‘Kërcimtari fluturues’, Rexhep Çeliku ‘rikthehet’ në skenë! Koncert gala në nderim të valltarit të njohur në TKOB

‘Kërcimtari fluturues’, Rexhep Çeliku ‘rikthehet’ në skenë! Koncert gala në nderim të valltarit të njohur në TKOB

Ai cilësohet si “kërcimtari fluturues” dhe në nder të tij, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të sjellë një koncert në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Rexhep Çeliku dhe madhështia e valles së tij do të kujtohet në një shfaqje të veçantë në formën e një galaje të madhe, ku do të rrëfehet edhe historia e jetës dhe veprimtarisë artistike të tij.

“Janë shumë pjesë mes të cilave publiku do të njihet ndoshta për herë të parë me jetën e një personaliteti artistik aq të madh dhe figure artistike aq të madhe sa Rexhep Çeliku. Gjithë programi është mbështetur në trupën artistike të Ansamblit Kombëtar me pjesëmarrjen e orkestrës, grupit vokal, solistëve, ku kryefjalë është vallja, por nuk do të mungojnë as të ftuarit specialë siç është Irini Qirjako, një këngëtare tjetër e njohur, Fiqirete Kapo, të cilat do të sjellin një perlë të polifonisë sonë në skenë.”, – thotë drejtuesi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Sokol Marsi.

“Rexhepit jo më kot ia kanë vënë titullin kërcimtari fluturues. Xhepi nuk ishte vetëm artist i madh. Mbi të gjitha ishte njeri me shpirt të madh, me botë të madhe. Ai kujdesej për trupën artistike me çdo detaj. Ai kujdesej edhe për ne këngëtarët. Për Rexhepin kam kujtimet më të bukura. Do të vij me këngën gjirokastrite që Rexhep Çeliku e donte shumë. Është një këngë e vjetër që unë e kam bërë kur kam dalë dy vitet e para në skenë: Ç’bën atje ti moj për poshtë… Është një këngë shumë e vjetër. Besoj Xhepi tani, atje lart në qiell do ta dëgjojë.”, – shprehet këngëtarja Irini Qirjako.

Figura e Rexhep Çelikut është menduar të mos personifikohet dhe të vijë në skenë vetëm nga një solist, por të mishërohet përmes interpretimit të disa solistëve të Ansamblit të disa brezave, që nga bashkëkohës të tij, nxënës të tij dhe valltarë të rinj, të cilët e njohin dhe vlerësojnë emrin e Çelikut, por nuk e kanë njohur krijimtarinë e tij më herët.

“Është një nder për ne. Është një mundësi që nuk vjen dy herë. Nuk kemi pasur mundësi të punojmë me profesor Xhepin por me çfarë na kanë treguar profesorët tanë për ne është nder shumë i madh.”, – thotë valltari Rei Berisha.

“Është një shfaqje që ne e presim prej kohësh. Nuk është bërë asnjëherë që kur profesori u nda nga jeta dhe jemi të lumtur, që si të rinj të Ansamblit ne ecim në gjurmët e ikonës së madhe Rexhep Çeliku.”, – thotë Flavio Xhaferri.

“Kërcimtari Fluturues – Rexhep Çeliku” do të vijë për publikun mbrëmjen e kësaj të mërkure, ndërkohë që biletat për të janë shitur që para dy ditësh.