Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në Lushnje, më e vjetra në trevën e Myzeqesë do t’i shpëtojë rrënimit. Instituti i Monumenteve të Kulturës ka miratuar projektin dhe fondet për restaurimin e objektit të kultit. Restaurimi nis me ambientet e jashtme dhe ndoshta më vonë do ketë investim tjetër për afresket, tha historiani Niko Ferro, për mikrofonin e Report TV.
“Sipas njoftimit zyrtar do të bëhet ndërhyrje në pjesën e jashtme. Ndërsa ndërhyrja brenda mendohet se do të jetë në fazë të dytë. Unë shpresoj se Monumtentet e Kulturës ta dëgjojnë këtë kronikë dhe të ndërhyjnë edhe për restaurimin e kishës së Shën Todrit që ka nevojë për ndërjyrje emergjente”, tha Ferro.
Bazuar në fakte historike është ndërtuar në vitin 1198 si kishë bizantine. E rrafshuar deri në themel nga osmanët në 1625 kisha u ringrit rreth vitit 1750. Në vitin 1967 për vlerat unikale të saj është shpallur monument kulturor i kategorisë së parë duke i shpëtuar shkatërrimit nga inkuizicioni komunist që shembi objektet e kultit.
“Në hyrje të kësaj kishe është një afresk ku thuhet se u pikturua me dorën e Joan Çetirit. Është një nga piktorët më të mirë postbizantin që ka lënë gjurmë në të gjitha kishat e Myzeqesë”, tha historiani.
Kisha ortodokse “Fjetja e Shën Mërisë” me muralet e saj unike do të jetë e hapur për vizitorët pas restaurimit. Ajo gjendet në fshatin Bishqethëm, vetëm një kilometër nga autostrada Fier-Lushnje.