“15 ditë prilli” është shfaqja premierë, që çeli mbrëmjen e së shtunës sezonin e ri teatror në Durrës. Drejtuesja e re e teatrit znj. Alketa Tragaj Myshketa, ndau detajet e para të punës përgatitore pas kësaj vepre që u ngjit në skenë.
“Teatri ‘Aleksandër Moisiu’ çel sezonin e ri teatror me ‘15 ditë prilli’ një dramë nga Anisa Markarian. Një dramë ku luajnë 12 aktorë të mrekullueshëm dhe performojnë në skenë 55 personazhe. Shfaqet një tablo shumë e bukur e jetës së shqiptarëve. Ftoj të gjithë publikun ta ndjekin këtë dramë të mrekullueshme”, tha Alketa Tragaj Myshketa.
Një dramë satirike e Anisa Markarian, një emër i njohur i kinematografisë shqiptare dhe jo vetëm. Vetë autorja shprehet e emocionuar, duke shtuar se ky është hapi i parë në gjininë e dramaturgjisë.
Regjisorja, Driada Dervishi zbulon se kjo përzgjedhje ka qenë një sfidë e veçantë. Një vepër tërësisht shqiptare, që na rikthen në Shqipërinë komuniste, nëpërmjet 55 personazheve, që interpretohen nga 12 aktorë.
“Një nga sipërmarrjet më të vështira, por dhe më të mëdha të teatrit Aleksandër Moisiu”, thotë regjisorja Dervishi.
Një sfidë e cilëson Amos Zaharia, që e bën edhe më të veçantë këtë premierë të trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku spikasin edhe emra të rëndësishëm të teatrit kombëtar.
“15 ditë prilli” do të vazhdojë të shfaqet në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu ” Durrës deri në datën 4 mars.