TRINIUM në rubrikën “30 Revo-pyetje nga Aldo”

TRINIUM në rubrikën “30 Revo-pyetje nga Aldo”


Në rubrikën e radhës të “30 Revo-pyetje nga Aldo”, kemi kënaqësinë të prezantojmë producentin e njohur shqiptar, Trinium, i cili ka sjellë hite të shumta në skenën muzikore shqiptare. Emri i tij i lindjes është Klaudjo Myrtaj dhe vendlindja e tij është qyteti i Pogradecit, pasioni i tij për muzikën filloi që në moshën 7-vjeçare, kur mësoi bazat e kitarës. Në klasën e shtatë, ai fitoi çmimin e parë në Festivalin e Fëmijëve në Pogradec, duke shënuar fillimin e një karriere premtuese.

Gjatë viteve të gjimnazit, Klaudjo krijoi grupin TRINIUM me dy miqtë e tij, duke eksperimentuar me krijimin e beateve të para. Edhe pse shokët e tij u tërhoqën nga muzika, ai vendosi të vazhdojë rrugëtimin muzikor nën emrin e grupit, si një shenjë respekti për miqësinë e tyre.

Një nga sukseset më të mëdha të Trinium është bashkëpunimi me Big Basta, Lyrical Son dhe MC Kresha në këngën “Ti m’ke braktis”. Ideja për këtë projekt lindi gjatë punës për albumin e Big Bastës, ku ai propozoi risjelljen e këngës së njohur “Kur gjethet bien në vjeshtë” të Rudolf Stambollës. Me një kombinim të muzikës trap dhe elementeve melankolike, kënga u krijua brenda vetëm 30 minutash, duke rezultuar në një hit të menjëhershëm që u prit me entuziazëm nga publiku.

Përveç këtij projekti, Trinium ka bashkëpunuar me artistë të ndryshëm, duke përfshirë G-Up, MC Doza dhe aktorin Visjan Ukcenaj. Ai shprehet se sfida më e madhe për një producent është krijimi i një identiteti unik në muzikë, dhe ai vazhdon të punojë për të sjellë risi në skenën muzikore shqiptare.

Në këtë intervistë ekskluzive, Trinium ndan me ne përvojat e tij, sfidat e hasura gjatë karrierës dhe planet për të ardhmen, duke ofruar një vështrim të thellë në botën e tij artistike dhe pasionin për muzikën.

30 Pyetje për Trinium

1.Si e filluat karrierën tuaj në muzikë dhe çfarë ju inspiroi të bëheni producent?

Kam qenë shumë i vogël kur ka nisur pasioni për muzikën, diku tek mosha 7-vjeç kam mësuar kitarën, gjërat bazë të saj, nga klasa e 7 fillore kam konkurruar në festivalin e fëmijëve në Pogradec , qyteti prej të cilit vij dhe kam fituar çmimin e parë. Por gjithmonë kam qenë i apasionuar pas krijimit kompozimit dhe nga viti i dytë gjimnaz, kam krijuar beatet e para bashkë me 2 shokët e mi me të cilët kemi qenë TRINIUM, ku më pas unë e vazhdova muzikën dhe ata u tërhoqën dhe për respekt të shoqerisë unë vazhdova ta mbaj emrin e artit TRINIUM.

2.Cilat janë sfidat kryesore që keni hasur gjatë rrugëtimit tuaj muzikor?

Sfidat janë të pafundme në muzikë dhe nuk do mbarojnë deri në ditën që do tërhiqesh nga muzika. Përtej çdo sfide apo “bërrylash” që hasen në muzikë, për mua sfida më e madhe për nje producent është identiteti i tij në muzikë. Pra sfida me punën e vet, me veten e vet.

3.Si lindi ideja për bashkëpunimin me Big Basta, Lyrical Son dhe MC Kresha në “Ti m’ke braktis”?

Big Bastën e kam shok, mik dhe kemi punuar prej vitesh bashkë dhe duke punuar për albumin e tij, lindi dhe ideja për këtë bashkpunim falë Bastës, meqë janë dhe miq të vjetër dhe shumë të mirë.

4.A mund të na tregoni për procesin krijues të kësaj kënge?

Basta ka qenë ai që e solli këtë ide, për të risjell këtë këngë dhe merita është e tij e gjitha për këtë bashkëpunim dhe duke pas një kimi të jashtëzakonshme me të në muzikë, e kuptova se çfarë kërkonte edhe aq më duhej për të krijuar këtë vepër në vetëm 30 minuta. Çdo gjë rrodhi shumë natyrshëm, shumë lehtshëm.

