrë zgjidhjen më naive.[13] Ndërsa Pipa në një studim për Montalen, kur shpjegon ndikimin e poetit nga vepra letrare e Dantes, që ka vepruar si pjesë e formimit jo vetëm artistik të tij, thotë: “Kur ai krijon, pjesë nga ajo që ai ka lexuar dhe asimiluar vjen në mendje në formën e saj origjinale dhe pjesë në formën pak a shumë të kujtimeve të turbullta; teprica, e inkuadruar në përvojën e poetit si ushqimi në gjak, i shpëton identifikimit.[14]” Ne kemi zgjedhur të shqyrtojmë një lojë ndërtekstualiteti mes poetit udhëtar-shtegtar në krijimtarinë poetike të Camajt dhe poetit beduin-nomad në krijimtarinë e Ungaretit. A është ndikuar Camaj prej poetit italian? Të dyja këto koncepte, si ai i shtegtarit dhe ai i nomadit kanë të bëjnë me idenëe udhëtarit. Udhëtari klasik në kuptimin që merr kjo fjalë në përdorimin më të gjerë e më të zakonshëm është Uliksi. Kjo figurë e mitologjisë greke ka shtegtuar nga një tekst në tjetrin me lehtësinë që i jepte domethënia e vetë mitit. Uliksi përmban në vetvete dëshirën universale të njeriut për të zënë dhe, për të gjetur ose rigjetur shtëpinë e tij. Por krahas kësaj ka edhe shtresëzime të tjera që i janë shtuar atij gjatë kohës: krahas kërkimit të kthimit në shtëpi është dhe ai i eksplorimit të botës, të panjohurës.
Unggareti kërkon të krijojë, brenda dhe jashtë vetes, në natyrë, në ambientin përreth një vend të pafajshëm, dhe këtë e arrin nëpërmjet kujtesës.
Mi sono accoccolato Jam përkëdhelur
Vicino ai miei panni Pranë teshave të mia
Sudici di Guerra Vasal i luftës
E come un beduino U përula të prano
Mi sono chinato a ricevereIl sole Për të marrë diellin
Ndërsa Camaj dukefolur për botën nga ka ardhur bën një përmbysje: ai fshihet pas syve të një fëmije, pas kujtesës së tij të largët duke zvogëluar veten dhe hiperbolizuar hapësirën që ka në kujtesë.
Pava n’për qiellin e vrrinit dikur
Tue kalue shum re
Dhe lument e turbullt tue bajtun
Gur e landë
Lumenjtë e vendlindjes së tij shtohen, egërsohen e zmadhohen, duke i rritur vlerën frikës që ndjen ai si fëmijë përballë të madhërishmes. Ai sjell momentet e fëmijërisë me disa detaje të hollësishme që i shoqëron një ankth i mbetur brenda vetes dhe në të sotmen e poetit, i cili madje shprehet se ato kujtime “me mote n’mue janë rritë”. Mosmbërritja dot në botën që atij i është e ndaluar është shqetësimi i poetit. Mosarritja e paqes shfaqet pikërisht për shkak të dhimbjes për këtë shqetësim që është “lule gjaku n’shullaje”
Në poezinë “I fiumi” kemi të bëjmë me pranimin e ndërgjegjes historike të poezisë si eksperiencë biografike dhe njohëse, që shkatërron dhe njëkohësisht rinovon traditën –tema themelore e gjithë Ungaretit dhe në fund të fundit e çdo poeti. Aty janë prekur etapat e jetës së nomadit (poetit) që prej trashëgimisë familjare e personale e deri te përvoja vetjake europiane, të cilën ne e përngjasojmë me “Tingujt e pare” të Camajt. Edhe te Camaj ndjehet një shqetësim i fshehur, që rri aty dhe këmbëngul megjithëse për të nuk flitet. Ungareti përpiqet të purifikohet në ujin e lumit, dhe të krijojë vendin ideal, larg realitetit, Camaj përballë madhështisë që ka përshkruar në vargjet e para, ka largësinë mes tij dhe vendit ku e ka të ndaluar të shkojë, ndaj e sjell atë përmes kujtesës, duke e shndërruar distancën reale hapësinore në distancë kohore
- Shtegëtimi i Dy Poetëve
Camaj dhe Ungareti janë dy autorë që e njohin mërgimin që herët, duke mos mundur të hedhin rrënjë në asnjë vend. Camaj kalon nga Beogradi në Romë, pastaj në Munih, ndërsa Ungareti shkon nga Egjipti (ku lindi dhe u rrit) në Romë e pastaj në Brazil. Tek të dy, Roma shkakton ndjesi të veçanta, të jashtëzakonshme, aq sa përbën kolonën më të rëndësishme mbi të cilën ngrihet vepra e Ungaretit “Sentimento del tempo”, e përshkuar nga gjithë pasioni i stilit barok. Ndërsa për Camajn, Roma është qyteti ku, siç thotë ai, “…nxuna me mue artin e shekujve, si gjë të kushtueshme, pajë e njerëzimit”. Në një intervistë tjetër, ai shprehet: “…Italia në të vërtetë ishte atdheu im i dytë”.
