Nga Aldo Mustafa
Kush e ka takuar nga afër Margaritën, jam i sigurt, ka ndjerë në përqafimin e ngrohtë të saj sikur ka prekur dekada të tëra!
Margarita ishte MONUMENT i gjallë dhe tashmë i takon DRITËS!
Ishte 22 qershor 2022, kur u takova për herë të parë me Margaritën teksa erdhi në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, bashkë me një trup aktorësh profesionistë nën regjinë e Driada Dervishit, për një kryevepër me tematikë sociale që vetëm Margaritës tonë mund t’i shkonte!
Në profesionin tim si gazetar, kam intervistuar shumë njerëz, por bisedat me ata më të rëndësishmit, nuk i kam publikuar kurrë. Kam dashur të ruaj vetëm për vete ato mesazhe dhe biseda me IKONA si Margarita Xhepa, ama sot do rrëfej një pjesëz të shkurtër, sepse të gjithëve sot e në vijim do të na mungojë, por vetëm fizikisht.
***
Mosha bënte të vetën dhe i kishte ndikuar në fuqinë fizike, por kurrësesi në pasion, të paktën aty Margarita ishte në vitet e arta të një artisti.
Duhet të përgatitej për “Këpucët e kuqe”, një dramë që merrte skenë nga parajsa.
Iu drejtova ta takoja sapo hyri në ambientet që do të përgatitej me rekuizitën, por nuk ishte thjesht një takim formal, Margarita të përqafonte dhe ndjehej si bekimi i një shenjtori ai përqafim. Një dashuri për publikun dhe një energji e pastër, e cila më fliste me zërin e saj unik që mund ta dalloje mes qindra zërave. Ishte si muzikë.
“Shumë faleminderit, je djalë shumë i mirë!” – më tha teksa po e ndihmoja të rehatohej dhe e mbaja në parakrah teksa ulej.
Shkëmbyem një copë herë një bisedë mjaft të këndshme, e pyeta:
- A e ndjen dashurinë e publikut? E din çfarë vlere ke për ne pas kaq vitesh, madje edhe për brezin e ri?
Sytë i shkëlqenin gjithnjë, por nga buzagazi kuptova që iu bë qejfi që e dëgjoi ndoshta për të disatën herë dhe me qetësinë olimpike që e karakterizonte, më thotë:
- Unë rroj nga publiku që më don! Ma shprehin kudo që shkoj dhe më kënaqin shpirtin që më vlerësojnë. E ndjej dashurinë që më japin të gjithë dhe të them të drejtën, kemi vajza dhe djem të rinj shumë të mençur që e duan realisht artin, ka shpresë ende Aldo, përsa kohë jeni ju që vlerësoni jo Margaritën, por brezin tonë, të moshuarit!
Këtë të fundit e tha duke qeshur me një ton humoristik.

- Margarita, ti je si një vajzë e re, nuk të shohim dot ndryshe, e bukur, e dashur, gjithnjë e qeshur dhe Ikonë!
- Mos ma bëj qejfin haha! Ka plot aktor të rinj që janë shumë të mirë! E pëlqej shumë Olta Dakun dhe Alesia Xhemalajn me të cilat po punoj në këtë dramë, janë të zonjat! Pa diskutim të gjitha aktoret e tjera janë shumë profesioniste.
Nuk kishte kurrkund një ndjesi tjetër përveç mirënjohjes në sytë e margaritartë të saj. Thonë se sytë janë pasqyrë e shpirtit, por dukej se gjithë qenia e Margaritës ndodhej në sytë e saj! “A duhet të dalë aktori në pension, sepse mua më dukeni si vera e kuqe!”, e pyeta pasi doja të dija sesi e shihte veten në këtë pikë të jetës dhe karrierës.
- Aktori kur plaket, piqet! Bëhet më i mirë Aldo! Janë disa role të cilat ti nuk mund t’i luash pa arritur pjekurinë moshore dhe profesionale që të japin vitet, ja më shiko sot, kjo pjesë nuk do ishte e njëjtë nga Margarita e re! Ndryshon ndjeshmëria, ndryshon pjekuria, ndryshon fiziku dhe zëri Aldo! Aktori piqet dhe aty luan rolet më të bukura të jetës!
- Ndoshta i dëgjon çdo ditë nga kolegët, ndoshta takon shumë të tjerë si unë, por ndjej detyrën të të them pse jo, në emër të atyre që nuk kanë fatin të të kenë afër siç të kam unë sot, që realisht për shumë breza je EPOKË, të gjithë të duam shumë dhe duam të të shohim sa më gjatë në skenë. Të vlerësojmë më shumë seç fjalët munden!
- Ohh më emocioneve Aldo! Jam shumë e lumtur t’i dëgjoj këto fjalë dhe e di, e ndjej që publiku më don dhe më vlerëson prej një jete, jam shumë me fat ta ndjej këtë gjë dhe të jem ende në skenë! – më tha teksa iu mbushën sytë me lot.
- Do jesh gjithnjë në skenë për ne! – i thash sakaq vazhduam përgatitjet për në skenë.
Margarita e kishte fatin dhe shpirtin të shkruar në emrin e saj! Përjetësia fitoi Margaritën dhe ne do ta kujtojmë dhe nderojmë mungesën e saj ndër breza, patëm fatin që jetuam një ikonë të gjallë, por me këtë largim fizik të saj, sot u mbyll EPOKA E MARGARITËS!
