Bunk’art si shembull i vuajtjeve të diktaturës! Peçi: Sollëm histori reale! Edicioni i 10-të i ‘Ditëve të kujtesës’, Ekspozitë dhe rrëfime

Bunk’art si shembull i vuajtjeve të diktaturës! Peçi: Sollëm histori reale! Edicioni i 10-të i ‘Ditëve të kujtesës’, Ekspozitë dhe rrëfime

Nga Blerina Goce 

“Një Dekadë në Shërbim të Kujtesës në Shqipëri” është tema e këtij viti në 10-vjetorin e krijimit të platformës “Ditët e Kujtesës”. I organizuar nga Instituti për Dialog, Media dhe Kulturë, gjatë çeljes së aktivitetit u inaugurua ekspozita “Rrugëtime të Papritura të Jetës”, që sjell në fokus portrete dhe rrëfime të 40 ish-të përndjekurve politikë. Aktiviteti vijoi edhe këtë të enjte me konferencën ndërkombëtare mbi Muzealizimin e Kujtesës dhe turizmin e errët. Jonila Godole e vë theksin te nevoja për muzealizimin e vendeve të vuajtjes, duke ndjekur shembullin e “Vendit të Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër.

“Për mendimin tim në Shqipëri kemi vetëm një muze që është muzeu që drejton Pjerini, në një vend të mirëfilltë kujtese. Ky është presioni që duhet të bëjmë dhe duke përcaktuar vendet që Autoritet i Dosjeve ka bërë deri tani.”, – thotë drejtuesja e IDMC, Jonila Godole.

“Është një muze memorial, që është i vendosur në ish burgun kryesor të qytetit të Shkodrës. Është e vetmja hapësirë që është muzealizuar sot në Shqipëri në një vend vuajtjeje ku kanë kaluar me mijëra persona për bindjet e tyre politike, aq më tepër në kontekstin historik që ka pasur Shkodra gjatë periudhës së komunizmit. Nuk jemi të kënaqur që  nuk kanë arritur në rrafshin institucional, që jo vetëm ky muze, por gjithë këta muze të Shqipërisë që trajtojnë këtë periudhë duhet të jenë pjesë e kurrikulave mësimore.”, – thotë Pjerin Mirdita, drejtues i Muzeut “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër.

Ndërkohë që drejtues muzesh dhe institucionesh kanë sjellë përvojën e tyre , drejtuesi i Komisionit Ndërkombëtar për të Zhdukurit për Prishtinën dhe Tiranën, Luigj Ndou, vërejti se po punohet për të zbuluar disa vende në Shqipëri, ku mendohet se janë persekutuar dhe ekzekutuar viktima të komunizmit. Një vend i tillë është në Shkodër. Sipas tij, harresa vazhdon të jetë e ingranuar në memorjen e vendit për të fshirë të kaluarën, por për fat të keq, harresa sjell përsëritje.

“Do të përpiqemi që brenda muajve të ardhshëm të bëjmë një gërmim vlerësues për të parë nëse aty ka mbetje njerëzore. Është e pabesueshme se si vendi ishte tjetërsuar. Ajo sipërfaqe është reduktuar në 60-70 përqind. Falë autoritet të Dosjeve atje më në fund është vënë një pllakë shumë e madhe është ruajtur si të thuash 1000 metra katorë dhe njerëzit, duke e ditur është vend i vuajtjeve dhe ekzekutimeve nuk kishin ndërhyrë gjatë atyre viteve. Fatmirësisht do të ekzaminohet dhe vërtetohet shkencërisht nëse ka mbetje njerëzore apo jo. Kjo tregon përgjegjësinë e autoriteve vendore për riajtjen e këtyre vendeve në masën sa më të madhe të mundshme. Ka dhjetëra vende në Shqipëri ku familjarëve të viktimave u mohohet e drejta për trajim dinjitoz të kujtesës. Janë diku rreth 6 vende që do ekzaminohen gjatë këtij viti dhe nëse vërtetohet që kanë qenë vende persekutimi dhe ekzekutimi atëherë mënyra më e mirë do të ishte nëse shteti do t’i ruante ato vende e t’i kthente në vende të kujtesës.”, – thotë Ndou. 

“Ndihem mirënjohëse që jemi bashkë, jo vetëm për prezantimin e kësaj dite, por dhe për të adresuar çështjen e personave të munguar, drejtësinë tranzicionale, që është diçka thelbësore për aksesimin në BE. Ky subjekt është i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë por për krej BE-në. Është e rëndësishme të merremi me të shkuarën për një të ardhme paqësore dhe demokratike.”, – vëren përfaqësuesja e Delegacionit të BE-së në Shqipëri,  Frederique Hanotier.

Ndërkohë, duke sjellë shembuj muzesh të kësaj natyre, siç është rasti i rrjetit muzeor “Bunk’art” u fol për atë që cilësohet si turizëm i errët.

“Historia e ndërtimit të këtij rrjeti muzeor e ka kaluar dekadën dhe historia ka treguar që përtej debateve fillestare për ngritjen e këtyre muzeve ishte nisma e duhur që i duhej qytetit dhe historisë. Ky kombinim i turizmit të errët me historinë, pra me nevojën që ne ta përshfaqim historinë bashkë me anën artistike që kemi futur në “Bunk’Art” ka qenë çelësi i suksesit. Ne kishim mundësi të paraqisnim historinë reale të komunizmit, shkallën e persekutimeve reale gjatë komunizmit, sikurse dhe shumë pjesë të tjera si funksionte shoqëria, shkolla, policia sekrete, që është baza e dhunës dhe represionit gjatë regjimit. Te ‘Bunk’art” 2 jemi fokusuar më shumë te historia e Ministrisë së Brendshme, si funksiononte dhe çfarë roli  kishte Sigurimi i Shtetit. Ky përshkrim i kësaj linje historike e bën vizitorin kur del nga muzeu të jetë i mirëinformuar.”, – thotë Admirina Peçi, kuratore e rrjetit muzeor “Bunk’art”.

Në kudër të “Ditëve të Kujtesës” mbrëmjen e kësaj të enjteje do të shfaqet dokumentari “BRAUNAU” me regji të Günter Schëaiger, e pasuar nga një sesion pyetje-përgjigje mbi mënyrën se si Austria ka trajtuar trashëgimisë e saj nacional-socialiste.

“Ditët e Kujtesës” mbledh çdo vit mbi 600 pjesëmarrës nga Shqipëria, rajoni dhe më gjerë për të shkëmbyer përvojat, arritjet dhe sfidat në promovimin dhe ruajtjen e kujtesës mbi pasojat e diktaturës komuniste në Shqipëri.