Të dy poetët provonin mall, gërmonin në kujtimet tashmë të largëta që struken në nënvetëdijen e tyre. Herë-herë, zgjohen pjesëza kujtimesh me pamje konkrete, sa artistikisht të plota po aq edhe kuptimisht tronditëse. Këta dy pelegrinë rievokojnë oazin e tokës së lindjes.
Kështu gjejmë tek Ungareti dhe te Camaj:
– *(Il capitano): Fui pronto a tutte le partenze – > (Isha gati për çdo nisje)[15]
– *(Fragment): Niset për në kurbet punëtori[16]
Kemi të njëjtën strukturë, të njëjtën ide të nisjes, të shtegëtimit. Nëpër kujtimet e hershme ata nuk lodhen së kërkuari imazhe të jetuara. Kur ngjarje të caktuara, gjendje shpirtërore, mënyra të ekzistuarit nuk shoqërohen nga një datë e caktuar në kalendar, atëherë ngjajnë me një të tashme të përjetshme, që mund t’i kushtohet si të shkuares ashtu edhe të tashmes.
- Te Camaj, gjithçka është kujtesë, në fund të fundit. Kujtesa është themeli i të bërit art.
Camaj nuk i përmend stacionet e tjera të jetës së tij, por vetëm ato të fëmijërisë, sikur pjesa tjetër të jetë shkatërruar. Atdheun e premtuar Ungaretit i duhet ta rikrijojë nga e para, madje duke e shkatërruar të tashmen reale, sepse është periudhë lufte, ndërsa Camaj atdheun si tokë të premtuar e ka në kujtesë, si vendin ideal dhe nuk e përmend atdheun real. Ungareti është udhëtari i përhershëm. Tema themelore e jetës-vdekje e shoqëron atë deri në poezitë e fundit në vëllimin “Il taccuino del vechio”. I pastruar nga lluca e jetës që mbante mbi shpinë, poeti i qartësuar tashmë nga dhurata e përfituar e qartësisë, përshkruan imazhin e paharrueshëm të vdekjes në shkretëtirë:
poi mostrera il beduino Pastaj do të shpalosë beduini
dalla sabbia scoprendolo nga rëra zbuluar
frugando col bastone, duke rrëmuar me shkopin e tij
un ossame bianchissimo. një tufë eshtrash të bardha
Te Camaj në vëllimin Lirika mes dy moteve kemi vargjet:
Nëpër palcin e eshtnave ndij
Frymën e vdekjes.
