Inteligjenca artificiale u lehtëson punën operatorëve turistikë në Korçë

Inteligjenca artificiale u lehtëson punën operatorëve turistikë në Korçë

Operatorët turistikë në Korçë kanë nisur të përdorin inteligjencën artificiale për të menaxhuar dhe optimizuar shërbimet e tyre, duke sjellë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si operojnë.

Teknologjia e re u ka lehtësuar ndjeshëm punën e përditshme, duke përmirësuar komunikimin me klientët, organizimin e rezervimeve dhe promovimin e destinacioneve turistike.

Kryesisht kemi sistemin e menaxhimit të rezervimeve, i cili koordinon të gjitha platformat së bashku. Nëpërmjet AI është e mundur që të kesh një pasqyrë më të mirë të rezervimeve, një menaxhim më të mirë, madje edhe në vende ku mund të bësh disa gabime. AI nuk të lejon që të kesh rezervime të dyfishta apo data që të jenë ‘overbooking’,” tregon Eriketa Koçollari, menaxhere hoteli.

Ajo shprehet se fillimisht e nisi si një provë, por rezultatet ishin të suksesshme. Ajo ve theksin tek nevoja e trajnimeve.

Për të pasur platforma dhe kërkesa më specifike, sigurisht duhet të ndjekësh disa trajnime, sepse termi inteligjencë artificiale është shumë i gjerë. Ne duhet ta ndajmë atë në varësi të punës sonë, në varësi të sektorëve, kështu që gjithnjë më e mira është të kemi një qasje sa më të personalizuar ndaj inteligjencës artificiale,” thotë znj. Koçollari.

Aktualisht në Korçë janë disa biznese në këtë sektor që po eksperimentojnë me zgjidhje të bazuara në AI, duke e parë atë si një mjet të domosdoshëm për të rritur efikasitetin dhe për të ofruar një shërbim më të avancuar për turistët./rtsh.al

Gazetare: E. Fili