Kur botova librin tim të parë, përrallën për fëmijë “Andrushi”, ndjeva për herë të parë emocionin e një krijimi që del nga mendja dhe zemra për të marrë jetë në sytë dhe imagjinatën e lexuesve të vegjël. Një ndjesi e papërshkrueshme, një përzierje mes lumturisë, krenarisë dhe përgjegjësisë. E njëjta ndjesi, por me një peshë edhe më të madhe, më shoqëroi kur botova librin tim të dytë, vëllimin poetik me terminologji shkencore “Uni-vers”, një përpjekje për të ndërthurur artin e fjalës me botën e pafundme të shkencës. Tani, ndërsa po përgatis për botim “Andrushi astronaut”, serinë e tretë të Andrushit, e kuptoj se ky rrugëtim mes leximit dhe shkrimit nuk është thjesht një pasion apo një zgjedhje, por është një pjesë e imja, një mënyrë për të jetuar dhe për t’u shprehur. Ndjej një lumturi të veçantë kur jam pjesë e letrave dhe mendimet e idetë e mia bëhen fjalë dhe fjalët kthehen në përralla, tregime, vëllime poetike që mund të frymëzojnë të tjerët.
Që në vogëli, librat ishin universi ku udhëtoja plot lumturi. Ishin dritare që më çonin në vende të largëta, në mendje të mençura dhe në histori që më bënin të ndjeja, të mësoja dhe të ëndërroja. Një libër nuk është thjesht një grumbull faqesh të mbushura me fjalë, por është një botë e tërë që pret të zbulohet. Leximi është shumë më tepër sesa një aktivitet i këndshëm apo një mjet për të marrë dije. Leximi është një mënyrë për të jetuar shumë jetë, brenda një të vetme. Një tregim si “Luli vocerr”, më ka bërë të ndjej dhimbjen e një personazhi, një poezi më ka ndihmuar të shoh bukurinë në gjërat e thjeshta, një libër shkencor më ka çuar drejt pyetjeve që ndoshta nuk do të marrin kurrë përgjigje të plota. Çdo libër më ka dhuruar diçka, duke më ndihmuar të rritem jo vetëm si lexues, por edhe si njeri.
Një ditë erdhi momenti kur nuk mjaftonte më të lexoja, por duhej të shkruaja. Mora lapsin dhe muzën e mesnatës. Fillimisht, ishte një nevojë e brendshme për të ndarë mendimet, për të formësuar idetë, për të shprehur atë që nuk mund të thuhej thjesht me fjalë të zakonshme. Pastaj, shkrimi u kthye në diçka më të madhe, në një rrugë që kërkonte disiplinë, përkushtim dhe një vëmendje të vazhdueshme ndaj detajeve.
Me Andrushin, u futa në botën e fëmijëve, duke u përpjekur të sjell një përrallë që të jetë jo vetëm argëtuese, por edhe frymëzuese. Pa e kuptuar, arrita të krijoja një personazh. Me “Uni-vers”, u nisa në një eksplorim të ri, duke sfiduar kufijtë mes poezisë dhe terminologjisë shkencore, për të gjetur një mënyrë të re të të shprehurit. Tani, pas “Andrushit dhe festa magjike” me dorëshkrimin e “Andrushi astronaut”, ndjej se ky cikël i krijimit vazhdon, duke më çuar drejt dimensioneve të reja të imagjinatës.
Shkrimi nuk është thjesht një proces frymëzimi, ai kërkon punë të vazhdueshme, përkushtim dhe një disiplinë të hekurt. Nuk mjafton të kesh ide të bukura, duhet të dish t’i kthesh në fjalë, t’i ndërtosh me kujdes, t’i rishikosh, t’i përmirësosh, derisa të ndjesh se çdo fjalë është në vendin e duhur. Leximi dhe shkrimi janë dy procese të pandashme. Leximi më ka mësuar të shkruaj, ndërsa shkrimi më ka bërë të lexoj ndryshe. Kur shkruaj, kuptoj më mirë mekanizmin e një historie, ndjej më thellë ritmin e një vargu, vërej se si fjalët krijojnë ndjesi dhe ndërtojnë kuptime. Mes leximit dhe shkrimit, mes ëndrrës dhe realitetit, ekziston edhe sfida e përditshme: të jesh një njeri brenda normave, rregullave, disiplinës. Të jesh krijues do të thotë të jetosh në dy botë, atë të imagjinatës dhe atë të realitetit konkret. Disa ditë, fjalët rrjedhin lehtësisht dhe gjithçka duket e magjishme. Ditë të tjera, përpjekja për të shkruar duket si një sfidë që kërkon një luftë të brendshme me veten. Për të shkruar, duhet të gjesh ekuilibrin mes lirisë dhe disiplinës, mes spontanitetit dhe strukturës. Shkrimi nuk është vetëm një proces krijimi, por edhe një angazhim për të ndërtuar diçka me vlerë, për të sjellë diçka që mund të prekë të tjerët, t’i frymëzojë apo t’u hapë një dritare të re.
Tani, ndërsa përgatitem për botimin e serisë tre “Andrushi astronaut”, e ndjej se ky është vetëm një tjetër hap në këtë udhëtim të gjatë. Çdo libër është një kapitull i ri, çdo shkrim është një eksplorim i ri, çdo rresht është një mundësi për të zbuluar diçka të re për veten dhe për botën. Leximi dhe shkrimi nuk janë thjesht dy aktivitete që i bëj me pasion, janë pjesë e imja, një mënyrë për të jetuar, për të menduar, për të komunikuar. Në këtë rrugëtim, mësoj, rritem dhe vazhdoj të ëndërroj. Sepse në fund, të lexosh dhe të shkruash nuk është vetëm një akt intelektual, është një mënyrë për të jetuar më plotësisht, për të zbuluar më thellë dhe për t’u rritur pafundësisht. Ky shkrim është Flori, i sinqertë dhe zemrën plot me dashuri…