Për rreth digjet ajri
E shikimi tret në udhën e pa skaj. (“Mes shëngjergjave”)
Po ashtu Camajn e shqetëson jeta-vdekje. Poeti edhe vdekjen ashtu si dhejetën e ka të lidhur me udhëtimin. Njeriu është një udhëtar që vazhdimisht shkon drejt së panjohurës. Realiteti rreth tij e bën të vuajë, e bën që ta ndjejë si vdekje, si mbarim, ajri që digjet e shqetëson, ndaj kërkon të arratiset nga ai realitet, nga ajo botë e do të marrë udhëtimin drejt pafundësisë, drejt atij vendi ku do të gjejë paqen. Për Ungaretin figura e nomadit ka qenë uni i tij poetik ashtu si për Camajn udhëtari. Figura e nomadit, beduinit, shkretëtirës dhe e mirazhit kanë qenë imazhet e mbetura në kujtesën e poetit, janë peizazhi që e ka shoqëruar në fëmijërinë e tij dhe ai e përdor për të shpalosur kërkimin e tij poetik për të rikrijuar atë botë ideale që i mungon. Nomadi është një figurë që nuk ka shtëpi dhe ai është në udhëtim të vazhdueshëm në kërkim të tokës së premtuar, ashtu si titullohet edhe një vëllim poetik i Ungaretit. Po ashtu dhe Camaj është nisur në udhëtim duke lënë gjithçka pas dhe duke marrë vetëm kujtimin e malit, lumit, vrrinit, tbanit, përrallat dhe legjendat dhe i bën pjesë të botës së tij të rikrijuar poetike, duke rikrijuar atdheun. Ungareti çastet poetike, si përjetime fluturake të mrekullueshme, frymëzuar nga fshehtësia e misterit të të pavetëdijshmes i shpreh si ndjenjë universale që përjeton ai nomad i dashuruar. Camaj është njeriu i udhëtimit, i cili ashtu si Ungareti, stacionet e jetës së tij i përjetëson në krijimtari artistike si përvojë e fituar dhe kulturë e shtresëzuar, duke i kthyer në një përmasë biografike të veprës së tij. Shtegtimi, udhëtimi, udha, lëvizja, hapi, ecja, vizitori i përkohshëm, ose i papritur, largimi, ikja etj., si tufë stilemash, shoqërojnë të gjithë veprën poetike të tij. Vetë Camajt i është dashur të shpërngulet vazhdimisht gjatë jetës. Që i vogël ka lënë shtëpinë e prindërve për t’u shkolluar, një shenjë kjo e dallueshme në veprën e tij e madje sipas Primo Shllakut një tipar që u ka dhënë poezive të tij një ngjyrim melankolik e të trishtuar si rrjedhojë e një marrëdhënieje të vështirë me të ëmën dhe, që më vonë e ka transferuar te një atdhe i mohuar. Po ta shikojmë statistikisht kjo tufë stilemore vetëm në “Lirika mes dy moteve” del mbi 40 herë.
Camaj e mban mend veten në udhë përgjatë lumit dhe malit që i mitur. Bota që ai ka në kujtesë është vërtet shumë e vogël në hapësirë; mali, lumi, tbani, vrriu, por ajo përdoret si opozicion me hapësirën që ka mundësi të shkelë autori dhe pamundësinë që këtë vend të izoluar e të vogël ai mund ta vizitojë vetëm në kujtesë. Ndaj ai e bën këtë udhëtim në thellësi të historisë. Në të gjithë poezitë e Camajt kemi përmasën diakronike të shtrirë si një vertikale nga prehistoria e deri sot. Poezitë shtresëzohen me elemente mitologjike e historike duke u përdorur si opozicion me rrafshinsinkronik. Edhe Ungareti ka të njëjtën botë të kujtesës në poezitë e tij të vëllimit të parë. Minaret, nomadët, beduinët, hebrenjtë, mirazhi, oazi, shkretëtira dhe një hapësirë e pafund janë fjalët kyçe të poezisë së tij. Në vëllimet e mëvonshme këto elemente vazhdojnë të ekzistojnë sigurisht, por poeti nis shtegtimin e tij në gjëra më thelbësore. Si një Uliks modern ai shtegton në botën e lashtësisë, në mitet dhe mitologjinë romake duke risjellë sipas përjetimit personal ato. Edhe në këtë kuptim kemi një lojë ndërtekstualiteti te Camaj; që herët ai i bën pjesë të veprës së tij udhëtimet në mitologjinë shqiptare dhe më gjerë, por kulmin e arrin të poezitë e fundit, të cikleve Palimpsest, Nëma, dhe Buelli. Ripërjetimi duke futur në to një rivlerësim kulturor, historik është një përmasë që del dendur në këto poezi.