5.Si ndikon frymëzimi nga kënga “Kur gjethet bien në vjeshtë” e Rudolf Stambollës në versionin tuaj? 

Ajo këngë është një prej perlave të muzikës Shqiptare, e risjellë, e rikënduar nga shumë artista të kohës me mjeshtëri, por prap origjinali është ajka.

6.Cilat janë elementet kryesore që keni sjellë në këtë projekt për ta bërë atë unik?

Ndërthurja e muzikës Trap me disa nota të thjeshta, por të veçanta melankolie, e ndërthurur me zërin e mrekullushëm në refren të LyricalSon dhe me mjeshtërinë e rimave të Big Bastës dhe Mc Kreshës dhe me esencën e këngës së Rudolf Stambollës, u krijua kjo vepër unike.

7.Si ishte eksperienca e punës me tre artistët e njohur të hip-hop-it shqiptar?

Të tre janë artista shumë profesionist, shumë serioz në punë dhe shumë karizmatik në të njëjtën kohë, është kënaqësi për këdo që të punojë me ta.

8.A keni pasur ndonjë moment të veçantë gjatë regjistrimit të “Ti m’ke braktis” që dëshironi të ndani?

Çdo moment ka qenë i veçantë më besoni, ka qenë si një magji komplet procesi, një energji shumë e veçantë, nuk di të ndaj diçka!

9.Si e përshkruani ndikimin e kësaj kënge në publik dhe si është pritur ajo deri tani?

Kënga është pritur shumë mirë nga publiku dhe kjo u vu re shumë mirë kur kënga u performua nga të tre artistat në sheshin Skënderbej, ku sheshi ishte plot dhe kënga po këndohej nga i gjithë publiku, aty kam ndjerë një emocion të vecantë.

10.Cilat janë disa nga projektet tuaja të mëparshme që mendoni se kanë ndikuar më shumë në karrierën tuaj?

Unë kam bashkëpunuar dhe me artista underground që kanë goxha ndikim në publik, tek ata që e dëgjojnë rapin underground, me G Up, një prej më të mirëve në tekst dhe fllow, i cili është dhe një prej artistave të mi të preferuar, me Mc Doza një artist shumë me vlera dhe tekst-shkrues shumë i mirë, po ashtu dhe disa këngl me aktorin e humorit Visjan Ukcenaj, një artist universal dhe njeri shembull plot vlera dhe disa bashkëpunime të tjera me Ghetoar Selimin. 

11.Si e shihni evoluimin e muzikës shqiptare dhe rolin tuaj në të?

Në Shqipëri mungon një Industri e mirëfilltë Muzikore dhe është e vështirë të flasësh për një evolim në muzikë.

12.Cilat janë disa nga bashkëpunimet tuaja të ardhshme që mund të presim?

Mund të them që janë disa bashkëpunime official, është albumi i Big Basta, ku ka shumë këngë të forta, është përsëri një tjetër, kënga e Mc Kresha dhe LyricalSon, një risjellje tjetër e një kënge tjetër të vjetër Shqiptare, janë edhe 2 bashkëpunime të tjera me artist po aq të njohur, por që po i lej surprizë!

13.Si e përzgjidhni artistët me të cilët bashkëpunoni?

Nuk ka një formulë apo metodë të caktuar apo rrugë të caktuar, sot interneti i ka bërë gjërat më të thjeshta për të kontaktuar njëri-tjetrin.

14.A keni ndonjë zhanër muzikor të preferuar me të cilin punoni më shumë?

Unë i punoj të gjitha, dikur kam pasur muzikën Trap shumë të preferuar, por sot nuk kam një të preferuar, më shumë kam këngë të preferuara sesa zhaner të preferuar.

15.Si e menaxhoni balancën midis krijimtarisë artistike dhe kërkesave të tregut muzikor?

Për çudi kohën e kam të limituar duke pasur parasysh që zgjodha të jem baba si fillim dhe i jam përkushtuar familjes shumë, djalit tim Asher i cili është 2-vjeç sot, ku pjesa më e madhe e kohës është me të dhe duke qenë se në studio unë punoj shumë shpejt, projektet i bëj shumë shpejt, e kam këtë veçantj, koha më del, di ta menaxhoj për fat të mirë.

16.Cilat janë disa nga teknikat ose instrumentet që preferoni të përdorni gjatë prodhimit muzikor?

