Mal Berisha: “15 DITË PRILLI” – SHFAQJE TEATRALE PËR KOHËN E FRIKËS

Mal Berisha: “15 DITË PRILLI” – SHFAQJE TEATRALE PËR KOHËN E FRIKËS

(Një analizë e thjeshtë letrare-dramatike e veprës së Anisa Markarian,

me regji të Driada Dervishit.)

“Skena e teatrit nuk është thjesht pika e takimit të të gjitha arteve, por aty është gjithashtu vendi ku arti merr jetë.”

Oscar Wilde

Këto ditë është shfaqur drama “15 ditë prilli” në Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe në një sallë turbinash në Tiranë, e cila ngjan shumë pak me një teatër dhe më shumë me një vatër kulture fshati. Dramatizimi “15 ditë prilli”, bazuar në romanin me të njëjtin titull nga Anisa Markarian dhe vënë në skenë nga regjisorja Driada Dervishi, është një vepër e fuqishme artistike që sjell para spektatorit një pamje që na kujton periudhat më të errëta të historisë shqiptare – Diktaturën e Proletariatit. Kjo shfaqje nuk është vetëm një vepër teatrore: Ajo është një akt i thellë kujtese, një reflektim emocional dhe kritik mbi një kohë ku njeriu u zhvesh nga dinjiteti, fjala nga kuptimi dhe frika mori formën e ligjit.

QYTETI – NJË METAFORË E SHQIPËRISË SË IZOLUAR

Që në prolog, skena hapet me një përshkrim ironik të një qyteti të vogël, “me shumë ditë me diell”, por pa asnjë figurë të shquar. Në vend të tyre, ngrihet një realitet i zymtë i prodhimit të “heronjve” në mënyrë artificiale, në një spital që quhet “Foleja e Heronjve”, i cili zë vend mes burgut dhe varrezës. Trenat e rrallë që kalojnë në këtë qytet janë simbol i një lëvizjeje të kontrolluar, ndërsa shkolla që edukon “Njeriun e Ri” shërben si laborator ideologjik i shtetit totalitar. Statuja e “Udhëheqësit të Lavdishëm”, e vendosur në qendër të skenës, është një përmendore e kultit të individit – e nderuar me duartrokitje të detyruara, por e zbrazët në thelb. Ky element shënjon praninë e vazhdueshme dhe të padukshme të diktatorit në jetën e çdo qytetari, një prani që nxit frikë, nënshtrim dhe heshtje.

PERSONAZHET – PASQYRA TË SHPIRTIT KOLEKTIV TË SHTYPUR

Një nga arritjet më të mëdha të kësaj shfaqjeje është loja me shumë fytyra e aktorëve: personazhet ndryshojnë role vazhdimisht – herë pastrues, herë sekretarë partie, herë mjekë, herë viktima. Kjo zgjedhje regjisoriale është thellësisht domethënëse: Në diktaturë, askush nuk kishte një identitet të qëndrueshëm – të gjithë ishin të zëvendësueshëm, të manipulueshëm, të frikësuar. Personazhe si përgjegjësja, pastruesja, dekani, doktori i burgut, gazetari, studentët e devotshëm apo të shtypur, janë pjesë e një sistemi të përbashkët që ushqehet me frikë dhe shkatërron çdo individualitet. Edhe vetë gjuha që përdorin shpesh mbart fjalorin e thatë dhe ideologjik të propagandës së kohës.

KONTROLLI TOTAL MBI JETËN PERSONALE NË DIKTATURË

Në këtë realitet teatral, një ndër temat më të forta është ajo e frikës nga diktatori dhe e përndjekjes politike. Qytetarët vëzhgojnë njëri-tjetrin, shprehen me gjysmë zëri, jetojnë në ankthin e përhershëm se kush do të jetë viktima e radhës. Kjo atmosferë pasqyrohet mjeshtërisht përmes mizanskenës së ngjeshur, ndriçimit të zymtë dhe ritmit të ngadalshëm që përforcon ndjesinë e një kohe të ngrirë. Burgjet dhe kampet nuk janë vetëm vende fizike – ato janë gjendje shpirtërore, prani të përhershme në jetën e çdo individi që guxon të mendojë ndryshe.

ELEMENTET MUZIKORË – NOSTALGJI E HIDHUR DHE IRONIKE

Një nga elementët më të rafinuar të veprës është përdorimi i muzikës së kohës, si kënga propagandistike “Lart më lart o shokë”. Por në vend që të ngjallë krenari, ajo e trondit publikun me kontrastin që krijon – fjalët entuziaste përpunohen në sfondin e një realiteti të mjeruar, të përgjakshëm, ku idealet e shpallura shërbejnë si perde për të fshehur dhunën. Kompozitorja Rona Castrioti krijon një atmosferë të dyfishtë – nostalgjike për një të kaluar të ngulitur thellë në kujtesë, por që sot tingëllon si një ironi e madhe ndaj vetes dhe historisë.