- Thyerja e traditës
Le të përpiqemi të konkretizojmë atë prirje hermetike që Camaj asimiloi nga poezia e Ungaretit duke vënë përballë kryesisht përmbledhjen poetike “Sentimento del tempo” dhe “Njeriu me vete e me të tjerë”. “Sentimento del tempo” i përket fazës së dytë të krijimtarisë së poetit, vepër ku hermetizmi njeh realizimin e vet më të mirë dhe shfaqet në format më tipike të tij. Po ashtu, “Njeriu më vete e me të tjerë” i përket periudhës së dytë, sipas klasifikimit në tri periudha që i bën Anton Berisha poezisë së Camajt, duke e radhitur në serinë “…me të ngushtë të vëllimeve më artistike dhe më të rëndësishme të poezisë gjithëshqiptare deri më sot.[17]
Së pari, të dy poetët i bashkon shmangia nga tradita ose thyerja e traditës. Ungareti i theu normat e letërsisë së tij, për arsye se e kishte të nevojshme të shprehej në një mënyrë tjetër, të ndryshme nga paraardhësit e tij. Në “Ragioni d’una poesia”, Ungareti shprehet: “…poeti modern ka sjellë në do moment të vargut një intensitet dhe një heshtje të tillë, që me në fund do të çlirojë ritmin nga pluhuri i tij të vjetër[18].”
Ai kërkoi një ritëm tjetër, një gjuhë tjetër, për të shprehur thelbin e gjërave, jo të drejtpërdrejt. Me forcën krijuese që zotëronte Ungareti, shndërroi fjalë të veçanta në simbole të vërteta. Përdori mjete të reja shprehëse, si analogjinë dhe sinestezinë, në mënyrë që të shprehte të pashprehshmen. Në këtë prizëm ndikohet nga simbolizmi i Mallarmé, i cili e tërhoqi më shumë. Camaj, gjithashtu i arsimuar jashtë vendit, pas krijimeve të para u shkëput nga format klasike dhe modelet e romantizmit në poezinë shqipe. Poezia shqipe kërkonte një realitet të ri, ku poezia duhej të jetonte, të ekzistonte vetëm si poezi. Këtë poezi mund ta krijonte vetëm M. Camaj, që jetoi jashtë vendit dhe ideologjive të tij. Edhe poezia e tij është e vështirë për t’u receptuar nga lexuesi.
Të dy poetët ndihen pa pushim nga dashuria për vendin e lindjes. Ata e dëshirojnë atë deri në vdekje. Fati i Camajt është më tragjik, sepse ai nuk arriti të shkelë asnjëherë tokën, për të cilën i thuri vargje. Vargje të tilla mund të krijohen vetëm nga një poet që ka mbajtur të shtypura gjithë jetën ndjenja të pakrahasueshme:
“Kur të vdes, le të bëhem gur
ne skajin e vendit tem
te qindroj kufi.” (“Vendit tem”)[19]
Tek Ungareti, gjithashtu, dashuria për vendlindjen mbijeton deri në vdekje. Ai e shikon, e ndien dhe i jep vlera të patjetërsueshme:
> “Patria fruttuosa, rinascevi prode,
Degna che uno per te muoia d’amore.” (1914 – 1915)[20]
> “Atdhe i begate, linde trima
I denje te vdesesh nga dashuria per ty.” (1914 – 1915)
- Pesha e Fjalës
Në “Ragioni d’una poesia”, Ungareti shkruan:
- “…Për t’u shprehur, një poet i kohëve të sotme duhet të ndiejë dhe të kuptojë sesi fjala ka një vlerë të shenjtë. Dhe kjo është dhurata e vetme magjike që ka njeriu. Është dhurata përmes së cilës fjala na drejton nga origjina e saj e errët dhe në këtë errësirë na çon drejt misterit, duke e lënë atë gjithsesi të panjohur…”[21] Këtë reflektim teorik të Ungaretit, Camaj e konkretizon me vargje të “Palimpsest”:
“Në këtë palimpsest zbulova hijen
e fjalës në thellësinë që s’shihet.
Atëherë thane ti merresh me magji!”[22]
Poeti depërton në thellësi, në thellësinë e një shpirti, të një kulture, të një historie ose të një gjuhe për të shkuar drejt së panjohurës, drejt fjalës. Siç thotë vetë Camaj, “…fjalët e zhyten në nënvetëdije dhe harrohen. Gjysma e jetës kalon në kërkimin e lëjales së vet të humbur[23].” Kapja e kësaj përmasë dhe e këtyre elementeve nuk është aspak e lehtë, për arsye se ato ekzistojnë në brendësi të strukturës tekstore poetike dhe të raporteve të shumta të saj. Kështu, ato dalin nga simbolika dhe marrëdhëniet e veçanta të fjalëve dhe shprehjeve, të shtresave kuptimore të shumta që krijojnë një nentekst të pasur poetologjik. Kështu shprehet studiuesi kosovar A. Berisha.
