Nga Ergys Kavaja
Nga skenat prestigjioze të Berlinit në zemër të Shkodrës, dirigjentja e njohur me famë botërore, Elda Laro, merr drejtimin e Orkestrës Simfonike të qytetit. Lajmi u konfirmua nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ne rrjetin social facebook, ku shkruan “Siç e dini mirë tashmë, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Shkodër, zgjedh t’u besoj profesionistëve e të “flas” me punë.
“Elda Laro është hyrja e re në ekipin që drejton asetet kulturore të Shkodrës, ndërsa Orkestra Simfonike e qytetit tonë ka shumë punë të bukura para.
Të tjerat janë dokrra hini. Suksese artistëve”, shkruan Beci.
Vetë dirigjentja e mirenjohur ka shprehur kënaqësinë e saj për këtë bashkëpunim permes nje videoje, duke theksuar se eksperienca e saj në koncertin e tenorit të famshëm Ramë Lahaj në Shkodër i la mbresa të paharrueshme, duke e bërë të pamundur refuzimin e kësaj ftese.
“Së bashku po punojmë për të sjellë koncerte të nivelit më të lartë, duke ftuar artistë të mrekullueshëm që performojnë në skenat botërore. Objektivi ynë është ta kthejmë Shkodrën në vatër të rëndësishme kulturore,” – theksoi ajo.
Me një vizion ambicioz, ajo synon të sjellë artistë të njohur ndërkombëtarisht për të interpretuar në skenat e Shkodrës, duke e pozicionuar qytetin si një epiqendër të muzikës klasike në Shqipëri.
Elda Laro është një dirigjente shqiptare me një karrierë të jashtëzakonshme ndërkombëtare. Ajo nisi studimet në Shkodër dhe më pas, falë talentit të spikatur, u transferua në Tiranë. Në vitin 1989 fitoi bursë për të studiuar në Konservatorin “Giuseppe Verdi” të Torinos, duke u specializuar më tej në Paris dhe Salzburg. Karriera e saj përfshin përvoja në teatro të famshëm si “La Scala” në Milano, “Theater Münster” në Gjermani dhe shumë të tjerë. Pas një eksperience të gjatë si pianiste dhe shoqëruese operistike, ajo u bë dirigjente, duke sfiduar stereotipet gjinore në këtë fushë. Aktualisht, ajo është dirigjente në Operën e Berlinit.