HAJDUTI – POEZI NGA ANDI MEÇAJ

HAJDUTI – POEZI NGA ANDI MEÇAJ

HAJDUTI

Kapeni hajdutin,

po kërcen nga kapelja

në kapele, nga veshi

në vesh, nga syri në sy,

mban një palë

syze të errëta,

një bluzë gri

dhe tuta sportive,

natyrisht atlete fallco

Adidas,

çantë prej imitim

lëkure

dhe maskë anti

koronavirus.

Kapeni hajdutin, thërret

gjitonia e çalë,

kapeni hajdutin,

ulërret postieri

i paedukatë,

kapeni hajdutin,

bërtet foshnja

grindavece,

kapeni hajdutin,

cicërojnë zogjtë.

Kapeni hajdutin,

kërcen kokë më kokë,

fjalë më fjalë,

vështrim pas vështrimi,

mendim pas mendimi,

ëndërr pas ëndërre.

Kapeni hajdutin,

ngjirren e çirren

të gjithë,

por nuk e dinë

ku fshihet e dihet,

ky dinaku ynë

i ngratë,

derisa ndiejnë

ankesën e duarve

dhe xhepave,

protestën e astarëve

të shpuar, të shqepur,

e dhimbjen e syve

të të ikurve

që bërtasin,

ulërrasin e këlthasin

kapeni hajdutin,

hajdutin e jetëve tona.

Korrik 2024

Imazh i gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale për poezinë e Andi Meçajt