Për të kuptuar “Sentimento del tempo“, duhet të nisemi nga origjina e shenjtë e emrit, duke iu referuar mitologjisë pagane, si embleme e transmetuar nga memoria. Në lojë refleksesh, siç i pëlqen të shprehet Ungareti:
“Nel gelo si specchia e s’abbaglia” > (“Në akull pasqyrohet dhe shkëlqen”).
Pra, gjejmë se e para është nishinterimi i emrit, vlera e paskajshme e tij. Kështu, “vetëm shenja mund të jetë absolute, mund të bëhet referim për vetveten, për historinë e saj”, pra, shenja nuk na çon tek diçka tjetër (fakt ose objekt), por bëhet ikonë, simbol i vetes. Emri humb çdo lidhje me objektin, ndahet nga çdo lidhje e mundshme për t’u shndërruar në diçka absolute, universale, të përjetshme:
> “si fermeranno Do të ndalojë
> cose consumate; gjera te konsumuara
> Emblemi eterni, nomi Emblema te perjeshtme
> evocazioni, pure…” (“Memoria d’Ofelia d’Alba”)[24] Thirrje, dhe…
Te “Njeriu me vete e me të tjerë”, Camaj vihet në kërkim të një emri, të një emri simbol që mbeti e kaluar absolute, një emër i ngarkuar tej mase me kujtesë, një emër që i dha identitet e legjendë poezisë së tij, por një emër mungese, tabu, emër-embleme që shoqëron deri në fund poetin.
Ai krijon vargje që vetëm një poet në mërgim mund t’i ndiente:
“Eci kranas me to
Nëpër ditën e gjate
……………………
në kërkim të një emri.” (“Rete e oqeanit”)[25]
Misionin e tij, Camaj e beson në fjalën. “Me forcën e fjalës së vet, poeti prek zemrën e lules dhe zbulon një botë të tërë, zbulon dhe na bën t’i njohim fshehtësitë më të mëdha, më të pazakonshmet” – shprehet A. Berisha në “Vepra letrare e Martin Camajt”.
Poeti tret në pusin e pafund
të ngjyrave si grune e diellit (Zgjimi i poetit).
Fjala është përqeshja e pasioneve të jashtëzakonshme, e kontrasteve me të mundshme, ajo ka vlerë sa qielli e dheu bashkë:
Në fjalë sqarohet qielli e dheu bashkë:
Ajo është një strajcë në të mundemi
me bartë stinët e motit, akull e zjarr. (Fjala, “Palimpsest”).
Po t’i referohemi Ungaretit, do ta gjejmë po kaq të fuqishëm besimin te fjala. Për poetin italian, fjala ka një “pienezza di contenuto morale” (përmbajtje morale). Fjala është gjithçka dhe poeti i shërben asaj deri në fund:
“Ho fatto a pezzi cuore e mente > Kam copëtuar mendje dhe zemër
Per cadere in servitu di parole?” (“Pieta”). > Për t’i vine në shërbim të fjalës
Poeti i shërben fjalës dhe në të kundërt fjala poetit. “Fjala është e para, ekziston para çdo gjëje, nuk mund të ekzistonte asnjë lloj bote pa fjalën që e emërton…” – shkruan Memmo në “Ungaretti come mito”.Është fjala që krijoi botën, njerëzimin, vetë jetën:
> “*…poesia poezia
e il mondo, l’umanita eshte bota, njerezimi,
la propria vita vete jeta
fioriti dalla parola.” (“Commiato”). te lulezuar nga fjala
Ungareti e kërkon fjalën deri në thellësi të vetes së tij, e zbulon dhe e zhvesh atë deri në esencë. E rëndësishme për të është ajo që fshihet pas fjalës, gjithçka ajo mbart, ndjesi a të fshehta të pazbulueshme. Po t’i shohim me vëmendje dhe t’i lexojmë disa herë këto vargje të Ungaretit dhe të Camajt, do të provojmë të njëjtën gjendje dhe do të arrijmë në të njëjtin përfundim: fjalës i besohet misioni më i rëndësishëm i një poeti hermetik: të depërtojë në thellësi, në zbrazësi dhe të nxjerrë atë që rri e zhytur në hije, esencialitetin.
