Nga Blerina Goce
Jo rrallë janë personazhe të njohur publikë, të cilët shfaqet ndryshe nga çfarë janë në të vërtetë, ashtu siç ndodh shpesh me njerëzit kur ndodhen para kamerave.
“Prestanome” titullohet ekspozita me portrete e piktorit Helidon Haliti e çelur disa ditë më parë në galerinë FAB të Universitetit të Arteve e ku artisti sjell për publikun 62 personazhe nga 63 të tillë që ka intervistuar dhe u ka dhënë jetë në emisionin e tij televiziv “Mes dy botëve”.
“Prestanome është një fjalë që elaborohet shumë së fundmi. Përballë kamerës askush nuk është kurrë 100 përqind vetvetja. Përballë kamerës dhe kavaletit tim, pothuajse të gjithë personazhet mundoheshin të ndikoheshin nga ajo dhe të ishin diçka tjetër, një rrëfim, që vinte nga një lloj remenishence dhe si për të thënë që tashmë nuk jemi vetvetja.”,- thotë piktori Helidon Haliti për “Report TV”.
Sipas Halitit ekspozita në njëfarë mënyre kërkon të rrëfejë edhe për një krizë absolute që kalon shoqëria jonë, “ku flasim në emër të të tjerëve dhe përfaqësojmë diçka tjetër.” Jo rastësisht edhe posteri kryesor i ekspozitës nuk ka fare emër dhe kuratori është i kthyer mbrapsht, një simbolikë, që tregon se ekspozita është më tepër një perceptim, një instalacion konceptual sesa ekspozitë e artit piktorik.
“Këtu janë personazhet që kam pikturuar, shprehitë e tyre dhe atë që kanë thënë në bashkëbisedimet me mua e jo atë që janë në një moment të caktuar të jetës. Është një rikthim nga e kaluara, “Mes dy botëve”, siç quhet emisioni im, kryesisht para apo pas ’90-ës apo para një jete të caktuar të secilit dhe pas saj. Njerëzit gjithmonë kur shohin veten kanë parasysh diçka tjetër dhe nuk e pëlqejnë zakonisht veten në pikturë. Do shumë kulturë të përballosh, ët pëlqesh dhe të kuptosh që artisti përballë nuk shtë pasqyra, nuk është kamera, por është piktori që sheh më shumë shpirtin tënd sesa karakteristikat që ti shpesh herë mundohesh t’i ekzagjerosh apo t’i mbulosh.”, – vijon Haliti.
Haliti vëren se “Prestanome” tregon edhe për rolin e televizionit si një mjet manipulimi i personalitetit të njeriut.
“Është një lojë dhe rrëfim i guximshëm, që unë e shoh si vokacion personal, që duhet patjetër ta shpalos para publikut, se ka ardhur një kohë që gjëja më e vyer në botë është e vërteta dhe ne të dalim pikërisht për të thënë se kush jemi dhe jo se kush duam të jemi.”,- nënvizon piktori.
Pjesë e ekspozitës krahas figurave të njohura në jetën publike në vend, artistëve nga Kosova dhe katër politikanë të rinj është edhe nëna e vetë artistit me të cilën ai ka bashkëbiseduar pas ndarjes nga jeta të të atit.
“Me nisjen e këtyre rrëfimeve të personazheve, ajo që më interesonte ishte një bisedë me nënën pas largimit të babait por dhe në vetvete ndodhi një gjë shumë e çuditshme, ajo donte të rrëfente çdo gjë sipas këndvështrimit personal, ndërkohë që unë mundohesha ta frenoja. Ka një histori shumë të vërtetë tek kjo intervistë, që në këtë moment vjen si personazh i nënës sime, që dikur ka qenë mësuese. Jeta është sprovë e madhe që na jepet.”
Ndërkohë, një vend të veçantë në “Prestanome” zë portreti i 14-vjeçarit Martin Cani, i cili u largua nga jeta më 18 nëntor të vitit 2024 pasi u qëllua me thikë nga një bashkëmoshatar i tij.
“Edhe në ditën e hapjes së ekspozitës kishte goxha emocion sepse prindërit e tij erdhën dhe më thanë që duan të bëjnë një muze të vogël, si për të thënë që le të jetë viktima e fundit dhe unë i premtova që do t’u dhuroj padyshim portretin. Ishte një ngjarje që na ka tronditur pa masë dhe ndaj u mundova të bëja diçka të veçantë, që të rinjtë të flisnin për gjithçka që ndodh. Emisioni im është që pikturoj atë që kam përballë dhe në këtë rast ndodhi e kundërta. Pikturova shqetësimet, dhimbjet dhe mori trajtën e këtij djaloshi që në fakt humbi jetën herët.”, – thekson artisti.
Haliti e cilëson ekspozitën e tij si atipike, si për thënë që edhe të gjitha intervistat me personazhet e pikturuar kanë qenë atipike. “Prestanome” do të qëndrojë e çelur deri më 25 mars.