Fotografia shqiptare dokumentohet në një antologji! Marrëveshje mes muzeut Marubi, ATSH-së dhe ASH-së

Fotografia shqiptare dokumentohet në një antologji! Marrëveshje mes muzeut Marubi, ATSH-së dhe ASH-së


Realizimi i një antologjie të fotografisë shqiptare është projekti më i ri, që ka filluar të marrë jetë këtë të mërkurë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër, Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe Qendrës së Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave. Projekti shkencor i nisur nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” synon promovimin e trashëgimisë fotografike shqiptare.

Palët do të angazhohen në projektin e botimit dhe do të organizojnë vizita dhe takime të përbashkëta në institucionet të cilat disponojnë arkiva fotografike, me qëllim hulumtimin e imazheve të përshtatshme për botimin. Gjithashtu, do të organizohen takime të përbashkëta për të diskutuar strukturën që do të ketë botimi dhe përmbajtjen e tij, si edhe do të organizojnë bashkërisht, biseda të hapura për publikun me qëllim njohjen dhe promovimin e botimit.

“Për të mbërritur në shkrimin e historisë të artit shqiptar, fillimisht duhet të ndërtohet një antologji e artit, një antologji për fotografinë. Duke qenë se Muzeu ‘Marubi’ e konsideron Arkivën e Agjencisë Telegrafike Shqiptare si mjaft të pasur, që dokumenton periudhën e realizmit socialist shqiptar, nga viti 1953-1990 dhe koleksioni shtrihet edhe në vitet 2000, periudhë kohore, e cila relativisht i mungon arkivit “Marubi”, Hulumtimi dhe bërja bashkë e këtyre dy institucioneve dhe përfshirja edhe e Akademisë së Shkencave, na bën që të hedhim gjurmët e para dhe të krijojmë grupet e punës për ndërtimin e këtij studimi.”, – thotë drejtori i Muzeut Kombëtar “Marubi”, Luçjan Bedeni.