Përfundime
Të konceptuarit e veprës letrare si një procedim ndërtekstual e bën atë me patjetër pjesë të një hiperteksti. Si rrjedhim ai konsiderohet si një pikëlidhje e rëndësishme me rrjetin tekstor pararendës, paralel, por duke qenë i hapur edhe me atë çka do të vijë pas tij. Në këtë kuptim ky tekst është pjesë e së tërës. Për letërsinë moderne ka rëndësi forma si e shpreh atë çast magjik frymëzimi dhe përjetimi mbi misterin ejetës dhe të ekzistencës. Dhe Martin Camaj është poeti i mendimeve të thella, i mesazheve të fshehura dhe vargjeve polisemantike, të cilat duhen dekoduar për ta shijuar ashtu si duhet figuracionin e saj. Ne nuk pretendojmë se e kemi shpjeguar një herë e përgjithmonë konceptin poetik të Camajt, sepse ai i përket atyre poetëve, krijimet e të cilëve derivojnë përjetime dhe interpretime të ndryshme në kontekste dhe kombinime të tjera. Ky ishte një lloj dekodifikimi dhe shpresojmë që të kemi dhënë një çelës përtë shijuar më në thellësi atë bukuri të cilën ajo e përcjell që në leximin e pare. Camaj është një shkrimtar që është cilësuar si i errët dhe jo rrallë hermetik. Këtë errësirë të tij shumë studiues ia veshin një ndikimi prej shkrimtarëve të hermetizmit italian të shekullit të kaluar e sidomos prej Ungaretit, meqë Camaj ka ndjekur edhe leksione prej këtij poeti. Kjo është një tezë interesante, që të josh për të bërë përqasje në këtë fushë, por e pamundur për t’i dhënë një përgjigje gjatë këtij punimi.
Në fakt Arshi Pipa ka tezën se më shumë se nga Ungareti, nëse flasim për një ndikim nga hermetizmi italian, do të ishte më e arsyeshme që ta përqasnim krijimtarinë e tij me atë të Montales. Në fakt në një përqasje jo shumë të thelluar mes dy shkrimtarëve vemë re një varg elementesh të ngjashme (p.sh. të dy shkrimtarët kanë përdorur shenjën madrigal, si përpjekje e kthimit të tyre në një epokë tjetër, figurën e breshkës etj.). Po ashtu Camaj ka një poezi, ku vashën e dashur e përngjason me lulediellin, që është një figurë e njohur dhe karakterizuese e poetit Montale etj. Gjithsesi ne mendojmë se edhe nënkuptimësia politike e teksteve të Camajt është e krahasueshme me atë të Montales. Të dy poetët u mërguan në një kuptim: Camaj u arratis si shprehje e refuzimit të tij ndaj komunizmit, ndërsa Montale u arratis nga bota, u vetizolua si shfaqje e refuzimit të tij ndaj fashizmit. Megjithatë errësia e tekstit të Camajt më tepër se një ndikim i drejtpërdrejtë nga hermetizmi italian, është se ajo kërkon një përgatitje të lexuesit për të bërë njëlexim impenjativ. Letërsia artistike moderne bashkëkohëse sigurisht që procedon me kërkime drejt origjinalitetit dhe veçanësisë, për mesazhe të shumëfaqshme dhe domethënie universale.
Bibliografia:
- Agim Vinca, Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980), Rilindja, Prishtinë, 1985.
- Anton Berisha – “Vepra letrare e Martin Camajt”, Kozencë, 1994, në “Rradhote e zjarrit
- Ardian Klosi , Takim me Martin Camajn (në vend të parathënies), vepra letrare 1, Apollonia, Tiranë, 1996.
- Arshi Pipa: “Martin Camaj”. Rev. “Jeta e re”. Prishtinë. Nr. 11 / 1996
- Arshi Pipa,Montale dhe Dante, Tiranë, 2007
- Gnosis and hermetism from Antiquity to Modern Times, Edited by Roelof va nden Broek and Wuoter J. Haneegraff, State University of Neë York Press, 1998,
- Giuseppe Ungaretti: “Ragione di una poesia”. Ungaretti. Vita, poetica. Opere scelte. Milano, 2007
- G. Ungaretti – “Vita d’un uomo, tutte le poesie”, Milano, 1998, Mondadori Editore, f. LXXVI.
- Jeta e re, nr. 1, Prishtinë, 1966.
- U. Eco: Për letërsinë,Dituria, 2007, f. 130.
