Folklori shqiptar përmes ngjyrave, piktori nga Kosova, Xhevdet Spahia çel ekspozitë në Lezhë

Folklori shqiptar përmes ngjyrave, piktori nga Kosova, Xhevdet Spahia çel ekspozitë në Lezhë

Nga Elvis Hila 

Folklori shqiptar i sjellë përmes ngjyrave “rrëfehet” në ekspozitën personale të piktorit nga Kosova, Xhevdet Spahia, të çelur në Galerinë e Arteve të qytetit të Lezhës. Autori, me profesion mësues, zgjodhi pikërisht 7 Marsin për takimin e rradhës me publikun, si një datë domethënëse për të, që bën bashkë dy nga pasionet e tij: mësimdhënien dhe pikturën.

“Në 7 mars e vendosa datën për arsye se 44 vjet punova në arsim. Gjatë asaj kohe hapja herë pas here ekspozita personale, herë me shokë, kolegë të punës e herë me nxënës. Nuk desha ta prish atë traditë dhe thashë ta hap edhe sivjet këtë ekspozitë në Lezhë”, tha Xhevdet Spahia, piktor.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë artistë, kritikë arti dhe përfaqësues të institucioneve lokale.

“Unë e shoh edhe si një shenjë respekti që i bën qytetit tonë, se ne kemi nevojë për transferim vlerash mes qyteteve tona, aq më tepër kur vjen për një qytet mjaft të dashur për ne, siç është Gjakova. Ekspozita e tij nuk bërtet. Është ekspozitë që shpresh dashurinë e tij për kostumet dhe traditën”, tha Pashk Përvathi, piktor.

“Racional në ngjyra, me personazhe sharmante, në qëndrimin antropologjik të racës shqiptare me histori të hershme e me ruajtjen e traditave kulturore”, tha Ymer Metaliaj përgjegjës i galerisë së arteve të Lezhës.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët për disa ditë më radhë.