MESAZHI I VEPRËS LETRARE DHE TEATRALE – NJË THIRRJE PËR TË MOS-HARRUAR

“15 ditë prilli” nuk është një shfaqje e zakonshme. Ajo nuk rrëfen vetëm historinë e disa personazheve anonimë në një qytet të vogël – ajo rrëfen historinë e një kombi të tërë, që për dekada jetoi nën shtypje, kontroll dhe frikë. Kjo vepër është një kujtesë e gjallë e asaj çfarë ndodhi, një thirrje për të mos harruar, një përpjekje artistike për të shndërruar dhimbjen në vetëdije. Ajo flet me ndjeshmëri për ata që nuk patën zë, që u zhdukën në burgje, që humbën identitetin nën diktaturën e heshtjes. Në këtë kuptim, “15 ditë prilli” është një homazh për të vërtetën dhe një akt guximi sfidues ndaj harresës.

DÉJÀ VU MIDIS “15 DITË PRILLI” DHE REALITETIT TË SOTËM POLITIK

“15 ditë prilli” është një dramë bashkëkohore që, megjithëse flet për ditët e fundit të diktaturës, tingëllon befasueshëm aktuale. Autorja vetë e ka konceptuar historinë si një alegori universale, ku e tashmja dhe e shkuara bashkëjetojnë dhe përsëriten në mënyrë fatale, pasi historia ka prirjen të ripërsëritet nëse harrohet.

KUJDES O NJERËZ…NGA TEATRI DHE LETËRISA SE JANË TË “RREZIKSHME”

Letërsia dhe arti na ndihmojnë të deshifrojmë realitetin me mjetet e tyre artistike. Një shfaqje teatrale me një sens kaq të thellë kritik, therës e tronditës, që prek me dhimbje deri në palcë, përpiqet të ndezë një dritë kujtese tek shikuesi: se liritë e fituara pas viteve ’90 nuk janë të pacenueshme dhe se demokracia kërkon vigjilencë të përhershme. Teksa “15 ditë prilli” na emocionon dhe na bën të qeshim me groteskun e saj, në fund, qeshja na ngrihet në buzë. Është ajo e qeshura e hidhur e atij që sheh dhe njeh të vërtetën — që kupton se kauzat e vjetra mund të rikthehen dhe se fantazmat e diktaturës mund të marrin forma të reja, në mes nesh.

PËR SPEKTATORIN E NDERUAR, QË E NDOQI ME AQ INTERES DHE NDJESHMËRI KËTË SHFAQJE — FALEMINDERIM I THELLË.

Në sallë pashë shumë të rinj. Shpresoj që ata ta kenë ndier, qoftë edhe për ato dy orë, atë që kanë përjetuar prindërit e tyre në atë regjim. Sepse detyra e kësaj shfaqje ishte t’u kujtojë brezave të rinj një të kaluar jo fort të largët, të cilën ndonëse nuk e kanë jetuar, e ndiejnë ende – në forma më të sofistikuara – në përditshmërinë e tyre.Detyra jonë është të njohim këto forma dhe t’u qëndrojmë kundër – në emër të një shoqërie vërtet të lirë, pa frikë dhe pa patronazhim. Nderimi më i lartë, mirënjohja më e thellë dhe duartrokitjet më të merituara i shkojnë të gjithë ansamblit artistik që, me guxim krijues dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, solli në skenë një vepër që prek thellë ndërgjegjen, zgjon kujtesën dhe drithëron shpirtin e shoqërisë sonë.

NDERIM PER AUTOREN MARKAJAN, RREGISOREN DERVISHI DHE TRUPEN E TALENTUAR TEATRALE

Me respekt të veçantë për shkrimtaren Anisa Markarian, regjisoren Driada Dervishi dhe çdo anëtar të trupës skenike – që me kurajë dhe ndjeshmëri e kthyen teatrin në atë që duhet të jetë: një zë i fuqishëm i së vërtetës, në shtratin e tij natyror.

Le ta mbyllim këtë analizë të thjeshtë me fjalët e të madhit Bertolt Brecht:

“TEATRI NUK ËSHTË VETËM PASQYRIM I REALITETIT, POR EDHE NJË THIRRJE PËR VEPRIM — NJË MJET QË SPEKTATORI MUND TA PËRDORË PËR TË NDRYSHUAR BOTËN QË E RRETHON.”

Me respekt:

Mal Berisha