Nga Isa Myzyraj
Acromax s’ka punë në zgjedhje
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është vënë në dijeni se personi me gjeneralitetet, A.N ka dashur të depozitojë në SPAK një dokument, përmbajtjen e të cilit e mësuam nga media, por oficeri i informacionit i ka sugjeruar që ta dërgojë atë përmes postës, ashtu siç aplikohet me çdo kërkesë të ngjashme.
Sa i takon hapave që Prokuroria e Posaçme do të ndërmarrë për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, ato janë bërë të qarta me publikimin e “Strategjisë së Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor”, me 20 shkurt.
Në këtë dokument është parashikuar edhe ngritja e një grupi të posaçëm pune, i cili do të monitorojë të dhënat e bëra publike në media dhe rrjetet sociale, të cilat do t’i përcillën Strukturës Qendrore dhe grupeve hetimore ne terren.
Gjithashtu, më 27 shkurt, Prokuroria e Posaçme, Prokuroria e Përgjithshme dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nënshkruan Protokollin e Koordinimit dhe të Bashkëpunimit, përmes të cilit synohet angazhimi i përbashkët për koordinimin efektiv të veprimeve hetimore, duke krijuar mekanizma të qëndrueshëm për monitorimin dhe ndjekjen ligjore të çdo rasti që cënon procesin zgjedhor.
SPAK duhet të refuzojë çdo kërkesë të Acromax për kontroll të mediave dhe platformave sociale për disa arsye.
1. Acromax është parë në vazhdimësi si një mjet censure. Media të ndryshme e kanë akuzuar drejtpërdrejtë këtë kompani për censurë deri në mbyllje të profileve dhe faqeve në rrjetet sociale të këtyre mediave.
2. Deklarata e drejtuesit të Acromax sot është shumë e gjerë dhe tërësore që nënkupton se ka një plan të qartë për kontrollin total të mediave dhe rrjeteve sociale.
3. Asnjë kompani nuk mund dhe nuk duhet të ketë kompetenca të tilla që kërkoj drejtuesi i Acromax sot për kontrollin e mediave dhe rrjeteve sociale.
4. Acromax nuk ka asnjë detyrim për të ruajtur integritetin zgjedhor në Shqipëri.
SPAK nuk duhet ta marrë parasysh këtë kërkesë.