Nga Blerina Goce
Janë imazhe të përzgjedhura nga arkiva e Dinastisë Marubi (1865-1959), me mbi 150,000 xhama negativë të Muzeut Kombëtar Marubi në Shkodër e që për herë të parë prezantohen në një ekspozitë në Tiranë. Tre gjeneratat e fotografëve Marubi bëhen bashkë në ekspozitën e kuruar nga Kim Knoppers dhe që është çelur mbrëmjen e kësaj të enjteje në Galerinë e Tiranës.
Koleksioni me xhama negativë paraqet interes nga pikëpamja historike, sociologjike, kulturore, antropologjike dhe artistike. Në të zbulojmë ngjarjet e trazuara të historisë së Shqipërisë (që nga Perandoria Osmane tek periudha komuniste), ritualet shoqërore, kostumet folklorike dhe portretet. Ekspozita përfshin disa riprodhime moderne dhe projeksione në xham të negativëve të skanuar.
“Kemi marrë këtë mision për ta bërë këtë galeri të vogël për të marrë misione më të mëdha, siç është për të sjellë një gjigant siç është dinastia ‘Marubi’ me bashkëpunim me Muzeun Kombëtar Marubi. Ka qenë propozim i bërë para një viti, sepse pjesë e strategjisë së Galerisë së Tiranës ka qenë, që pjesë e saj të bëhet edhe trashëgimia e artit tonë pamor. Para dy muajsh kishim bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Ikonografisë në Korçë. GAT ka marrë si mision të promovojë artin pamor: të së shkuarës, atë bashkëkohor dhe me fokus të veçantë te trashëgimia jonë.”, – thotë Edit Pula, drejtuese e Galerisë së Tiranës (GAT).
Ekspozita hap kalendarin e një rrugëtimi të gjatë të muzeut “Marubi”, që nga inaugurimi i tij në 2016, me të parën ekspozitë në Muzeun e Fotografisë së Amsterdamit.
“Ju po shihni të njëjtat fotografi që u ekspozuan atje. Do të shikoni dhe fotografi me nuanca në ngjyrë, pasi koleksioni i sapodigjitalizuar në ato vite është i paprekur. Ne jemi mësuar t’i shohim fotografitë me bardhë e zinë tradicionale, por i kemi sjellë edhe për të kuptuar apsketin teknik, se çfarë ndodh kur skanohen me rregullat e reja. Kjo ekspozitë është e rëndësishme edhe për faktin që është e parë që kemi sjellë të rrugëtimit të dinastisë në thuajse 160 vite të saj. Pse në Tiranë? Në Tiranë sepse Muzeu Marubi së fundi po tenton të shtrijë ndikimin e vet edhe përtej Shkodrës.”, – thotë drejtori i Muzeut Marubi të Shkodrës, Luçjan Bedeni.
Ekspozita do të shkojë edhe në Prishtinë, ndërsa më 5 mars, përfaqësuesit e Muzeut Marubi do të jenë sërish në Tiranë për nënshkrimin e një marrëveshjeje për fillimin e një punimi, që për herë të parë në historinë e vendit tonë të ketë një antologji të fotografisë shqiptare.
“Në mënyrë që gradualisht të përgatitemi të japim një ndikim të rëndësishëm edhe për shkrimin e historisë së artit të fotografisë që mungon prej vitesh.”, – nënvizon Bedeni.
Muzeu Marubi nuk disponon shumë stampime origjinale. Pjesa më e madhe e tyre janë shitur nga Marubët e mund të gjenden në shtëpitë e familjeve shqiptare.
Tre gjeneratat e fotografëve realizonin portrete në studio të personave të ndryshëm, që nga borgjezia urbane tek shtresat më të varfëra, nga perandorët osmanë tek Mbreti Zog, nga të burgosurit tek aktorët e famshëm dhe piktorët. Italiani Pietro Marubbi mbërriti në Shkodër në vitet 1850, menjëherë pas shpikjes së fotografisë. Aty ai hapi studion e parë fotografike në rajon dhe realizoi imazhet e para me teknikën e kolodiumit të lëngshëm. Menjëherë pas vdekjes së Pietros, asistenti i tij Keli do të mbante mbiemrin e mjeshtrit në nderim të tij. Ai e vazhdoi aktivitetin e studios dhe më pas ia la trashëgim të birit, Gegës.