- Lek Ndoja “LETËRSIA SHQIPE E EMIGRACIONIT NË VITET 1944-1990, Tiranë, 2014
- Luan Topçiu. Hermetizmi si përqëndrim maksimal (Hyrje në poezinë e Martin Camajt), revistë kulturore e Fondacionit Kulturor, Nr. 28 korrik, 2006.
- Martin Camaj, “Vepra letrare 2”, Tiranë, 1996, “Apollonia.
- Revista “Nentori”, nr. 4, Tirane, 1991.
- Sinani, Shaban, “Camaj i paskajuar (Rreth tipologjisë së llojeve në veprën e Martin Camajt), Qendra e Studimeve Albanologjike & Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 2011, f. 37. (Citimi është shkëputur sipas Jonida Xhyra-Entrof, “Beruhrunspunkte zweischen Ungaretti und Camaj”, botuar në “Wir sind die Deinen”, përgatitur nga B. Demiraj, “Harrassowitz Verlag”, 2010
[1] Vinca, Agim, Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980), Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 383.
[2] Gnosis and hermetism from Antiquity to Modern Times, Edited by Roelof va nden Broek and Wuoter J. Haneegraff, State University of Neë York Press, 1998, f. 15.
[3] Giuseppe Ungaretti: “Ragione di una poesia”. Ungaretti. Vita, poetica. Opere scelte. Milano, 2007, p. 566.
[4] Revista “Nentori”, nr. 4, Tirane, 1991, f. 118.
[5] Po aty, fq. 120.
[6] Cituar sipas Klosi, Ardian, Takim me Martin Camajn (në vend të parathënies), vepra letrare 1, Apollonia, Tiranë, 1996, f. 25.
[7] Cituar sipas Klosi, Ardian, Takim me Martin Camajn (në vend të parathënies), vepra letrare 1, Apollonia, Tiranë, 1996, f. 26.
[8] Cituar sipas Sinani, Shaban, “Camaj i paskajuar (Rreth tipologjisë së llojeve në veprën e Martin Camajt), Qendra e Studimeve Albanologjike & Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 2011, f. 37. (Citimi është shkëputur sipas Jonida Xhyra-Entrof, “Beruhrunspunkte zweischen Ungaretti und Camaj”, botuar në “Wir sind die Deinen”, përgatitur nga B. Demiraj, “Harrassowitz Verlag”, 2010, f.114.
[9] Ardian Klosi: “Takim me Martin Camajn”. Martin Camaj. Vepra letrare 1. Tiranë 1996, fq. 30 – 31.
[10] Arshi Pipa: “Martin Camaj”. Rev. “Jeta e re”. Prishtinë. Nr. 11 / 1996, f. 33.
[11] Lek Ndoja “LETËRSIA SHQIPE E EMIGRACIONIT NË VITET 1944-1990”, fq. 141, Tiranë, 2014.
[12]Luan Topçiu. Hermetizmi si përqëndrim maksimal (Hyrje në poezinë e Martin Camajt), revistë kulturore e Fondacionit Kulturor, Nr. 28 korrik, 2006, f.272 – 278.
[13] U. Eco: Për letërsinë,Dituria, 2007, f. 130.
[14] A.Pipa,Montale dhe Dante, Tiranë, 2007, f. 178.
[15] G. Ungaretti – “Vita d’un uomo, tutte le poesie”, Milano, 1998, Mondadori Editore, f. LXXVI. F.155.
[16] M. Camaj. Vepra letrare 3, Tirane, 1996, “Apollonia”, f. 191.
[17] Anton Berisha – “Vepra letrare e Martin Camajt”, Kozencë, 1994, në “Rradhote e zjarrit”, f. 31.
[18] G. Ungaretti – “Vita d’un uomo, tutte le poesie”, Milano, 1998, Mondadori Editore, f. LXXVI.
[19] M. Camaj, “Vepra letrare 2”, Tiranë, 1996, “Apollonia”, f. 65.
[20] G. Ungaretti, “Vita d’un uomo, tutte le poesie”, f. 102.
[21] Po aty, f. LXX. F,144.
[22] M. Camaj, “Vepra letrare”, 1, f. 191
[23] Jeta e re, nr. 1, Prishtinë, 1966, f. 74.
[24] G. Ungaretti, “Vita d’un uomo, tutte le poesie”, f. 160.
[25] M. Camaj, “Vepra letrare”, f. 195.