Shkodra u zgjua nën magjinë e festës së Karnavaleve, ku u mbajt parada në rrugët e qytetit. Të shumtë janë qytetarët, jo vetëm nga Shkodra, por dhe nga qytete të Shqipërisë dhe trevat shqipfolëse që kanë zgjedhur të shijojnë ditën e tretë të karnavaleve.
Ngjyrat, muzika dhe gëzimi pushtuan Shkodrën edhe këtë të diel, në aktivitetin përmbyllës të karnavaleve. Qindra qytetarë iu bashkuan festës, duke shijuar performancat dhe paradën e personazheve me mijëra qytetarë që pushtuan rrugët të veshur me maska veneciane e kostume shumëngjyrëshe në Shkodër.
Për ta, Shkodra ishte më e bukur se kurrë më parë.
Atmosfera është shumë e bukur! Nuk e kemi parë ndonjëherë’ thonë vizitorët.
Prej 3 ditësh karnavalet kanë dhuruar një spektakël të veçantë në Shkodër.
Për herë të parë, parada e karrove dhe dritave krijoi një atmosferë magjike, duke mbushur qytetin me gjallëri dhe argëtim. Shkodranët dhe vizitorët nga e gjithë Shqipëria përjetuan një festë unike, ku tradita dhe kreativiteti u ndërthurën në një festim të paharrueshëm.
Festimet do të mbyllen me djegien tradicionale të dordolecit, një simbol i zhdukjes së fenomeneve negative në shoqëri dhe rilindjes së shpresës me afrimin e pranverës.
Tradita e karnavaleve në Shkodër daton që në vitin 1864, ndërkohë që zbukurimet me një dekor shumëngjyrësh kanë përfshirë gjithë qytetin. Padyshim që kjo është një nga festat që nuk njeh moshë e as gjini, por atmosfera festive i ka mbledhur të gjithë në Shkodër për të shijuar magjinë e maskave dhe kostumeve me personazhe.