Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri – botues i Reporter.al, dhe Qendra për Fuqizim Ligjor dorëzuan të martën një padi në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për mbylljen e platformës TikTok në Shqipëri.
Sipas padisë, ky vendim ka për qëllim kufizimin e lirisë së shprehjes dhe të të drejtave të tjera të qytetarëve shqiptarë.
“Mbyllja e TikTok-ut cenon rëndë lirinë e shprehjes, të drejtën për informim dhe gjithashtu dëmton liritë ekonomike të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë,” deklaroi Isa Myzyraj, kreu i AGSH-së.
Ai theksoi gjithashtu se vendimi i qeverisë nuk është marrë në përputhje me procedurat e rregullta, pasi kufizimi i të drejtave dhe lirive të individit nuk mund të bëhet përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave.
“Nëse ky akt legjitimohet, ai mund të kthehet në një precedent të rrezikshëm, duke hapur rrugën për kufizime të tjera që cenojnë demokracinë dhe lirinë e shprehjes,” shtoi Myzyraj.
Vendimi për mbylljen e TikTok-ut hyri në fuqi më 13 mars. Platforma, e krijuar nga kompania kineze ByteDance, është një rrjet social i njohur për videot e shkurtra dhe mundësitë e shumta për krijim e shpërndarje të përmbajtjes.
Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetin social ‘X’, argumentoi se ky vendim u mor pas konsultimeve me mijëra prindër dhe mësues.
“Ky është një vendim i bazuar në konsultime me 65 mijë prindër dhe mësues, si dhe pas ngritjes së kapaciteteve teknike të nevojshme,” shkroi Rama.
Megjithatë, këto shifra nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, pasi konsultimet nuk janë zhvilluar në prani të medias.
Avokati Franc Terihati nga Qendra për Fuqizim Ligjor vuri në pikëpyetje argumentet e qeverisë për këtë masë, duke theksuar se mungojnë prova konkrete për rrezikun që ajo synon të shmangë.
“Interesi publik për një kufizim kaq drastik është vetëm i pretenduar nga Këshilli i Ministrave, por nuk është mbështetur me fakte,” tha ai.
Sipas Terihatit, një ndalim i plotë duhej të ishte masa e fundit, duke u shqyrtuar fillimisht alternativa më pak kufizuese për të adresuar shqetësimet e ngritura nga qeveria.