Ola Xama
Dëgjoj gjithnjë e më shpesh një diskurs ku thuhet se SPAK po gabon rëndë që po merret me hetimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë, pasi me këtë standard mund të futin në burg gjithë shqiptarët. Në fakt dua t’i kujtoj se çdo zyrtar përpara se të marrë detyrën ka pranuar që t’i hetohet pasuria. Madje jo vetëm kaq, por mban përgjegjësi penale për çdo deklarim të rremë që plotëson në deklaratën vjetore të pasurisë.
Thuhet që duhet të hetohet procedura në shkelje e cila të çon më pas te korrupsioni dhe jo e kundërta. Nuk quhet korrupsioni kur në këmbim të shërbimit publik që e ke detyrim ligjor ta japësh merr para – ndryshe nuk i jep lejen, licencën apo pronën?
Por kur caktimi i fituesit të një kontrate publike bëhet me ligj, nuk duhet të hetohet asnjë zyrtar që ka marrë shpërblim në këmbim të këtij favori se nuk qënka shkelur asnjë ligj?
Ju lutem mos na fyeni inteligjencën. Ligji për deklarimin vjetor të pasurisë prandaj u miratua, që kur një zyrtar vjedh me ligj, vendim apo komision-t’i kontrollohet pasuria dhe nëse ka ose jo përfitime në konflikt interesi.
Te çështja “Veliaj” SPAK ka gjetur sponsorizime në konflikt interesi nga dy biznesmenët kryesorë që përfitojnë punë publike në Bashkinë e Tiranës, ndaj kushdo që thotë korrupsion i vogël, gabon. Nuk janë pak afrësisht 100 milion euro kontrata publike vetëm për dy sipërmarrës!
Edhe biznesmenët nuk duhet të trajtohen si të nënshtruar ndaj një sistemi korruptiv, por si pjesë e mekanizimit të një sistemi të kalbur. Ata përveçse korruptojnë, fitojnë miliona euro dhe i ndajnë me zyrtarët – marrin përsipër dhe t’ia mbulojnë pasurinë duke i mbajtur vilat në emër të tyre e duke justifikuar ‘cash’-in që i gjendet në kasafortë.
Nuk ndiej asnjë keqardhje për këdo që thotë “dhashë se po nuk dhe – nuk merr dot”. Keq më vjen vetëm për ata që vjedhin se nuk kanë çfarë të hanë, kurse ata që enden zyrave të shtetit që të shtojnë milionat janë po aq të dëmshëm sa zyrtarët e korruptuar.