Isa Myzyraj: Shqipëria synon BE jo Erdoganizmin ose Putinizmin.

Isa Myzyraj: Shqipëria synon BE jo Erdoganizmin ose Putinizmin.

Nga Isa Myzyraj

Vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në çështjen “Cengiz dhe të tjerët kundër Turqisë” është një precedent që tregon qartë se mbyllja e TikTok-ut nga qeveria në Shqipëri është antikushtetuese dhe në kundërshtim me Nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Vendimi i GJEDNJ-së: “Cengiz dhe të tjerët kundër Turqisë”

Çështja: Në vitin 2008, Turqia vendosi bllokimin e plotë të platformës YouTube për më shumë se dy vjet, me arsyetimin se disa video në platformë shkelin ligjin turk.

Ankuesit: Dy akademikë turq argumentuan se bllokimi i YouTube kufizonte lirinë e tyre të informimit dhe të shprehjes.

GJEDNJ e shpalli bllokimin e YouTube si shkelje të Nenit 10, duke argumentuar se:

• Masa ishte e përgjithshme dhe disproporcionale, pasi nuk synonte vetëm përmbajtjen problematike, por bllokonte gjithë platformën.

• Kufizimi nuk ishte “i domosdoshëm në një shoqëri demokratike”, pasi përbënte një ndërhyrje të pajustifikuar në të drejtën për informim.

Vendimi I Ramës ka të njëjtat probleme që GJEDNJ identifikoi në rastin turk:

• Disproporcionaliteti:

Në vend që të targetojë përmbajtjen problematike brenda platformës, qeveria zgjedh të ndalojë krejtësisht një rrjet social që përdoret nga mijëra qytetarë për informim, biznes dhe shprehje artistike.

Kjo shkon përtej nevojës për të mbrojtur sigurinë publike dhe bie në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit të Nenit 10.

• Cenimi i lirisë së shprehjes dhe informimit:

TikTok është një platformë ku qytetarët shpërndajnë opinione, ndajnë informacione dhe zhvillojnë debate. Ndalimi i tij kufizon aksesin në informim dhe krijon një efekt zinxhir, duke bërë që të mendohet se qeveria do të përdor të njëjtat metoda në rrjetet e tjera.

Kjo është pikërisht ajo që GJEDNJ kritikoi në rastin e Turqisë.

Bazuar në precedentët e GJEDNJ-së, ndalimi i përgjithshëm i TikTok nga qeveria shqiptare shkel Nenin 10 të KEDNJ-së, pasi nuk është një masë proporcionale, nuk është “e domosdoshme në një shoqëri demokratike” dhe kufizon në mënyrë të pajustifikuar të drejtën e qytetarëve për informim dhe shprehje të lirë. Ky vendim mund të sfidohet si antikushtetues dhe në kundërshtim me standardet evropiane për të drejtat e njeriut.

Shqipëria synon BE jo Erdoganizmin ose Putinizmin.