Zakonisht para se të filloj të krijoj në studio, bashkë me Bernin, i cili është shoku im si fillim pastaj ortaku im dhe Senyn i cili është një artist i ri shumë i talentuar i palodhur, me të cilët e kalojmë kohën në studio sëbashku, shkëmbejmë ide, risi dhe çdo gjë krijohet në fillim në kokën time dhe mbetet ai 20-30 minutëshi që unë ta hedh në kompjuter atë që kam krijuar.

17.Si e shihni rolin e teknologjisë në muzikën moderne dhe si e përdorni atë në punën tuaj?

Teknologjia sot ka hyrë fuqishem si në çdo aspekt të jetës edhe në muzikë. Mua më pëlqen të krijoj unë, jo AI (Inteligjenca Artificiale), kshuqë nuk i kam marrëdhëniet shumë të mira me të.

18.A keni ndonjë këngë ose projekt që e keni vepanërisht përzemër?

Të gjitha projektet janë shumë të dashura për atë që i krijon. Për momentin është “ti m’ke braktis”, sepse është më e reja.

19.Si e përballoni kritikat dhe si ndikojnë ato në punën tuaj?

I mirëpres të gjitha kritikat, sepse falë atyre rritesh artistikisht.

20.Cilat janë disa nga arritjet tuaja më të mëdha deri tani në karrierën muzikore?

Deri në momentin kur unë do bëj 1 hit me 1 artist të ri të paafirmuar, nuk kam arritur asgjë…

21.Si e shihni veten pas 5 vitesh në industrinë muzikore?

Nuk e kam menduar të them të drejtën, nuk i dihet asnjëherë se si do shkojë, sepse siç e thashë më lart, nuk kemi një industri të mirëfilltë muzikore dhe çdo gjë është e pasigurt.

22.A keni ndonjë artist ndërkombëtar me të cilin dëshironi të bashkëpunoni?

Janë shumë, mbase me Travis Scott.

23.Si e përshkruani procesin tuaj të punës nga fillimi i një projekti deri në përfundimin e tij?

Ka projekte që do i quaja thjesht Magji, krijohen sa hap e mbyll sytë. Ka projekte pastaj ku mbizotëron konfuzioni dhe kjo më lodh. Por shumica dërrmuese janë Magji!

24.Cilat janë disa nga sfidat më të mëdha me të cilat përballeni si producent në Shqipëri?

Shumë ndryshe nga bota, ku producenti përfiton nga produkti i tij nga radiot, klikimet, televizonet, dmth kudo ku luhet produkti yt, përveç pagës që ke marrë nga artisti si fillim, në Shqipëri nuk ekzistojnë këto gjëra dhe producenti që bën punën më të madhe në studio për 1 produkt, është më i nënvlerësuari.

25.Si e shihni ndikimin e muzikës suaj në kulturën dhe shoqërinë shqiptare?

Në momentin që kërkesa rritet, mendoj se ndikimi është pozitiv dhe për këtë më bëhet qefi.

26.A keni ndonjë mesazh për të rinjtë që dëshirojnë të ndjekin një karrierë në muzikë?

Krijoni identitetin tuaj në muzikë, ti je ti, nuk je kopja e askujt. Sa më origjinal në atë që bëni dhe sa më shumë materiale.

27.Si e përballoni bllokimin krijues dhe çfarë bëni për të rifituar inspirimin?

Siç e përmenda më lartë, Berni dhe Seny nuk më lënë asnjëherë të bie në depresion muzikor nqs. do e quajmë kështu!

28.Cilat janë disa nga projektet tuaja të ardhshme që mund të ndani me ne?

Siç e përmenda dhe më lartë janë disa, Albumi Big Bastës, kënga e Mc Kresha dhe LyricalSon , dhe disa bashkëpunime të tjera që doja t’i mbaja surprizë!

29.Si e shihni rolin e muzikës në jetën e përditshme të njerëzve?

Muzika imponohet kudo, në çdo çast në çdo ambient dhe besoj njeriu është shumë i lidhur me frekuencat, me muzikën.

30.A keni ndonjë hobi ose interes tjetër përveç muzikës që ju ndihmon në krijimtarinë tuaj?

Nuk ka ndonjë hobi që më ndikon në krijimtarinë time. E vetmja gjë që ndikon në krijimtarinë time është familja ime, nëna ime, bashkëshortja ime dhe mbi të gjitha djali im. Kur ata janë të lumtur, krijimtaria ime është on top!