Artan Luku: Rruga Drejt Europës Kalon Nga E Vërteta

Artan Luku: Rruga Drejt Europës Kalon Nga E Vërteta

Rruga Drejt Europës Kalon Nga E Vërteta

Jetojmë në një vend ku shumë qytetarë ndihen të pasigurtë për të shprehur lirisht mendimet e tyre. Në një administratë publike, që shpesh ngjan më shumë me një sistem patronazhi, sesa me një shërbim ndaj qytetarit. Punonjësit kanë frikë të flasin, të ndajnë bindjet e tyre, madje edhe të votojnë me ndërgjegje të qetë. Kultura e frikës, e ndëshkimit dhe e përjashtimit ka rrënjosur heshtjen si mënyrë mbijetese.

Në këtë realitet, rruga drejt Bashkimit Europian, një rrugë që kërkon transparencë, demokraci funksionale dhe respekt për të drejtat themelore, duket e largët për aq kohë sa nuk pranojmë të përballemi me të vërtetën.

Nuk mund të ecim drejt Europës duke bërë sikur jemi Europë. Nocioni europian nuk lë vend për qytetarë të trysnuar qe mbajnë mbi shpinë padrejtësitë qe u bëhen. Nuk ndërtohet një shoqëri europiane me qytetarë të frikësuar, me votues që mbartin dyshime ndaj procesit, me profesionistë që ulin kokën për të ruajtur vendin e punës. Demokracia nuk është vetëm një emër në Kushtetutë — është një frymë që duhet të ndihet në jetën e përditshme, në guximin për të folur, në sigurinë për të zgjedhur, në mundësinë për të qenë i ndryshëm pa u dënuar për këtë.

Rruga drejt Europës kalon nga ndershmëria. Kalon nga forca për të pranuar se kemi probleme reale me drejtësinë, me lirinë e medias, me pavarësinë e institucioneve. Kalon nga vetëdija se nuk është turp të flasësh për këto problematika, turp eshte heshtja dhe pranimi i verbër i këtij realiteti, është të refuzosh ndryshimin nëpërmjet ndershmërisë.

Nëse duam të bëhemi pjesë e familjes europiane, duhet të fillojmë të sillemi si europianë — jo në fjalime, por në realitetin e përditshëm. Me guxim, me qytetari dhe mbi të gjitha, me respekt për njëri-tjetrin.

Vetëm kështu do ta meritojmë vërtet Europën.